Shkup, 18 tetor – Gjykimi për procedurën për zgjedhje të kompanisë për ndërtim të autostradave Milladinovci – Shtip dhe Kërçovë – Ohër, “Trajektorja” vazhdon më 13 nëntor.
Rastin e udhëheqë gjykatësi Goran Boshevski, ndërsa përfaqësuese e aktakuzës është Lile Stefanova.
Në seancën e sotme deklaratë dha eksperti, i cili iu përgjigj pyetjeve të mbrojtjes për ekspertizën e tij të përpunuar në vitin 2016 për autostradën Kërçovë – Ohër, me kërkesë të prokurorisë.
Pjesa më e madhe e pyetjeve të parashtruara nga i akuzuari Mile Janakieski ishin për mënyrën dhe të dhënat e shfrytëzuara për përpunimin e ekspertizës për krahasim të propozim çmimeve të ofruara nga kompania “Sinohidro” për autostradën Kërçovë – Ohër prej nëntorit të vitit 2013 dhe çmimet e kompanisë “Aktor” për aksin Dmeir Kapi – Smokvicë prej marsit të vitit 2012.
Lënda ndodhet në procedurë dëshmuese dhe në të të akuzuar janë ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i cili gjykohet në mungesë, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, ish-zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski dhe ish-drejtori i NP “Rrugë shtetërore”, Ljupço Georgievski.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit në gjysmën e dytë të vitit 2012 dhe gjatë vitit 2013 ndërmorën disa veprime me të cilat në procedurën për zgjedhje të kompanisë për ndërtim të autostradave Milladinovci – Shtip dhe Kërçovë – Ohër i shfrytëzuan dhe i tejkaluan autorizimet e tyre. Me atë i shkaktuan dëm buxhetit prej së paku 155 milionë eurove. (koha.mk)