Ambicia e stërgjyshes gjermane, Lisen Heisen, për t’i hyrë politikës u kristalizua disa vjet para ditëlindjes së saj të njëqindtë, kur organizatorët e një dëgjimi publik ia ndalën mikrofonin gjatë një fjalimi. Heise, e cila u pensionua nga vendi saj i punës si mësuese në një shkollë të vendit rreth 40 vjet më parë, është duke argumentuar për rihapjen e një pishine.
“Kur e nisa, disa njerëz njëmend nuk kanë dashur që ta dëgjojnë thirrjen time – mandej ma ndalën edhe mikrofonin!”, tha ajo, akoma dukshëm e prekur shkaku i sjelljes së paturpshme. “Por tani, njerëz nga bota mbarë po vijnë që të flasin me mua. Kush po qeshet tani?”. Gjëja që ndryshoi qe zgjedhja e Heisenit, përkundër të gjitha çudirave, në Këshillin qytetar në Kirchhembolanden të Gjermanisë jugperëndimore, vetëm disa javë para se ajo t’i hynte shekullit të dytë të jetës, shkruan AP.
Nuk ishte aksident që pishina e lartësoi Heisenin, duke i pasur parasysh dy çështjet që ajo i kishte për zemër: të rinjtë dhe shëndetin publik. Këto shqetësime ishin në përputhje të plotë me një tjetër kauzë madhore: mbrojtjen klimatike. Heise, dukshëm energjike me gjithë moshën, pretendon të jetë frymëzuar prej lëvizjes rinore protestuese “Të premtat për të ardhmen”. “Fëmijët më dhanë përnjëmend frymëzim. Ekziston njëfarë tendence në skenën politike për ta favorizuar industrinë e veturave dhe kjo gjë ka prodhuar kundër-reagime”, ka thënë ajo.
“Është mahnitës fakti që të rinjtë nuk po zgjedhin që thjesht t’i presin të rriturit për të bërë ndonjë gjë”. Heise, e cila për çdo ditë del për të ecur në pjesën e vjetër të qytetit të Kirchheimbolandenit, me një popullatë prej 8 mijë banorësh, është pjesë e një grupi të rriturish që nuk pranojnë ta ulin pozitën e tyre në margjinat e jetës publike. Grupi i veprimit “Omas Gegen Rechts” (Gjyshet kundër së djathtës), i cili ngrihet në luftë kundër ekstremizmit, është themeluar në Austri më 2017 dhe që atëherë është zgjeruar edhe në Gjermani. Mban tubime të rregullta me gratë e moshuara, të cilat i përdorin mësimet e nxjerra prej historisë për t’u ngritur kundër racizmit.