Omer XHAFERI
Shkup, 21 mars – Numri më i lartë i ankesave të cilat Këshilli për verifikimin e fakteve dhe ngritjen e iniciativës për përgjegjësi të gjykatësve i ka pranuar vitin e kaluar, ka pasur të bëjë me punën dhe procedimin e rasteve të ndryshme nga Gjykata Civile e Shkupit (GJCSH), shkruan gazeta KOHA. Ky konstatim është theksuar në raportin Këshillit në fjalë, të cilin e kanë publikuar së fundmi, ku mes tjerash thuhet se rreth 135 iniciativa qytetarë janë dorëzuar kundër aktgjykimeve, të cilat gjykatësit e GJCSH-së i kanë miratuar brenda vitit 2016, ndërsa 62 ankesave janë parashtruar kundër lëndëve të Gjykatës Penale të Shkupit. Të dhënat e këtij raporti, të cilat në masë të madhe janë përqendruar në aktivitet e GJCSH-së, i ka komentuar edhe kryetari i kësaj gjykate, Ilir Sulejmani.
Në prononcimin e tij për gazetën KOHA, Sulejmani deklaroi se pas pranimit të raportit, ai së bashku me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, e kanë analizuar në detaje pjesën ku potencohet ankesat për punën e gjykatësve që punojnë në këtë instancë gjyqësore. “Palët kanë të drejtë ligjore që aktgjykimet të cilat i sjellin gjykatësit në gjykatën tonë, t’i ankimojnë deri te Këshilli për vërtetimin e fakteve. Mirëpo, duke e analizuar këtë raport, ne kemi vërejtur se prej të gjitha ankesave që janë dorëzuar në këtë Këshilli, veçanërisht për procedimin e lëndëve tona, nuk është vërtetuar shkelje e procedurave ligjore dhe, aq më pak, nuk është konstatuar se aktgjykimet e kontestuara janë në kundërshtim me gjendjen faktike”, tha kryetari Sulejmani. Në mesin e palëve që më tepër kanë dorëzuar ankesa deri te ky Këshill, siç potencohet në raport, rreth 750 iniciativa për vërtetim të fakteve janë iniciuar nga persona fizik, 107 nga persona juridik. 15 parashtresa, anëtarët e Këshillit i kanë shqyrtuar me kërkesë të kryetarëve të gjykatave dhe 21 ankesa Këshilli i ka proceduar nga pala e tretë. Njëkohësisht, gjatë vitit 2016 deri te Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë, janë dorëzuar tri kërkesa për ngritjen e procedurës për vërtetimin e përgjegjësisë së gjykatësve. Lidhur me këto raste në raport thuhet se Këshilli Gjyqësor, njëzëri e ka refuzuar iniciativën për gjashtë lëndë, për arsye se ka konstatuar se kërkesat e dorëzuara janë të pabaza, gjegjësisht nuk ka pasur dëshmi se gjykatësit në fjalë kanë kryer shkelje ligjore. Duke e përshkruar dinamikën e punës Këshilli për vërtetimi n e fakte, në raport ka bërë të ditur se nga 1 janari deri në 31 mars të vitit 2016, ka mbajtur gjithsej 64 mbledhje, edhe atë takime të domosdoshme minimum njëherë brenda javës, në të cilët është diskutuar për iniciativat qytetare, raportet e komisioneve dhe për kërkesat e dorëzuar deri te Këshilli Gjyqësor, me qëllim ngritjen e procedurës për vërtetim të përgjegjësisë së gjykatësve apo kryetarëve të gjykatave.
”Shkaqet më të shpeshta të dorëzimit të parashtresave kanë të bëjnë me punën e gjykatave apo gjykatësve më konkretisht. Këto reagime në të shumtën e rasteve lidhen me rezultatin përfundimtar të procesit, në këtë rast aktgjykimit. Andaj, edhe një numër i madh i iniciativave janë refuzuar, për arsye se dorëzuesit e parashtresave ankohen për vendime gjyqësore, ankesa këto që ligjërisht duhet dorëzuar deri tek instancat më të larta gjyqësore. Procedura për vërtetimin e fakteve dhe përgjegjësisë së gjykatësve apo kryetarëve të gjykatave procedohet urgjentisht dhe ka karakter sekret. E njëjta shqyrtohet pa prezencën e opinionit, me qëllim respektimin e reputacionin dhe dinjitetin e gjykatësve ndaj të cilëve zhvillohet procedurat e vërtetimit të përgjegjësisë”, thuhet në vazhdim të raportit të Këshillit për verifikimin e fakteve. Përjashtim i parimit për mos prezencën e publikut, sipas përshkrimit të këtij raporti ndodhë vetëm me kërkesë të gjykatësit i cili është lëndë shqyrtimi. Në ndërkohë, numri i plotë i iniciativave që ky Këshilli i ka pranuar gjatë vitit të kaluar është afruar deri në 1 mijë ankesa, prej të cilave 841 janë zgjidhur, dhe një numër i vogël i tyre ka ngelur për t’u proceduar gjatë periudhës që vijon. Kompetencat e Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë, për t’i shqyrtuar ankesat qytetarëve qofshin ato fizik apo juridik, u ndërpre me 20 maj të vitit 2015, atëherë kur hyri në fuqi Ligji për Këshillin e verifikimit të fakteve dhe ngritjen e iniciativës për përgjegjësi të gjykatësve. Ndryshe, deri te ky Këshill i ri, janë dorëzuar edhe dy iniciative për kryerje të papërgjegjshme dhe jo profesionale të funksionit gjykatës. Këto ankesa janë iniciuar nga Prokuroria Speciale Publike, ndërsa ju referohen gjykatësve Lidija Petrovska dhe Aleksandra Pop Stefanija, të dyja të angazhuara në Gjykatën Penale të Shkupit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.