Aktivistja qytetare nga Komiteti i Helsinkit, Sibel Amet, për gazetën KOHA thotë se nga monitorimi i burgjeve gjatë vitit 2019, është konstatuar se ka zvogëlim të mbingarkimit të Institucioneve Ndëshkuese Përmirësuese, por kjo – sipas saj, është si rezultat i Ligjit për amnisti i miratuar në vitin 2018
Omer XHAFERI
Shkup, 22 janar – Gjykatat në Maqedoninë e Veriut shumë pak shqiptojnë aktgjykime me masa alternative për veprat penale. Përfaqësuesit e sektorit civil në komentin e raportit të fundit të EUROSTAT-it, e cila thotë se në Maqedoninë e Veriut, në 100 mijë banor ka 146 të burgosur, thotë se kjo ndodhë për shkak se gjykatat e vendit nuk i shfrytëzojnë mundësitë që i jep ligji për shqiptimin e masave alternative dhe kushtet nga Ligjit i probacionit (procedura për ekzekutimin e masave alternative – dënim me kusht me mbikëqyrje të siguruar, punë e përgjithshme e dobishme dhe arrest shtëpiak). Aktivistja qytetare nga Komiteti i Helsinkit, Sibel Amet, për gazetën KOHA thotë se nga monitorimi i burgjeve gjatë vitit 2019, është konstatuar se ka zvogëlim të mbingarkimit të Institucioneve Ndëshkuese Përmirësuese, por kjo – sipas saj, është si rezultat i Ligjit për amnisti i miratuar në vitin 2018. Respektivisht, Amet vlerëson se ende nuk ka zgjidhje sistemore për këtë problematikë.
“Nuk praktikohen masat alternative që gjykatat kanë mundësi t’i shqiptojnë. Ata zakonisht vendosin dënime me burg. Ligji i probacionit ende nuk është i zhvilluar në shtetin tonë, ende është në proces të zhvillimit, edhe pse i njëjti është miratuar në vitin 2015. Zyrat e probacionit ende po përpunohen, gjykatat po trajnohen të shqiptojnë aktgjykime me kushte të probacionit, dmth çështja ende nuk është në rrugën e duhur. Supozoj se këto janë arsyet se pse ne gjendemi në këtë renditje të EUROSTAT-it. Për momentin, ndoshta burgjet nuk janë shumë të mbingarkuara, por ka njerëz të shumtë që presin ta vuajnë dënimin me burg, për shkak të mungesës së vendeve në burgje. Personat që janë të dënuar për vepra më të lehta penale prej 1 deri në 2 vite burg, nuk arrijnë ta vuajnë dënimin me burg, për arsye se s’ka vende të lira në burgje”, thekson Amet. Në raportin e fundit të EUROSTAT-it, rreth situatës me të burgosurit, Shqipëria renditet e para me 197 të burgosur në 100 mijë banorë, vijon Mali i Zi me 179 të burgosur në 100 mijë banor, pastaj Serbia me 153 banor. Nga vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut renditet e katërta. Pas saj është Kosova, me 99 të burgosur në 100 mijë banorë. Mesatarja e të burgosurve në 100 mijë banorë në rajon, sipas të dhënave të EUROSTAT-it, është 116 të burgosur, që i bie shkalla më e ulët nga viti 2000.
Në mesin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, shkallë më e lartë e të burgosurve është konstatuar në Lituani (232 të burgosur në 100 mijë banorë, vijon Çekia (209 të burgosur), Polonia (196) dhe Letonia (193). Nga ana tjetër, shkalla më e ulët është vërejtur në Danimarkë (59), Suedi (57) dhe Finlandë (56). Në mesataren e BE-së, 5 për qind e të burgosurve janë gra. Në Francë, Austri dhe Gjermani, numri i të burgosurve është më i ulët se mesatarja e BE-së. Ndryshe, Islanda është shteti i parë i BE-së, i cili sipas EUROSTAT-it, ka numër më të vogël të të burgosurve – 38 të burgosur në 100 mijë banorë. (koha.mk)