Vjollca SADIKU
Dibër, 25 janar – Gjykata Themelore e Dibrës në Raportin vjetor për vitin 2016, punën e këtij institucioni gjyqësor e vlerëson si efikase, shkruan gazeta KOHA. Sipas të dhënave të raportit në fjalë, numri i përgjithshëm i lëndëve gjatë vitit 2016 ka qenë 5529, nga të cilët janë zgjidhur gjithsej 5267, që do të thotë lëndë të pazgjidhura kanë ngelë 262.
Ushtruesi i detyrës kryetar i Gjykatës Themelore në Dibër, Ilir Iseni, thekson se të dhënat e raportit janë të qarta dhe tregojnë një efikasitet të nivelit të lartë. Gjatë vitit që kaloi, thekson Iseni, numri i lëndëve nga vitet të kaluara apo të trashëguara, ka qenë 342, kurse lëndë të cilët u pranuan gjatë vitit 2016 kanë qenë 5158. Po sipas tij, nëse bëhet një analizë e lëndëve mund të theksohet se, edhe pse në gjykatë lëndët i kanë realizuar vetëm katër gjykatës dhe ka munguar një gjykatës, rezultatet kanë qenë shumë të mira, që do të thotë mungesa e një gjykatësi që ka dalë në pensioni dhe vendi i punës nuk është i plotësuar, nuk ka shkaktuar ndonjë problem të veçantë.
Një vëmendje e veçantë në Raport i kushtohet edhe kualitetit të lëndëve në nivel të gjykatës, që tregon se pjesa dërmuese e tyre janë lëndë të cilët janë zgjidhur pa ankesa. Nëse bëhet një vështrim në sektorin penal, duhet theksuar se numri i përgjithshëm ka qenë 2751 lëndë, nga të cilët 2690 kanë qenë të zgjedhur pa probleme. Në sektorin qytetar, numri i përgjithshëm i lëndëve ka qenë 2393, kurse numri i lëndëve të zgjedhura 2193.
Kur jemi te puna e Gjykatës Themelore në Dibër, sqaron ushtruesi i detyrës kryetar, Ilir Iseni, edhe gjatë vitit të kaluar nuk ka pasur probleme me sigurimin e porotëve dhe pa probleme kanë funksionuar 15 porotë, aq sa është e paraparë në këtë institucion gjyqësor. Një problem i cili tentohet të tejkalohet në këtë Gjykatë Themelore, e cila faktikisht me Ligjin për gjykata të Republikës së Maqedonisë ka kompetenca të kufizuara, është edhe nevoja për punësim të kuadrove të reja gjyqësore.
“Ne kemi bërë kërkesa për punësimin e gjykatësve të rinj, por në Dibër dhe Qendër Zhupë, nuk kemi gjykatës të cilët kanë përfunduar Akademinë gjyqësore që nevojitet për t’u bë gjykatës me Ligjin për gjykata”, thotë për KOHA Iseni, ndërsa shton se në një situatë të këtillë ka qenë më i theksuar angazhimi i gjykatësve. Duke komentuar Raportin në lidhje me zvogëlimin të lëndëve gjyqësore në disa sfera, Iseni thotë se vet fakti që i ka një rritje të theksuar të tarifave të avokatëve, ka ndikuar në uljen e lëndëve përkatëse.
Përndryshe, në Komunën e Dibrës edhe gjatë vitit të kaluar në të gjithë instancat ka pasur mospajtim me marrjen e kompetencave të Gjykatës Themelore në Dibër me ndryshimet e ligjit të vitit 2004. Edhe në këtë gjykatë theksojnë se është e domosdoshme që Gjykatës Themelore në Dibër t’i kthehen kompetencat që i ka pasur para ndryshimeve që u bënë ligj. Ushtruesi i detyrës kryetar i Gjykatës Themelore në Dibër, thotë se në një situatë të këtillë janë të detyruar për shumë lëndë gjyqësore dibranët të shkojnë në Gjykatën e Gostivarit, të cilës iu dhënë kompetenca plotësuese. Më të dëmtuar janë firmat të cilët kanë probleme juridike mes veti si dhe familjet e fëmijëve minoren, të cilët gjykohen për veprime jo ligjore dhe të cilët në pjesën më të madhe të tyre, janë nga familje me probleme ekstreme sociale. Ulja e kompetencave të kësaj gjykate me Ligjin e ri, ka cenuar shumë të drejta të qytetarëve të Komunës Dibër, thotë Iseni dhe shton se problemi në fjalë kërkon një përkrahje politike të partive në pushtet që të bëjnë ndryshimin e Ligjit dhe t’ia kthejnë kompetencat Gjykatës Themelore në Dibër.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.