Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot e filloi seancën e 12-të, por që në fillim është dhënë pushim prej gjysmë ore në kërkesë të deputetit Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE-ja. Pushimi është kërkuar që të mundet, siç tha Milloshovski, të dakordohen deputetët nga shumica parlamentare për cilin prej dy ligjeve të parashtruara nga VMRO-DPMNE do të japin mbështetje.
Në vërejtje procedurale Milloshovski tha se si deputet të VMRO-DPMNE-së do t’i mbështesin ligjet për punëtorët e falimentuar për rritjen e pagës minimale dhe për heqjen e taksës radiodifuzive, por se kërkon të mbështetet të paktën njëri prej dy ligjeve që i parashtrojnë ata.
Në rend dite të seancës së sotme janë ligjet për rritjen e pagës minimale, për zgjidhjen e statusit të punëtorëve të falimentuar dhe për heqjen e takës radiodifuzive, të parashtruara nga shumica parlamentare. Si zgjidhje ligjore të parashtruara nga VMRO-DPMNE janë ligjet për rritjen e pagave për të punësuarit në administratën publike për pesë për qind dhe për lëshimin e bonove me vlerë – vauçerë.