Shkup, 13 nëntor- Avokatët dhe familjarët e 4-vjeçarit të ndjerë, Almir Aliu, nuk pajtohen me rrjedhën e procesit gjyqësor kundër të akuzuarit Boban Iliq, shkruan gazeta KOHA. Përmes një konferencë për shtyp, të hënën ata kanë thënë se aspak nuk janë të kënaqur me formën se si Prokuroria dhe Gjykata e Kumanovës janë duke e proceduar rastin në fjalë. Përveç të akuzuarit Boban Iliq, i cili mbrëmjen e 25 qershorit të vitit të kaluar, me paramendim i goditi me veture të ndjerin Almir Aliu dhe prindërit e tij, Prokuroria për vepër penale “dhunë”, i akuzon edhe Sedat Aliun, babain e Almirit, dhe dy të akuzuar tjerë, Sami Demirin dhe Abdulla Aliun. Pala mbrojtëse e të dëmtuarve, avokatët Asmir Alispahiç dhe Ibraim Bajrami, theksuan se gjatë procedurës penale ka qenë i hapur hetim edhe për vëllain e të akuzuarit Boban Iliq. Mirëpo, siç thanë avokatët, përkundër ekzistimit të video-materialit, në të cilën shihet qartë se si ai del nga vetura dhe në duar mban një mjet të fortë, prapë se prapë procesi penal kundër tij është ndaluar. Vërejtje tjetër e parashtruar nga avokatët ishte edhe selektimi gjatë dorëzimit të shkresave për rastin në fjalë. Sipas tyre, kjo mënyrë e veprimit ka pasur për qëllim zvarritjen e procedurës. Mes tjerash, ato u ankuan se Gjykata nuk u ka pranuar dëshmitë gjatë shqyrtimit kryesore, respektivisht me këto prova, avokatët thanë se mund të vërtetohet se vallë, i akuzuarit Boban Iliq ka pasur mundësi ta mënjanojë incidentin, apo jo. Fjalët përfundimtare para Gjykatës së Kumanovës për rastin e Almir Aliut, janë paraparë të jepen me 15 nëntor, e mërkurë. (koha.mk)