Shkup, 10 korrik – Gjykata Themelore e Velesit, ish kryetarit të Gjykatës Penale Shkup, Vlladimir Pançevski, sot i caktoi paraburgim prej 30 ditëve për shkak të mungesës në seancën gjyqësore për lëndën “AKMIS”, në të cilën është i akuzuar. Lajmin për paraburgimin e Pançevskit, e publikuan nga “Koalicioni Të gjithë për gjykim të drejtë”, prej ku sqarojnë se paraburgimi është caktuar për shkak të sigurimit të pranisë në gjykimin për lëndën “AKMIS”.
Në seancën e sotme për lëndën “AKMIS”, e cila zhvillohet në GJTH Veles, nuk ishin paraqitur as i akuzuari Pançevski, e as avokati i tij. Gjykimi për këtë lëndë për keqpërdorim të sistemit AKMIS duhej të fillonte në vjeshtë, por deri më tani ky proces gjyqësor nuk ka filluar.