Gjykimi për lëndën e PSP-së “Dhuna në Qendër” në të cilin të akuzuar janë ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova dhe nëntë persona të tjerë, do të vazhdojë më 13 mars. Gjykatësi Dushan Josifov e shtyu gjykimin, pas vërejtjes së Gruevskit dhe të akuzuarve të tjerë se në tërësi nuk e kanë kuptuar akuzën sepse nuk e kanë marrë në formë të shkruar. Gjykata e angazhoi PSP-në t’i parashtrojë tekst të pastruar të aktakuzës me postë në mënyrë që ta shqyrtojnë hollësisht. Gjykimi për “Dhunën në Qendër” sot filloi sërish sepse me orarin e ri, lënda i është ndarë gjykatësit Dushan Josifov, i cili e trashëgoi nga gjykatësja Tatjana Mihajllova.
Seanca e sotme filloi me konfirmimin e identitetit të të akuzuarve dhe leximin e sërishëm të aktkauzës nga ana e prokurores Fatime Fetai ga PSP. Fetai tha se për shkak të interesave të biznesit me gjoja motiv për rrënimin e kishës Shën Konstantini dhe Elena, disa nga të akuzuarit hynë në oborrin e komunës Qendër dhe janë sjellë dhunshëm ndaj të dëmtuarve, i maltretuan, i kanë ofenduar rëndë dhe ua kanë cenuar sigurinë. Për atë shkak ishte pamundësuar puna e këshilltarëve, ndërkaq që të parandalohen incidente më të mëdha, mbledhja ishte ndërprerë dhe ricaktuar për 10.06.2013, kur sërish para selisë së komunës ishin tubuar disa qindra njerëz. Disa nga të akuzuarit atëherë e thyen me dhunë rrethojën e oborrit dhe filluan të gjuajnë me mjete të ndryshme drejt barakës, me ç’rast ishin thyer të gjitha xhamat. Dhuna vazhdoi deri në ardhjen e ambasadorëve të huaj dhe përfaqësuesve të OSBE-së në komunën Qendër.
Në seancat e kaluara për këtë lëndë, fajin për ngjarjet para komunës Qendër në vitin 2013, e pranuan i akuzuari i katërt Tomisllav Llazarov dhe i akuzuari i pestë Jordan Ristevski dhe morën dënime me kusht. Të akuzuarit në lëndën “Dhuna në Qendër” ngarkohen për nxitje të dhunës që ndodhi gjatë protestave para komunës Qendër në qershor të vitit 2013.