Shkup, 9 janar – Gjykata Themelore 2 në Shkup ka pranuar padinë e Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit me të cilën është vendosur që ish-shefi i DSK-së, Sllobodan Bogoevski, ka shpifur në rastin Maxhar Telekom. Kështu ka pohuar për TVM 2, Cvetanka Nastova, avokate mbrojtëse e të paditurit Bogoevski. “Morëm vendimin e Gjykatës Themelore Shkup 2. Në paragrafin 1 të këtij aktvendimi është vërtetuar përgjegjësi civile për Sllobodan Bogoevskin për kryerje të shpifjes kundër Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit. Në paragrafin 2 dhe 3 nga aktvendimi i njëjti është obliguar të publikojë demant në gazeta dhe në suaza të këtij vendimi është vendosur vendim me të cilin konstatohet tërheqje e padisë sa i përket dëmshpërblimit të dëmit jomaterial dhe atë për paditësin Ali Ahmeti 3 milion denarë dhe Musa Xhaferi 2.5 milion denarë. Në këtë vendim është vendosur që secila nga palët t’i bartë shpenzimet e procedurës.Këtë vendim do ta ankimojmë në afat kohor prej 15 ditëve”, tha Nastova. Ndërkohë nga pala mbrojtësve e paditësve, Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi theksojnë se akoma nuk kanë pranuar vendimin e dorëzuar nga ana e Gjykatës.Vendimi në fjalë nuk është publikuar ende as nga Gjykata Themelore 2 në Shkup. Padia për ish Shefin e DSK-së Bogoevski erdhi pasi para Gjykatës së Nju-Jorkut, deklaroi se Ahmeti, Xhaferi dhe Vllado Buçkovski kanë marrë mito nga 2, 5 milionë euro, me qëllim që të pengonin futjen e kompanive të reja celulare në vend dhe ruajtjen e monopolit të një kompanie.