Përkundër uljes historike të papunësisë në shtet që në vitin e kaluar arriti në 20.7 për qind, megjithatë mbetet i lartë numri i të papunëve që shpesh – edhe pa fajin e tyre nuk mund të gjejnë një vend pune të denjë për jetesë mesatare
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 21 gusht – Përkundër uljes historike të papunësisë në shtet që në vitin e kaluar arriti në 20.7 për qind, megjithatë mbetet i lartë numri i të papunëve që shpesh edhe pa fajin e tyre nuk mund të gjejnë një vend pune të denjë për jetesë mesatare. Vitet e kaluara, tregu i punës në Maqedoninë e Veriut vazhdon të dallohet me strukturë të pavolitshme të papunëve. Në periudhën e kaluar, më shumë se gjysma e punëkërkuesve që në mënyrë aktive kërkojnë punë nuk kanë të përfunduar shkollën e mesme, apo nuk posedojnë kualifikimet e nevojshme që kërkohen në tregun e punës. Sipas të dhënave të Agjencisë për Punësim, deri në fund të vitit 2018, nga 94.271 persona që janë të gatshëm të pranojnë ndonjë punë të ofruar agjencia, 43.284 apo afër 46 për qind janë me arsim fillor ose pa arsim fillor të përfunduar. Përkundër faktit se vitet e kaluara shënohet ulje e papunësisë si rrjedhojë e vendeve të reja të punës në sektorin privat, masave aktive të punës, ndihmës për formalizmin e një vendi pune, si dhe punësimit në sektorin shtetëror, apo edhe ikjes së fuqisë punëtorë jashtë shtetit – megjithatë statistika zyrtare në vazhdimësi tregon përqindje të lartë të papunëve që e kanë të vështirë të gjejnë një vend pune. Këtë e tregon edhe përqindja gati e njëjtë me afër 50 për qind e vitit 2012 e personave të papunë pa shkollë të mesme në raport me vitin 2018.
“Struktura e të papunëve sipas shkallës së arsimit karakterizohet me pjesëmarrje të madhe të të papunëve jo të kualifikuar që në totalin e të papunëve – merr pjesë me afër 47 për qind, ose 113.666 e të papunëve vështirë po inkuadrohen në tregun e punës si rrjedhojë e kualifikimeve të pamjaftueshme që i posedojnë, mungesës shumëvjeçare nga tregu i punës, si dhe strukturës së moshës që shkakton që ato me vështirësi kyçen si kërkues aktiv në tregun e punës”, tregon analiza e Agjencisë së punës e para shtatë viteve.
Në ndërkohë, edhe për sivjet parashikimet nuk janë shumë optimiste se do të ulet dukshëm numri i punëtorëve të papunë që nuk posedojnë kualifikimet e nevojshme për tregun e punës.
“Sipas shkallës së arsimimit nga punësimet e pritshme për vitin 2019, 1435 do të jenë për personat me arsim të lartë, 1623 do të jenë për personat me arsim të përfunduar të mesëm dhe shkollë të lartë, 10.771 do të jenë për personat me arsim të mesëm të përfunduar dhe 4623 do të jenë për personat pa arsim të mesëm të përfunduar”, tregon analiza më e re e Agjencisë së Punësimit e bazuar në anketën me punëdhënësit lidhur me planet e tyre të punësimit për këtë vit.
Nga ana tjetër, ekspertët thonë se tregu i punës në shtet dallohet me shkallë të lartë të papunësisë të të rinjve dhe personave me kualifikime të ulëta, me aktivizimin të ulët të grave, papunësi të gjatë, mungesë e përgatitjes përkatëse profesionale, problemet me kalimin nga arsimi formal në punësimin formal disproporcionin midis përvojës së fituar arsimore dhe nevojave reale të tregut të punës, pranimit të punës së paparaqitur e kështu me radhë thotë ekspertja Svetllana Trbojeviq.
“Sfidat kryesore të tregut të punës tek ne janë rritja e ngadalshme ekonomike, niveli i ulët i krijimit të vendeve të punës, si dhe numri i vogël i investimeve së bashku me efikasitetit dhe efektivitetin e pamjaftueshëm të mundësive nga ana e institucioneve në tregun e punës si dhe mungesa e harmonizimit midis kërkesës dhe ofertës në tregun e punës së bashku me prezencën e ekonomisë informale”, shpjegon ajo.
Tejkalimi këtyre sfidave kërkon veprim të koordinuar dhe të harmonizuar të më shumë faktorëve nga fusha e politikës ekonomike dhe fiskale së bashku me politikat e zhvillimit të kompanive, arsimit, tregut të punës, institucioneve të tregut të punës si dhe organizatave joqeveritare. Ndër të tjerash, nevojitet edhe një përkrahje më e madhe për kompanitë e vogla që dominojnë ekonominë vendore si në aspektin e uljes së barrës administrative ashtu edhe lehtësimit të tyre ndaj kapitalit konstaton Trbojeviq. (koha.mk)