Megjithatë, deputeti Alimi atëkohë ishte i autorizuar i BDI-së në kuadër të Qytetit të Shkupit dhe jo i Komunës së Çairit. Kjo është edhe arsyeja pse Këshilli gjyqësor po ngurron të procedojë deri në fund lëndën, pasi siç thonë nga mbrojtja e Alimit, akuza kundër klientit të tyre është me tendencë dhe pa argument
Shkup, 12 tetor – “Titanik 3”, lëndë e Prokurorisë Speciale Publike, të premten filloi nga e para. Ndryshimi i Këshillit Penal nga njëra anë dhe mos fillimi i gjykimit në afat prej 90 ditëve nga ana tjetër, paraqesin arsyet kryesore se pse procesi gjyqësor kundër deputetit të BDI-së, Ejup Alimi dhe anëtarit tjetër të BDI-së, Ismet Guri, po shqyrtohet nga fillimi, shkruan gazeta KOHA. Me propozim të PSP-së, në këtë seancë u paraqitën edhe dy dëshmitarë, të cilët thanë se asnjëherë nuk e kishin parë të akuzuarin, dhe aq më pak kishin njohuri se kush janë e çka kanë bërë.
Kundër të akuzuarve Alimi dhe Guri, prokurorja speciale Fatime Fetai, ka përgatitur një listë të gjatë të dëshmive, respektivisht përveç provave materiale, si dëshmitarë në këtë lëndë pritet të paraqiten rreth 50 persona.
Ndërkohë, avokati Mefail Asllani, gjatë rrjedhës së deritanishme të procesit ka theksuar se me prezantimin e provave të tyre do të dëshmojnë pafajësinë e klientëve të tyre. Pala mbrojtëse e të akuzuarve në rastin “Titanik 3” ka bërë të ditur se me pjesë e dëshmitë të tyre do të jetë edhe njoftimi i policisë së shtetit se gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2013, të realizuar në Komunën e Çairit, nuk janë regjistruar parregullsi zgjedhore.
Megjithatë, deputeti Alimi atëkohë ishte i autorizuar i BDI-së në kuadër të Qytetit të Shkupit dhe jo i Komunës së Çairit. Kjo është edhe arsyeja pse Këshilli gjyqësor po ngurron të procedojë deri në fund lëndën, pasi siç thonë nga mbrojtja e Alimit, akuza kundër klientit të tyre është me tendencë dhe pa argument.
Seanca e radhës për rastin “Titanik 3”, para Gjykatës Penale të Shkupit është caktuar të mbahet më 18 tetor. Ndryshe, në aktakuzën e ngritur nga PSP, i akuzuari Alimi dhe sekretari i Komisionit zgjedhor, Ismet Guri thuhet se kanë bërë shkatërrimin e materialit zgjedhor.
“Gjatë periudhës 24.03.2013 deri me 26.03.2014, përderisa janë zhvilluar zgjedhjet lokale në Komunën e Çairit, në hapësirat e kësaj komune i akuzuari I.G, si person zyrtar në Komisionin zgjedhor dhe E.A, së bashku me dëshmitarët B.M (anëtar i Komisionit) dhe Q.T (zëdhënës i Komisionit), kanë ndryshuar shkresat dhe procesverbalet që shërbejnë për zgjedhjet (votat), mbledhjen dhe vërtetimin e rezultateve përfundimtare për rrethin e parë të zgjedhjeve lokale në Çair”, thuhet mes tjerash në aktakuzën e PSP-së. (koha.mk)