Nga prilli i vitit 2018, ku edhe ka filluar procesi gjyqësore për rastin “Tamara”, në Gjykatën Penale të Shkupit janë zhvilluar gjithsej 26 seanca gjyqësore, prej të cilave 11 janë anuluar. Pjesa dërmuese e seancave të anuluara, siç është konstatuar nga monitorimi i bërë nga kjo organizatë, është bërë me kërkesë të të akuzuarve ose palës mbrojtëse
Omer XHAFERI
Shkup, 27 tetor – Proceset gjyqësor në gjykatat e Maqedonisë së Vendit zgjasin me vite. Po thuajse çdo e treta lëndë në gjykatat e vendit shkel parimin për gjykim në afat të arsyeshëm. Një qëndrim të tillë e ndan Koalicioni të gjithë për gjykim të drejtë, pas analizës së raportit te punës së Gjykatës Supreme të Maqedonisë së Veriut, e cila gjatë vitit 2019 ka pranuar mbi 600 ankesa të kësaj natyre, ndërsa i ka shqyrtuar vetëm 429 parashtresa. “Nga lëndët e zgjidhura, Gjykata Supreme në 165 raste apo në 38.46 për qind ka konstatuar shkelje të së drejtës për gjykim në afat të arsyeshëm, përderisa 203 lëndë apo mbi 47 për qind e kërkesave për mbrojtje të së drejtës për gjykim në afat të arsyeshëm, janë refuzuar si të pabaza”, thonë nga Koalicioni të gjithë për gjykim të drejtë, shkruan gazeta KOHA.
Lënda gjyqësore për rastin “Tamara”, vogëlushja e cila ndërroi jetë nga shpërfillja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe “Dhuna në Komunën Qendër”, lëndë e iniciuar nga ish-PSP, janë pjesë e analizës së Koalicionit të gjithë për gjykim të drejtë, ku tregohet zvarritja dhe stërzgjatja e gjykimit, gjegjësisht mos-gjykimi në afat të arsyeshëm. Nga prilli i vitit 2018, ku edhe ka filluar procesi gjyqësore për rastin “Tamara”, në Gjykatën Penale të Shkupit janë zhvilluar gjithsej 26 seanca gjyqësore, prej të cilave 11 janë anuluar. Pjesa dërmuese e seancave të anuluara, siç është konstatuar nga monitorimi i bërë nga kjo organizatë, është bërë me kërkesë të të akuzuarve ose palës mbrojtëse.
“Kanë kaluar më tepër se dy vite dhe ende nuk ka aktgjykim në shkallën e parë. Nëna e të ndjerës Tamara, si e dëmtuar – është intervistuar në katër seanca. Numër i madh i seancave të caktuara për intervistimin e të dëmtuarës është diçka e pazakontë si për procedurën e rregullt, ashtu edhe për atë të shkurtër, aq më tepër kur parimi i procedurë së shkurtër sugjeron që të gjitha veprimet – të përfundojnë me një seancë”, thonë nga Koalicioni të gjithë për gjykim të drejtë. Seanca e re për këtë rast është dashur të nis nga e para në fillim të këtij muaji, por shkaku se njëri prej të akuzuarve në këtë lëndë është vendosur në izolim shkaku i Kovid-19, ky gjykim nuk filloi. Stërzgjatje e procesit gjyqësor në afat prej katër viteve, po ashtu u shënua edhe në rastin “Dhuna në Komunën Qendër”, e cila epilog përfundimtar mori pas shfuqizimit të Prokurorisë Speciale Publike, subjekt ky i cili e inicioi në Gjykatën e Penale, këtë rast.
“Gjatë gjithë procedurës gjyqësore, e cila zgjati katër vite, u zhvilluan më tepër se 50 seanca gjyqësore. Ndërsa, si dëshmitarë u intervistuan më tepër se 20 persona. Po ashtu, u prezantuan edhe numër i madh i provave materiale, si nga prokuroria publike, ashtu edhe nga mbrojtja e të akuzuarve. Procedura zvarritej për arsye të ndryshme (mungesë të dëshmitarëve, përputhje e lëndëve për një të akuzuar të njëjtë, pranim-dorëzim i lëndëve të PSP në Prokurorinë Publike të RMV-së, etj”, thonë nga Koalicioni të gjithë për gjykim të drejtë.
Ndryshe, nga Koalicioni të gjithë për gjykim të drejtë, nënvizojnë se anulimi i seancave gjyqësore pa dallim se bëhet me faj të mbrojtjes apo prokurorisë, nuk duhet të jenë arsye për zvarritje të procedurës gjyqësore. Sipas tyre, palët në proces mund të shfrytëzojnë mënyra të ndryshme për të manipuluar me të njëjtat dhe ta ndryshojnë dinamikën e seancave të caktuar, gjegjësisht gjykata është ajo e cila nuk duhet t’i lejoj këto manipulime. (koha.mk)