Me thirrjen e re publike që u shpall javën e kaluar në disponim të fermerëve do të jenë shtatë milionë euro. Më saktësisht, mbështetja financiare për këtë thirrje publike është gjithsej 5.028.568 euro, apo 75 për qind e mjeteve të siguruara nga programi IPARD dhe 25 për qind e mjeteve të siguruara nga buxheti i shtetit
Fisnkik PASHOLLI
Shkup, 4 gusht – Furnizimi me makineri e moderne bujqësore, pajisje për prodhim dhe përpunim me teknologjitë më të larta, ndërtimi apo zgjerimi i kapaciteteve prodhuese, si dhe mbështetje për turizmin dhe zhvillimin rural. Këto janë vetëm një pjesë e projekteve që mbështeten në kuadër të programit IPARD. Me thirrjen e re publike që u shpall javën e kaluar në disponim të fermerëve do të jenë shtatë milionë euro. Më saktësisht, mbështetja financiare për këtë thirrje publike është gjithsej 5.028.568 euro, apo 75 për qind e mjeteve të siguruara nga programi IPARD dhe 25 për qind e mjeteve të siguruara nga buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Së bashku me fondet e investimit nga përdoruesit, fondi total i investimit për këtë masë arrin në 10 milionë euro. Mjetet financiare me kërkesë individuale, jepen si mbështetje financiare e pakthyeshme (grant), në masën deri në 50 për qind të vlerës së totalit të kostove të pranueshme të investimeve. Afati i aplikimit për këtë masë nga programi IPARD është deri më 6 shtator 2022.
“Të gjithë aplikuesit e interesuar do të mund të aplikojnë me projekte për blerjen e makinerive dhe pajisjeve për prodhim dhe përpunim, si dhe projekte që parashikojnë instalimin, pra vendosjen e paneleve fotovoltaike për prodhimin e energjisë për nevojat e tyre. Përdorues të pranueshëm janë të gjithë personat juridikë që bëjnë pjesë në kategorinë e ndërmarrjeve mikro, të vogla ose të mesme”, thotë drejtori i Agjencisë Pagesore, Nikica Baçovski. Sipas tij, këto mjete kanë për qëllim mbështetjen e projekteve që parashikojnë investime në përpunimin dhe prodhimin e qumështit dhe produkteve të qumështit, mishit dhe produkteve të mishit, pemëve dhe perimeve, përpunimit të drithërave, prodhimit të produkteve të mullirit, produkte bimore dhe vajra, yndyrna shtazore si dhe prodhimin e verës.
Investimet e përgjithshme në bujqësinë e Maqedonisë me programin IPARD 3 arrijnë në 210 milionë euro. Përveç 97 milionë fondeve të pakthyeshme nga BE-ja, këtu përfshihet edhe bashkëfinancimi kombëtar në vlerën 31 milionë dhe 82 milionë euro të bashkë financuar nga përfituesit vendor të këtij programi. Në programin e ri parashikohen katër masa të reja agroekologjike, konkretisht për prodhimin organik, për grupet lokale të veprimit, për ndërtimin e objekteve të infrastrukturës dhe për shërbimet këshillimore. Masa e fundit që paralajmërohet është nga fusha e pylltarisë dhe do të aktivizohet për dy deri në tre vjet. Një nga risitë më të rëndësishme për prodhuesit është financimi paraprak.
Çdo përdorues që aplikon do të ketë mundësinë të marrë 30 deri në 50 për qind të fondeve të investuara menjëherë pas nënshkrimit të kontratës. Deri më tani, fermerët duhet fillimisht të realizonin të gjithë investimin dhe më pas Agjencia e Pagesave ju u paguante atyre të paktën 50 për qind të shpenzimeve. (koha.mk)