Gjykatat dhe prokuroritë me kohë të re të punës

Prokuroritë publike dhe gjykatat në Republikën e Maqedonisë prej sot punojnë me kohë të re të punës, prej orës 7:30 deri në orën 15:30. Vendimin për kohën e re të punës të gjykatave e solli Këshilli Gjyqësor i RM-së në seancën e mbajtur më 30 gusht, në pajtim me Vendimin e Qeverisë për ndryshimin e kohës së punës së administratës.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Zoran Karaxhovski, pas seancës deklaroi se për kohën e re të punës janë prononcuar edhe të punësuarit në gjykata dhe shtoi se do ta ndjekin si kjo do të ndikojë ndaj efikasitetit të punës së gjykatave. Ushtruesi i detyrës prokuror publik i Republikës së Maqedonisë më 31 gusht solli Vendim që prej 4 shtatorit të zbatohet koha e re e punës, prej 7:30 deri në orën 15:30 në Prokurorinë Publike të RM-së, në prokuroritë supreme publike dhe në prokuroritë themelore publike.