Duke lexuar nëntekstin e ironisë, nxirret përfundimi se Albin Kurti s’mund të pranojë partneritet ku Gjyshi ia ngreh veshin Nipit…! Pra, s’mund të pranojë Albini që t’i rrijë “lepe” çka të thotë Amerika, por duhet Amerika të dëgjojë edhe çka thotë Kosova! Në parim do të duhej të ishte ashtu, sikur në gjeopolitikë të kishin të dy vendet të njëjtën peshë…
Nga Daut DAUTI
- Kush i ka përcjellë veprimet ose deklaratat e Kurtit, gjithnjë stili dhe ironia që del midis rreshtave të fjalëve të tij, i ngjajnë shumë periudhës “grenelliste”! Sugjerimeve të BE-së dhe SHBA-ve për ta prolonguar një masë teknike për 10 muaj(edhe pse dorën në zemër, më herët i kishin sugjeruar një a dy muaj!), ai u përgjigj me një prolongim të vogël faza-faza, por të pakënaqshme për partnerët ndërkombëtarë. Deklaratat pastaj se janë prishur ose jo marrëdhëniet, kanë qenë tejet konfuze me shumë ironi brenda. Shumëkujt i ka ikur një aluzion i Kurtit që flet shumë. Ai, i pyetur të martën e kaluar rreth prishjes së partneritetit me SHBA-të, bëri një distinksion, anise midis rreshtash, me shumë finesë ironike, ku indirekt u tha gazetarëve çfarë është ky partneritet si midis gjyshit dhe nipit!? Domethënë, Gjyshi-SHBA dhe Nipi-Kosova…Domethënë, po e lexoj nëntekstin e ironisë, s’mund të pranojë Albini dhe Kosova partneritet ku Gjyshi ia ngreh veshin Nipit…! Pra, s’mund të pranojë Albini që t’i rrijë “lepe” çka të thotë Amerika, por duhet Amerika të dëgjojë edhe çka thotë Kosova!
Në parim, dhe në kushte ideale, ashtu duhej të ishte: barazi midis partnerëve. Por, pesha e partnerëve në politikën botërore nuk mund të jetë e njëjtë. Në këtë kohë, Amerika nuk ka vetëm hallin e Kosovës, por duhet të balansojë midis vatrave të nxehta që nga Ukraina, Tajvani e gjer në Iran. Strategjia për ta shkëputur Serbinë nga përqafimi rus, është një nga këto prioritete (por dhe ndoshta lajthitje perëndimore, se populli ka thënë ujku nuk bëhet qingj). Është edhe interesi i Kosovës dëbimi i influencës ruse. Nëse për një çështje “teknike” të kërkon “Gjyshi”, edhe nuk është ndonjë flijesë e madhe, kur qëllimi është edhe më i madh, nuk është ndonjë flijesë e madhe, apo jo? Kosova nuk mund të luajë jashtë gjeopolitikës.
Serbët që kanë “përvojë” destruktiviteti më shumë se një shekull e gjysmë, dinë mirë të luajnë në gabimet e tjetrit, si në fushë futbolli kur portieri i Partizanit dikur e lëshoi në tokë topin dhe ngarendi futbollisti i Zvezdës dhe i dha gol! Kështu është Serbia dhe Serbisë topa të tillë nuk duhet dhënë dhe është brengosëse që ndryshe nga të gjitha qeveritë e deritashme, për herë të parë, dy qeveri amerikane tash duken se janë më tepër nga Serbia se Kosova!!! Më konstruktiv u duket Vuçiqi se dyshja Kurti-Osmani! Ironike do të ishte që për këtë të kenë ndikuar targat. Amerika merret me kërcënimet nukleare, e Kosova me targat si një problem madhor dhe kjo është shpërputhje që Kosovën e vënë në këtë kontekst të çuditshëm. Nuk mund të shtiresh sikur i ke të mira raportet me partnerët strategjikë, se dielli me shosh nuk mbulohet, kur dëshpërimin e shprehin vetë ata.
Mendoj se po dështon një filosofi e mëparashme e Kurtit që thoshte se partnerët strategjikë nuk duan vetëm qeveri që do të bëjë “amin”, por një qeverisje që di dhe t’u thotë jo, sepse kështu paskanë më tepër respekt. Në të vërtetë, deri tash, Kurti, edhe në opozitë, edhe tash në pushtet, si duket u përmbahet jo-ve dhe shihet rezultati: sa më shumë që humbin kohë në përfundimin e procesit të negocimit me Serbinë, aq më e rëndë bëhet barra për Kosovën.
Lidhur me gjithë këtë që po ndodh, e që ndoshta mund t’i japë shpjegim, mund të jetë një shprehje në trevën e Dërvenit që thotë “me shtrëngu daullin”. Ka kuptim metaforik për të krijuar një bazë të avancuar për të vepruar në ndonjë kontest. Pikërisht ekspoziviteti që krijuan serbët e instrumentalizuar nga Beogradi me largimin masiv nga institucionet(dorëheqja e deputetëve, largimi i gjykatësve, policëve…), është ai “shtrëngimi i daulles” së Vuçiqit në tryezën e bisedimeve me Kosovën. Kurse “shtrëngimi i daullit” nga Albin Kurti, të paktën ashtu dëgjova një mendim analisti, paska qenëçështja e targave, për të krijuar bazë më të mirë për bisedime!
Këto dy situata më duken tejet asimetrike për të pasur efektin e njëjtë. Sepse, është tejet banale të krijosh një situatë si kjo e targave(që dikush e quajti ulje të çështjes së përgjithshme me një çështje teknike, si një strategji të dështuar), në një situatë kur në tavolinë apo deri tash nën tavolinë, ke një plan (franko-gjerman), i cili është shumë afër reales për ta pranuar të dy palët. Do të ishte gjeniale që tërheqja e vendimit për targat, në një periudhë të ardhme, të ishte ai faktor që do ta sillte kthimin e serbëve në institucione, por kjo mund të ndodhë vetëm në ëndërr. Në aspektin taktik, më afër duket të jetë një shkas naiv që qeveria e Kurtit e krijoi për serbët e shfrytëzuan për të krijuar krizën më serioze deri tash. Ndoshta serbët nën dikatatin e Beogradit do të dilnin nga institucionet edhe pa këtë masë, por nga qëndrimet e ndërkombëtarëve dhe presionet ndaj Kosovës, sikur fajin më shumë e shohin në Prishtinë se në Beograd, dhe kjo është jo pak dëshpëruese dhe brengosëse.
- Pas përfundimit të turpshëm të ndeshjes Shkupi-Shkëndija, të mërkurën, takova një tifoz, pubertetli në moshë, dhe e pyeta se çka ndodhi. Shfercerat i rrahën futbollistët e Shkëndijës, më tha! I thashë shumë mirë paskan bërë, e paskan ndihmuar mjaft skuadrën, tash do ta humbë ndeshjen me 3:0! Dhe ai nuk e kishte gajle që mund të ndodhë kështu, ai ishte i bindur se “mirë ua kanë bërë”, sepse “kështu njësoj “ballistat” i kanë sulmu’ futbollistët e Shkupit në Tetovë! Bravo për logjikën. Thashë më parë, ishte në pubertet, 13-14 vjeç, ndër ata që u vlon gjaku kur shkojnë në stadium, rekrutë të përshtatshëm që këtë edukatë ta pjekin edhe kur t’i bëjnë 20 vjet e tutje.
Me thënë të drejtën, gjatë kohë kam menduar se “problematikët” e futbollit te ne janë “komitët” e Vardarit. Por ata përjetuan mallkimin e veprave të tyre, dhe ekipi i tyre nuk gjendet më në elitën e futbollit. Por nuk ishin lule për t’u marrë erë as “zarraxhinjtë” (“çkembarët”) e Pelisterit, sepse kur ndesheshin në stadiume, ndodhte dikush të përfundonte pa gisht! Por, prej para disa vitesh, kur një futbillist i Bashkimit u pre në thikë në stadiumin e Çairit, në listën e zezë hynë edhe tifozeria shkupjane, e pas përplasjeve midis këtyre dhe “ballistëve” të Shkëndijës, edhe këta të fundit! Logjika më e palogjikshme e kësaj urrejtjeje, që shpesh është edhe ndëretnike (“komitët” kaherë të “legjitimuar” si antishqiptarë), të shpeshtën rivalitet lokalpatriotik, ndoshta përmban shumë energji negative që lidhet me rrethanat shoqërore, por gjithsesi, mosmësimi i leksioneve, shpesh çon në përsëritjen e “veprave”, si ky rasti i fundit, që vjen pas një misioni pajtues që u krye para do kohe midis “shfercerave” dhe “ballistave”. Ky “tinejxjheri” që kishte përjetuar katarzisin nga sulmi i publikut ndaj futbollistëve mysafirë, ka nevojë të kalojë në ndonjë “purgator” riedukimi apo ndërgjegjësimi, sepse kohë më parë tifozeria përçoi mesazhe politike me fishkëllimin e himnit të Bullgarisë dhe FFM-ja u ndëshkua nga UEFA-ja, gjë që është edhe një dëshmi se për bëmat e tifozëve, faturën e paguajnë shtrenjtë ekipet e tyre të adhuruara!
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)