Gjykimi për “Toplik”, ku i dyshuari i parë është ish-ministri për Transport dhe Lidhje, Mile Janakieski për shitjen e tokës ndërtimore për ndërtimin e kompleksit “Qyteti i diellit” në Sopishtë vazhdon më 21 shtator. Procesi është në procedurë të dëshmive dhe është paraparë që të merren në pyetje pesë dëshmitarë, të propozuar nga prokuroria. Kryetari i këshillit gjyqësor Osman Shabani, informon se tre dëshmitarë, të cilët nuk ishin të pranishëm në seancën e sotme, të sillen me polici, ndërsa për dy të dërgohen thirrje. Në seancën e sotme në Gjykatën Penale në Shkup ishin marrë në pyetje dy dëshmitarë të cilët ishin të punësuar në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe ishin pjesë e Komisionit për ankand publik. Në pyetjet e prokurorit të PSP-së Burim Rustemi, dëshmitarët në dëshmitë e tyre sqaruan se ishin pjesë e Komisionit, por pasi që në mbledhje ishte shqyrtuar ishte konfirmuar se dokumentacioni ishte i pakompletuar, komisioni kishte sjellë vendim që të mos publikohet në ankand publik, ndërsa ata kanë kërkuar që të largohen nga Komisioni.
Dy dëshmitarët, thanë se nuk e dinë se si kishte vazhduar më tutje procedura, sepse, siç thanë më nuk kishin marrë pjesë në punën e Komisionit. Njëri dëshmitar në dëshminë e tij tha, se nuk kishte marrë vërtetim me shkrim se është larguar nga Komisioni, por se më tutje nuk kishte marrë pjesë në punën e tij, dhe nga mediat e kishte kuptuar se Ministria kishte realizuar shpallje për ankand publik. Dëshmitari i dytë në dëshminë e tij, sqaroi se pas mbledhjes në të cilën ishte prezantuar prezantimi grafik për përfshirjen në parcelat kadastrale të “Qytetit të diellit” dhe ishte sjellë vendim që të mos publikohet për ankand publik për shkak të dokumentacionit të pakompletuar, ajo kishte kërkuar përjashtim nga Komisioni. Sqaroi se nuk kishte kurrfarë presioni për shpalljen si dhe edhe më tutje nuk kishin marrë pjesë në punën e Komisionit. Sipas aktakuzës së PSP-së, i dyshuari i parë Janakieski, si person udhëheqës në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, në kundërshtim me Ligjin për furnizime publike, ka formuar Komision për oferta publike të cilin e urdhëroi të zgjedhë ofrues për blerje dhe disponim me tokat shtetërore për ndërtimin e kompleksit elit “Qyteti i Diellit” në Sopishtë, edhe pse firma nuk i ka plotësuar kushtet për atë. Nga dëshmitë, sipas PSP-së, del se për shkak të shfuqizimit së marrëveshjes me fajin e Ministrisë, ky organ shtetëror është obliguar personit juridik të “San siti” t’i paguajë borxh dhe kamatëvonesë në vlerë prej një milion euro.