Polemikat që ka krijuar incidenti mes tenistes amerikane Serena Williams dhe gjyqtarit të finales së US Open (Carlos Ramos) vijojnë ende edhe pse kanë kaluar 10 ditë nga kjo ngjarje. Shefi i gjyqtarëve, Bob Christianson, ka konfirmuar se akuzat e tenistes amerikane janë të rënda, aq sa gjyqtarët kryesorë janë gati të bojkotojnë ndeshjet e ish-numrit 1 në botë. Për këtë arsye, ata pretendojnë nga tenistja amerikane që të kërkojë faljë si për akuzat e bëra ashtu dhe për sjelljen e saj gjatë finales.
“Kjo është sjellja më e rëndë e një tenisti që unë kam parë në 40 vite karrierë në botën e tenisit. Po presim prej ditësh që tenistja të kërkojë ndjesë ndaj gjyqtarit Ramos apo ndaj kolegjit tonë në përgjithësi. Dhe nëse kjo gjë nuk do ët ndodhë, atëherë ne mund të bojkotojmë ndeshjet e saj të ardhshme. Ne jemi të shqetësuar për atë që ndodhi me gjyqtarin Ramos, pasi mund të ndodhë edhe me të tjerët. Unë do të mbroj të drejtat e tij dhe gjyqtarëve, duke qenë se nuk mund të flasim me mediat”, tha Christianson.