Delvina KËRLUKU
Osman Kadriu është i lindur në fshatin Aranjell të Kërçovës. Rrjedh nga një familje patriotike, punëtore, arsimdashëse, fisnike dhe e ndershme. Në vendlindje e kryen shkollën fillore, kurse atë të mesëm në Beograd. Pas kryerjes të shkollimit të mesëm, Osmani tregon afinitet të veçantë për studimin e shkencave juridike. Regjistrohet në Fakultetin Juridik të Beogradit. Diplomon në vitin 1973. Profesor Kadriu nuk do të kënaqet që të ngelet vetëm me nivelin e lartë arsimor. Përkundrazi, pas diplomimit ai do t’i vazhdojë studimet pasuniversitare në të njëjtin Fakultet – respektivisht në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit. Në Universitetin e Beogradit e fiton edhe titullin e parë shkencor – magjistër i shkencave juridike. Me fitimin e titullit të parë shkencor – magjistër, profesori i vazhdon edhe studimet e mëtutjeshme, konkretisht studimet e doktoraturës. Në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit me sukses e mbron edhe tezën e doktoraturës. Pas diplomimit në Fakultetin Juridik në Beograd, profesori Osman Kadriu kthehet në vendlindje dhe inkuadrohet në ish Gjykatën Komunale të Kërçovës. Pas dhënies së provimit të jurisprudencës, Osman Kadriu, në vitin 1976, do të emërohet edhe gjyqtari i parë shqiptar në Gjykatën Komunale të Kërçovës, ku do të punojë për 10 vite. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe ndryshimit të sistemit politik, profesori Osman Kadriu emërohet profesor në Fakultetin Pedagogjik të Shkupit. Në të njëjtën kohë ushtron edhe detyrën profesor në Universitetin Shtetëror të Tetovës. edhe atë në periudhën para legalizimit dhe pas legalizimit të tij. Në Fakultetin Juridik të USHT-së, pas legalizimit, emërohet dekan i parë. Prej funksioneve me rëndësi të përmendet është edhe funksioni të cilin e ushtron në Këshillin Gjyqësor të Maqedonisë. Këtë funksion e ushtron në periudhën 1994 – 2000. Prej vitit 2007 profesor Osman Kadriu është profesor në Universitetin FON në Shkup, në të cilin institucion të lartë shkencoro-arsimor e ushtron edhe detyrën Prorektor i Universitetit. Deri tani ka botuar 5 libra universitarë dhe ka publikuar mbi 100 njësi bibliografike në gjuhën shqipe, maqedonase, serbe dhe angleze.
KOHA: Profesor Kadriu, jeni ndër më të zëshmit në opinionin e Maqedonisë kundër ndarjes së drejtësisë në Maqedoni. Mund të na thoni me disa fjalë se çfarë po ndodhë me gjyqësorin në vend?
KADRIU: Është evidente se opinioni im ka qenë i qartë për çështjen e gjyqësorit dhe për ushtrimin e kompetencës së tij. Kjo aq më tepër kur dihet se jam pishtar i pushtetit gjyqësor edhe karriera ime ka filluar me ushtrimin e postit gjykatës në Gjykatën komunale të Kërçovës. Është e rëndësishme të theksohet se konform Kushtetutës aktuale të Republikës së Maqedonisë, një prej vlerave bazike të rendit kushtetues është edhe ndarja e pushtetit në atë legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Këto vlera janë të sanksionuara me dispozitat e nenit 8 të Kushtetutës të miratuar në vitin 1991. Sipas këtij parimi kushtetues, garantohet pavarësia e pushtetit gjyqësor. Mjerisht kjo në praktikë nuk ndodh. Gjyqësori në Maqedoni është tejet i varur nga dy pushtetet tjerë, në veçanti nga ai ekzekutivi.
KOHA: Të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare dhe sektorit joqeveritar në Maqedoni tregojnë për një gjyqësor të politizuar skajshmërish. Cili, sipas jush, është ilaçi që do të “shëronte” drejtësinë e politizuar dhe selektive?
KADRIU: Se çka faktikisht ndodh me gjyqësorin në Maqedoni, kjo mund të konstatohet nga ushtrimi i kompetencës së gjyqësorit dhe në zbërthimin e çështjeve konkrete, të lëndëve konkrete qofshin ato nga lëmi penalo-juridike ose civilo-juridike, krejt kjo që është në kompetencë të gjyqësorit e cila kompetencë, si çdo shtet tjetër po ashtu edhe në Republikën e Maqedonisë përcaktohet, vërtetohet dhe sanksionohet me kushtetutën e vendit dhe me tërë pakon e ligjeve nga lëmi i jurisprudencës, me theks të veçantë kompetenca e cila përcaktohet me dispozitat e Ligjit mbi gjykatat dhe natyrisht me plotësimet dhe ndryshimet e ligjeve nga kjo lëmi. Kur analizohet kompetenca e gjykatës dhe analizohen gjykimet konkrete, zbërthimi i çështjeve konkrete, në veçanti në lëmin penalo-juridike opinioni është i njohur dhe me vëmendje e përcjell epilogun juridik në gjyqësor. Vërehet se për raste konkrete gjyqësori ka qasje selektive. Zbaton drejtësi selektive. Për shumë lëndë në veçanti nga lëmi penalo-juridik vërehet se tërë procedura ka qenë e montuar, siç janë të montuara edhe gjykimet. Flasim për procese të montuara politike, në të cilat procese nga gjykatat penale shqiptohen edhe dënime të larta drakonike. Për shumë çështje gjyqësori, natyrisht nën influencën, ndikimin dhe trysninë e pushtetit gjyqësori penal, bën obstruksione dhe fare nuk i ndriçon, nuk i zbërthen rastet penalo-juridike. Kjo në veçanti ndodh kur ekzistojnë dyshime të arsyeshme në ushtrimin, në kryerjen e veprave të rënda penale dhe në ato vepra janë të përfshirë funksionarë të lartë. Në veçanti, bie fjala, për krime të rënda, kriminalitet të organizuar, korrupsion. Kjo më së miri vërehet në obstruksionet që bën në kohën e fundit, konkretisht dy vitet e fundit, gjyqësori penalo-juridik i Shkupit (Gjykata themelore Shkupi 1 në Shkup dhe Gjykata e apelit) për lëndët penalo-juridike të iniciuara nga Prokuroria speciale. Për këtë çështje faktori ndërkombëtarë shfaq kritika të ashpra, natyrisht edhe të arsyeshme. Këto dukuri në veçanti janë të theksuara gati në të gjitha raportet e përgatitura nga Komisioni Evropian për situatën në Maqedoni, raporte të cilat i dedikohen Raportit – Progres për Maqedoninë. Ato janë kaptinat e njohura 22, 23 dhe 24 të Raportit – Progres, i përgatitur nga Komisioni i Bashkësisë Evropiane dhe në intervale kohore të caktuara brenda çdo viti kalendarik. Duke marrë parasysh këto dukuri, konkluzioni është i qartë. Gjyqësori në Maqedoni dhe mjerisht një numër i theksuar i gjykatësve dhe prokurorëve janë të politizuar dhe vendosin sipas “kërkesave” të pushtetit e jo sipas të drejtës pozitive dhe të drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk guxon të ndodh. Nevojiten reforma radikale. Në çdo vend, në çdo shtet, po ashtu edhe në Republikën e Maqedonisë, gjyqësori është komponentë e rëndësishme e aparatit shtetëror. Para pushtetit gjyqësor qytetarët i realizojnë të drejtat dhe liritë e tyre në të gjitha rastet kur ata cenohen nga subjekte tjerë, nga persona fizik, persona juridik, duke përfshirë edhe institucionet edhe organet e shtetit kur ato i cenojnë liritë dhe të drejtat e qytetarit në forma të ndryshme.
KOHA: Një kohë të gjatë keni punuar në Gjykatën Themelore të Kërçovës. Çfarë mësimesh keni nxjerrë nga koha që keni kaluar në këtë gjykatë?
KADRIU: Theksova në fillim se pas përfundimeve të studimeve universitare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit, vendosa të kthehem në vendlindje. Të ndihmoj vendlindjen, me që në atë kohë dhe në atë botë mungonin kuadrat e arsimuar në çdo lëmi, e në veçanti edhe në lëmin e drejtësisë. Dy personalitete në veçanti në këtë drejtim më kanë frymëzuar. Këta kanë qenë profesori Hasan Kaleshi, një shkencëtar i dalluar në trevat shqiptare dhe personalitet publik, atdhetar, dhe veprimtar i theksuar për të drejtat e shqiptarëve dhe për kauzën shqiptare, magjistër Abedin Zenku. Të dy këta personalitete kanë qenë nga Kërçova. Inkuadrimi në Gjykatën e Kërçovës ka qenë preokupim që të fillojë në gjyqësor dhe dituritë e fituara teorike t’i zbatoj në praktikë. Mbase edhe profesorët e fakultetit gjithmonë u preferonin juristëve të rinj që fillimin e inkuadrimit ta ushtrojnë në organet e jurisprudencës. Me plot të drejtë thuhej se për juristin e ri organet e jurisprudencës janë laboratori. Kjo me të vërtetë është e saktë. Kam diplomuar në vitin 1973, kurse në ish Gjykatën komunale të Kërçovës u inkuadrova në vitin 1974, në fillim praktikant, pas dhënies të provimit të jurisprudencës bashkëpunëtor profesional dhe në vitin 1976 gjyqtar. Kam qenë gjyqtari i parë shqiptarë i inkuadruar në Gjykatën e Kërçovës. Përvoja në lëmin e jurisprudencës në Kërçovë është gati 10-vjeçare. Si e kuptova ushtrimin e postit gjyqtar? E kuptova ashtu siç na kanë mësuar profesorët, ashtu sikurse kemi qenë të edukuar dhe të frymëzuar. Kjo do të thotë që gjyqtari të jetë i aftë, të jetë jurist i dalluar. Gjyqtari të jetë i pavarur. Gjyqtari të jetë i paanshëm. Gjyqtari ta zbaton të drejtën. Qytetarët kanë pasur besim te pushteti gjyqësor. Ky besim në veçanti ka qenë i theksuar, të them të drejtën, në atë periudhën e regjimit dhe zbatimit të “së drejtës socialiste”. Besimi ndaj gjyqësorit do të ekziston gjithmonë dhe vetë atëherë kur qytetari, si palë para gjyqësorit do të ngel i kënaqur nga gjykimi i gjyqësorit, i kolegjit gjyqësor i gjykatësit individ, në ato raste kur gjykatësi individ ushtron kompetencën e tij në zbërthimin e lëndëve në kompetencë të gjyqësorit. Kjo duhet të arrihet. Kjo më tutje do të thotë që çdo palë, çdo qytetarë edhe në rastet kur nuk është i kënaqur me vendimet e gjyqësorit, qytetari do të ketë respekt ndaj gjykatësit në qoftë se bindet se gjyqtari e ka zbatuar ligjin, se gjyqtari ka vendosur në bazë të ligjit dhe parimeve që i parashikon rregullativa pozitive – drejtësia dhe drejtshmëria. Është evidente, është normale se në çdo proces gjyqësor njëra prej palëve do të ngelë e pakënaqur nga vendimi. Në shumë raste bile – bile edhe të dy palët nuk do të jenë të kënaqura nga vendimi i gjyqësorit. Prandaj, edhe rregullativa pozitive e Republikës së Maqedonisë parashikon të drejtën e ushtrimit të mjeteve juridike, qofshin ato të rregullta ose të jashtëzakonshme. Pakënaqësia ndaj vendimeve konkret që është e drejtë legjitime e çdo qytetari, nuk do të jetë edhe pakënaqësi ndaj gjyqësorit. Përsëris kjo do të ndodhë atëherë dhe vetëm atëherë kur palët kanë besim te gjyqësori se ai ka vepruar konform parimeve të përmendura. Kjo e drejtë për qytetarët buron, përveç nga parimet e rregullativës pozitive të çdo shteti, edhe nga parimet e akteve ndërkombëtarë me relevancë të veçantë. Një prej tyre, le të përmendet edhe në këtë rast, është Deklarata universale për të drejtat e njeriut, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, viti 1948. Në këtë dokument si dhe në Paktin mbi të drejtat politike dhe civile, e miratuar nga i njëjti organ, në vitin 1966, tekstualisht theksohet dhe vërtetohet se çdo qytetar ka të drejtë që çështja e tij, problemi i tij të zbërthehet përpara një gjykate e cila është kompetente, e paanshme dhe e pavarur. Në përputhshmëri me këto parime, duhet të veprojë çdo gjyqësor, pa marrë parasysh rregullimin e brendshëm shtetëror dhe shoqëror të shtetit. Konform këtyre parimeve duhet të vepron edhe gjyqësori në Maqedoni. Në këtë intervistë më vjen rëndë të flas në veten e parë për mua si gjykatës në Gjykatën themelore. Por, një rrethanë po e përmend. Gjykata komunale në kohën e inkuadrimit edhe emërimit si gjyqtar, pra mendohet për vitin 1976, numëronte gjithsej 5 ushtrues, bartës të gjyqësorit prej të cilëve njëri ishte kryetari i Gjykatës. Shpeshherë ndodhte që palët për lëndë konkrete të kërkojnë përjashtim të ndonjë gjykatësi që ai të mos merr pjesë në zbërthimin e çështjes. Dhe siç është e njohur, kur pala kërkon përjashtim të gjykatësit konkret, kryetari i gjykatës duhet të sjellë vendim. Në raste konkrete palët, qytetarët, i drejtoheshin kryetarit të gjykatës me kërkesë për përjashtimin e gjykatësit konkret dhe te e njëjta kërkesë i bënin lutje kryetarit me mundësi që lënda t’i jepet në shqyrtim gjykatësit Osman Kadriu, pra mua.
KOHA: Të flasim pak për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e drejtësisë. Së fundmi, kriteret e Akademisë për gjykatës dhe prokurorë janë të paarritshme për juristët e rinj shqiptarë. Jeni ndër ata që kërkuat zbutjen e kritereve. Mendoni se, kriteret e larta janë të qëllimshme, vetëm e vetëm që shqiptarët të mos e arrijnë kuotën e përfaqësimit?
KADRIU: Çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e drejtësisë gjithmonë ka qenë aktuale. Aktuale është edhe tash. Në Kushtetutën e Maqedonisë është sanksionuar një dispozitë tejet e rëndësishme, e cila është shndërruar në vlerë themelore të rendit kushtetues të Maqedonisë. Kjo dispozitë është sanksionuar në nenin 8 të Kushtetutës aktuale. Për çështjen e përfaqësimit të shqiptarëve në gjyqësor kam shumë materiale, shumë të dhëna dhe natyrisht shumë njohuri. Edhe këtu përqendrohem në veçanti në një risi. Konform Kushtetutës së vitit 1991 për pushtetin gjyqësor parashikohet themelimi i një organi mjaft i rëndësishëm. Fjala është për Këshillin gjyqësor të Maqedonisë. Isha i privilegjuar që të jem anëtar, gjykatës në Këshillin gjyqësor të Maqedonisë. Është fjala për përbërjen e parë të Këshillit gjyqësor të Maqedonisë, me mandat 6-vjeçar, në periudhën 1994 – 2001. Këshilli gjyqësor në përbërjen e parë, përveç kompetencave konform Kushtetutës, kishte një obligim kushtetues që të bëjë konstituimin e pushtetit gjyqësor konform kushtetutës aktuale. Këshillin gjyqësor e rrumbullakosi pushteti gjyqësor me zgjedhjen gjenerale të gjyqtarëve për të gjitha instancat e pushtetit gjyqësor dhe atë për 27 gjykata themelore, 3 gjykata të apelit (Shkup, Manastir dhe Shtip), për zgjedhjen e gjyqtarëve në Gjykatën supreme si dhe 2 gjyqtarë për gjykatën kushtetuese. Zgjedhja gjenerale ndodhi në vitin 1996. Prej kandidatëve të paraqitur, ndërsa numri ishte mbi 2000 kandidatë, që u zgjodhën 650 gjyqtarë. Këshilli gjyqësor në përbërjen e parë numëronte 7 anëtarë prej të cilëve vetëm unë isha shqiptar. Kishim problem serioz që në konstituimin e pushtetit gjyqësor të respektohet parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Unë si anëtar i Këshillit gjyqësor, së bashku me grupin parlamentar të asaj periudhe, kishim aktivitet të dendur që të sigurojmë, të gjejmë kandidatë shqiptar për ushtrimin e postit gjykatës në të gjitha instancat e pushtetit gjyqësor. Duke marrë parasysh kushtet që i sanksionon ligji për postin gjykatës dhe prokuror, dhe ato janë 4: jurist i diplomuar, provim i jurisprudencës, përvojë e duhur konform instancës gjyqësore dhe shtetësia e Maqedonisë. Në kuadër të këtyre kushteve, të flasim realitetin në fillim edhe nuk kishim kandidatë në numër të mjaftueshëm. Unë personalisht edhe me funksionarët tjerë dhe aktivistë të dalluar si dhe me deputetë shqiptarë dhe me ministrat shqiptarë kemi shkuar në çdo komunë dhe me “fenerë” kemi kërkuar kandidatë shqiptarë. Filloi përfaqësimi natyrisht joadekuat në instancat gjyqësore të gjyqësorit. Me kalimin e kohës, natyrisht ky numër është dukshëm në përmirësim. Natyrisht, përfaqësimi adekuat dhe i drejtë, sidomos në disa instanca gjyqësore dhe në prokurori akoma nuk është zbatuar konform përcaktimeve kushtetuese. Në këtë drejtim do të theksoj edhe tash, e kam përmendur në shumë takime dhe tryeza të rrumbullakëta çështjen e regrutimit të kudrave për pushtetin gjyqësor nëpërmjet Akademisë për trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky organ është themeluar konform ligjit të miratuar para disa viteve dhe tash përveç kushteve që përmenda për zgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, parashikohet që kandidatët të jenë pajisur më një praktikë trajnimi në këtë Akademi. Duke marrë parasysh se regjistrimi në këtë Akademi parashikon kritere të ashpra, jam i mendimit se në këtë mënyrë nuk do të kemi kandidatë të mjaftueshëm shqiptarë. Me këtë do të vjen në pyetje moszbatimi i parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Ky është një problem që duhet të zbërthehet në mënyrë institucionale dhe për këtë problem në veçanti duhet të angazhohen partitë politike, Ministria e drejtësisë si dhe Këshilli gjyqësor dhe Këshilli i prokurorëve. Jam i mendimit dhe këtë tezë e mbroj me fakte dhe akte që pushtetit gjyqësor nuk i nevojitet ekzistimi i Akademisë. Ligji për Akademinë duhet të abrogohet dhe me atë të abrogohet edhe vetë Akademia. Kushtet të sanksionuara me rregullativën pozitive për postin gjyqtarë vizavi prokurorë janë të mjaftueshëm për të siguruar kandidatë, që në ushtrimin e këtyre posteve do të jenë të suksesshëm në detyrat e kompetencës.
KOHA: Përveç politikës, a mendoni se edhe punonjësit shqiptarë në gjyqësor – gjykatësit dhe prokurorët shqiptarë janë fajtorë për gjykimet e padrejta ndaj shqiptarëve. Kemi parasysh këtu rastin e Sopotit, rastin Monstra, dhjetëra dënimet me burgim të përjetshëm ndaj shqiptarëve, ndërsa asnjë zyrtar shqiptar në gjyqësor nuk e ngriti zërin?
KADRIU: Në periudhën e tranzicionit 25-vjeçare, duke llogaritur nga pavarësia e Maqedonisë, viti 1991, është evidente se në Maqedoni ka pasur procese të montuara politike. Në ato procese, pjesa dërmuese e të akuzuarve kanë qenë shqiptarë, siç është rasti me Sopotin, Monstrën, Brodecin, edhe shumë procese të tjera. Me siguri edhe rasti i Kumanovës do të përfundojë me shpalljen e të akuzuarve fajtorë për veprat e kualifikuara nga prokuroria shtetërore që ka të bëjë me terrorizmin, organizatat terroriste dhe kështu me radhë. Gjithmonë kam qenë i mendimit, atë opinion e përfaqësoj edhe tash, se bartësit e pushtetit gjyqësor dhe prokurorët të cilët kanë qenë të përfshirë në kolegjet penale për proceset e montuara kanë përgjegjësi, pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Përgjegjësia e gjyqtarëve dhe prokurorëve në proceset e montuara gjyqësore është përgjegjësi subjektive. Përgjegjësi ka edhe shteti. Përgjegjësia e shtetit është përgjegjësi objektive. Në çdo shtet, në çdo sistem juridik, shteti përgjigjet për dënim, i cili shkaktohet nga organet e shtetit. Për inicimin e procedurës, përgjegjësi ka edhe subjekti politik shqiptar.
KOHA: Keni lindur dhe jeni rritur në Kërçovë, ndërsa jetoni në Shkup. Çfarë do të thotë Uskana për ju?
KADRIU: Jam kërçovar. Kam lindur në fshatin Aranjell. Theksova se pas përfundimit të studimeve në Beograd, u ktheva në Kërçovë me të vetmin qëllim që t’u ndihmoj qytetarëve, t’i ndihmoj Kërçovës. Ndihma ka qenë konkrete dhe në çdo lëmi të marrëdhënieve shoqërore. Për t’i ndihmuar Kërçovës dhe kërçovarëve, m’u mundësua në bazë të ushtrimit të posteve dhe funksioneve të rëndësishëm në nivel të pushtetit vendor. Veçoj edhe postin kryetar i Lidhjes socialiste LSPP. Dhashë kontribut të konsiderueshëm në zhvillimin e kulturës në përgjithësi dhe të kulturës shqiptare në veçanti. Për këtë mund dhe për rezultate të duhura nga pushteti i atëhershëm edhe jam sanksionuar. Me dridhjet e fundit politike që ushtroheshin kundër popullatës shqiptare në vitet 1988 – 1989 do të diferencohem ideo-politikisht. Përjashtohem nga partia dhe përjashtohem nga funksioni nënkryetar i Këshillit ekzekutiv.
KOHA: Kërçova deri në kohën e sundimit osman, në strukturën e saj shoqërore-ekonomike ka pasur më tepër shqiptarë në shpërndarje më të gjerë gjeografike se sa sot. Çfarë po e shkakton largimin e kërçovarëve nga vendlindja e tyre?
KADRIU: Numri i shqiptarëve në Kërçovë gjithmonë ka qenë shumicë në krahasim me etnikumet e tjera. Por, në regjistrimet e ushtruar në periudhën socialiste, me falsifikime dhe me të dhëna jo të sakta, numri i saktë i shqiptarëve nuk vërtetohej. Me shpërbërjen e ish federatës dhe me pavarësinë e Maqedonisë, konform Kushtetutës aktuale, janë krijuar kushte optimale që në regjistrimin e popullatës të vërtetohet numri i saktë i shqiptarëve në Kërçovë. Mjerisht, për çështje politike, në vitet e kaluar nuk u organizua regjistrimi i popullatës. Ajo çka është dukuri tejet e rëndë për popullin shqiptar, jo vetëm në Kërçovë, por në tërë Republikën, është largimi i shqiptarëve nga vendlindja e tyre. Shumë faktorë ndikojnë në largimin e shqiptarëve. Prej faktorëve në veçanti veçohet papunësia e qytetarëve. Situata është e mjerueshme, sidomos për kuadrot e rinj. Kemi shumë të rinj shqiptarë dhe jo vetëm shqiptarë, të cilët pas diplomimit në fakultetet përkatëse presin punësim por mjerisht inkuadrim nuk ka. Janë të detyruar të largohen nga vendi dhe të sigurojnë kafshatën e bukës në shtetet e perëndimit duke ushtruar punë të rënda fizike. Politika shtetërore është përgjegjëse për mos sigurimin e vendeve të punës dhe për angazhimin e personave që presin punësim në punë konkrete.
KOHA: Keni ushtruar shumë profesione, por si profesor ç‘mund të na thoni, a është rinia jonë e gatshme t’i përballojë e shmang problemet e shtetit. Dhe ku qëndron niveli i studentëve dhe arsimi shqip në Maqedoni?
KADRIU: Në periudhën e fundit jam vetëm profesor universitar. Kam qenë i angazhuar në më shumë universitete. Jam edhe tash. Për moment jam në marrëdhënie pune në Universitetin privat FON në Shkup, me studime të disperzuara në Gostivar, Strumicë dhe Strugë. Jam i angazhuar edhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës – Fakultetin juridik. Përsëris se në Republikën e Maqedonisë prej vitit në vit gjithmonë është në rritje numri i studentëve të diplomuar. Si në çdo shtet, edhe në Republikën e Maqedonisë rinia ka kapacitet dhe është e gatshme t’i përballojë problemet e shtetit. Siç na mëson historia juridike dhe politike e shtetit, studentët dhe rinia në përgjithësi gjithmonë ka qenë avangarda në zbërthimin e problemeve shtetërore. Jam i mendimit se edhe rinia e tashme do të duhet patjetër të tregojë një aktivitet të dendur, të koordinuar dhe të jep kontribut në përballimin e krizave që e kanë kapluar vendin (kriza juridike, politike, ekonomike dhe morale). Kjo, aq më tepër, kur dihet se tash kemi një numër të konsiderueshëm të pjesëtarëve të popullit shqiptar që janë të arsimuar. Arsimi dhe arsimimi janë kapitali më i shtrenjtë i çdo vendi, i çdo shteti. Sa i përket nivelit të arsimit shqip në Maqedoni, ai në parim është i harmonizuar me nivelin e përgjithshëm shtetëror të studimeve, të arsimit dhe të arsimimit. Duke marrë parasysh prerogativat objektive jam i mendimit se niveli i arsimit është akoma i ulët. Nuk është në nivelin e duhur cilësor. Nevojiten reforma radikale edhe në lëmin e arsimit dhe arsimimit.
KOHA: Jeni kontribuues i devotshëm edhe në shkencë. Keni botuar disa libra…, jeni një ndër ata që nuk e përfillni palëvizshmërinë. Kur do të jetë gati profesor Osmani për pensionim?
KADRIU: Mbi 20 vjet merrem me shkencë. Kam qenë ligjërues në shumë fakultete të Maqedonisë në gjuhën shqipe dhe në gjuhën maqedonase. Si ligjërues, jam edhe tash edhe në disa universitete të Kosovës. Deri tani kam botuar 5 libra universitar nga lëmi civilo-juridike, kushtetueso-juridike dhe nga lëmi e marrëdhënieve të punës. Përveç librave kam botuar mbi 100 artikuj shkencor (njësi bibliografike), të botuara në revista të njohura të vendit dhe jashtë vendit në gjuhën shqipe, maqedonishte, serbe dhe anglishte. Sa i përket çështjes të pensionimit, nga fundi i vitit kalendarik 2016 do t’i plotësoj kushtet për të fituar këtë të drejtë ligjore. Por, siç zhvillohen aktivitetet, Universiteti FON mendoj se përsëri do të ketë nevojë për angazhimin tim. Kuadri shqiptar, në kuptimin e kuadrit që i plotëson kushtet konform Ligjit për arsimin sipëror, është akoma i pamjaftueshëm. E kam për obligim që t’i ndihmoj procesit arsimor në gjuhën shqipe dhe të rekrutojmë kuadër për lëmi konkrete.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.