Shkup, 2 nëntor – Kërkojmë ndërhyrje urgjente të faktorit ndërkombëtarëve për epilogun politiko-gjyqësor të rastit të Kumanovës. Kështu shkruan në profilin e tij në Facebook, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, sipas të cilit, vendimi i gjykatës penale me 746 vite burg për të dënuarit e Kumanovës dhe 7 persona me burg të përjetshëm paraqet dënimin më të madh ndonjëherë ndaj shqiptarëve, në historinë e Maqedonisë. “Vlerësojmë se ky gjykim është politik, dhe vazhdimësi e një procesi të montuar politik që ndodhi pikërisht në kohën e regjimit VMRO-BDI, dhe si i tillë është gjykim i po të njëjtës mendësi të atij regjimi dhe të atyre aktorëve politik të pushtetit të deridjeshëm. Aleanca për Shqiptarët fton faktorin ndërkombëtar të bëhet pjesë e zbardhjes së tërësishme të këtij procesi të montuar politik. Gjithashtu sigurojmë opinionin që rasti i Kumanovës do të marrë epilog të drejtë bashkë me reformat në drejtësi, si përcaktim esencial i veprimit tonë politik dhe pjesëmarrjes në Qeveri”, shkruan Sela. (koha.mk)