Fisnik PASHOLLI
Shkup, 10 shkurt – Familjet në Maqedoni shpenzojnë gati gjysmën e buxhetit mujor për ushqim, ndërsa konsumatorët në vendet e BE-së mjaftohen me vetëm me 15.6 për qind të buxhetit për të plotësuar nevojat e tyre të përditshme e të ushqyerit, shkruan gazeta KOHA.
Të dhënat statistikore tregojnë se 41 për qind e buxhetit mujor në Maqedoni ndahet për ushqim që është për dy herë e gjysmë më shumë se mesatarja e Bashkimit Evropian prej 15.6 për qind. Në vitin 2015, në Maqedoni janë harxhuar 37.6 për qind e shportës konsumatore për ushqim, 3.1 për qind për pije joalkoolike dhe 1.1 për qind për çaj, kafe dhe kakao. Nga ana tjetër, 28 shtetet e BE-së në mesatare kanë harxhuar 14.2 për qind për ushqim, 1.4 për qind për pije joalkoolike dhe 0.5 për qind për kafe, çaj dhe kakao. Me fjalë të tjera, krahasimi se për çfarë i shpenzojnë paratë qytetarët e Maqedonisë, por edhe të rajonit në krahasim me mesataren e BE-së, tregon se sa më i varfër është një vend, aq më shumë shpenzon popullsia e tij për t’u ushqyer.
Ekonomistët thonë se kapaciteti i ulët prodhues i shtetit dikton edhe paga më të ulëta te ne, ndërsa niveli më i lartë prodhues në shtetet evropiane sjell edhe paga më të larta. Gjithashtu edhe shpërndarja jo e barabartë e të ardhurave renditet ndër shkaqet kryesore të këtij disbalansi të madh të harxhimit për ushqim midis Maqedonisë dhe shteteve të zhvilluara evropiane.
“Fakti se aq shumë ndahet për ushqim tek ne, ndërsa sipas meje, bile edhe gjysma e buxhetit mujor harxhohet për ushqim. Nga ana tjetër, nëse flasim për shqiptarët në Maqedoni, e kjo përqindje ndoshta është edhe më e madhe si pjesë e buxhetit familjar, që tregon edhe nivelin më të madh të varfërisë së tyre. Gjithashtu këto shifra flasin qartë edhe për kapacitetin e ulët prodhues vendor që të mund të jetojmë si popujt me nivel më të lartë të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror”, thotë për KOHA profesori universitar, Sami Bislimi. Sipas tij, edhe dallimet e mëdha sociale në shoqërinë tonë, gjegjësisht shpërndarja jo e barabartë e të ardhurave që si fenomen thellohet gjithnjë e më shumë ku të varfrit varfërohen, ndërsa të pasurit pasurohen, ndikojnë në harxhimin kaq të madh në mesatare të amvisërive në vend për ushqim. Në ndërkohë, sa u përket shpenzimeve për ushqime dhe pije joalkoolike, raportin më të lartë të tyre e kanë Rumania dhe Serbia, me 29 për qind të totalit të gjithë shpenzimeve, ndërsa raportin më të ulët ndaj totalit të shpenzimeve, ndërmjet 9 dhe 10 për qind, e kanë Zvicra, Luksemburgu dhe Britania e Madhe. Pra, shtetet me Prodhim të lartë të Brendshëm Bruto, me ekonomi të zhvilluara dhe paga të larta, harxhojnë edhe më pak të holla për ushqim në raport me shtetet e Ballkanit perëndimor që ngecin ekonomikisht. Ndryshe, mirëqenien e ulët të qytetarëve të Maqedonisë e tregon edhe struktura e ushqimeve që më shpesh konsumohen në tryezat tona. Bukë, miell, patate, mish pule, jogurt, qumësht, speca, domatet dhe mollët janë artikujt më të shpeshtë ushqimor në tryezat e amvisërive në Maqedoni. Sipas publikimit të fundit të Entit të Statistikës, ”Konsumi i amvisërive në Maqedoni në vitin 2015”, amvisëritë në Maqedoni mesatarisht konsumojnë 268 kilogram bukë, 128 kilogram miell, 110 kilogram patate, 44.6 kg mish pule, 137.6 kg qumësht dhe 71 kg kos dhe jogurt. Nga ushqimet me kosto më të lirë harxhohen nga 27 kilogram makarona dhe oriz si dhe 22 kg grosh.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.