Shkup, 10 prill – Gjykimi i të akuzuarve për tentimin për vrasjen e deputetit Ziadin Sela, që ndodhi më 27 prill të vitit të kaluar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë do të vazhdojë më 16 prill.
Në seancën e sotme, që zgjati gjashtë orë u morën në pyetje tre dëshmitarë, kryetari i Kuvendit të RM-së, Talat Xhaferi, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski dhe deputeti i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski.
Pas përfundimit të seancës Kiracovski në një deklaratë për mediumet tha se 27 prilli do të mbetet si datë e zezë në historinë më të re të Maqedonisë, datë në të cilën u minua rendi kushtetues, u sulmuan dhe lënduan deputetë, gazetarë dhe të punësuar në Kuvend.
“Sot dhashë dëshmi në Gjykatën penale si dëshmitar për rastin e sulmit ndaj deputetit Ziadin Sela dhe shpresoj se me të njëjtën do të ndihmoj që drejtësia t’i prek të gjithë të cilët kanë gabuar në atë ngjarje”, tha Kiracovski.
Shtoi se Republika e Maqedonisë prej moti është shtet juridik dhe të gjithë ata të cilët kanë qenë porositës, kryes apo ndihmues të ngjarjes së pakëndshme duhet të përgjigjen në pajtim me rregullat ligjore.
Kiracovski theksoi se një pjesë e mirë e të akuzuarve të cilët ishin të pranishëm në sallën e gjykatës sot i ka njohur dhe siç tha kanë kryer veprime të cilët kanë shkuar në dëm të shëndetit të atyre që kanë qenë të pranishëm në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar.
Në seancën e ardhshme pritet të dëshmojnë tre dëshmitarë, mes të cilëve edhe deputeti i LSDM-së, Muhamed Zekiri.