Urim HASIPI
Tetovë, 20 shkurt – Tetova vitin e kaluar e kishte primatin e qytetit me ajrin me të ndotur në botë, ndërsa gjykata e Tetovës ka hedhur poshtë 30 denoncime kundër ndotësve të cilët kanë shkelur masat e komunës, shkruan gazeta KOHA. Nga inspektorati i ekologjisë në Komunën e Tetovës thonë se të gjitha denoncimet në gjykatë janë hedhur poshtë. Sipas tyre, vitin e kaluar Këshilli komunal i Komunës së Tetovës, ka sjellë vendim që të ndalohen kamionët që transportojnë mallra nga ora 7 e mëngjesit deri në orë 7 të mbrëmjes, si dhe vendim për të spërkatur rrugët me acetat magneziumi me qëllim që të zvogëloj ndotjen.
“Kemi pasur 10 denoncime kundër personave të cilët ka transportuar mallra brenda qytetit edhe në periudhën kur ka qenë e ndaluar, por që të gjitha këto denoncime janë hedhur poshtë në gjyq. Edhe pse ky vendim ende është në fuqi, e pakuptimtë është që të zbatohet kur sërish do të hidhet poshtë. Gjithashtu, përvojat tona nga viti i kaluar treguan se spërkatja e rrugëve me acetat calcium magneziumi, nuk ka dhënë kurrëfarë rezultatesh, prandaj këtë vit spërkatja nuk është kryer. Edhe sikur të donim, nuk do të mund ta kryenim për shkak të kushteve klimatike gjatë dimrit”, thotë për KOHA, Tomisllav Jorgushevski, inspektor i ekologjisë në Komunën e Tetovës.
Në ndërkohë, ky inspektorat ka kryer kontrolle edhe në objekte më të vogla industriale, por ndikimi i tyre në ndotjen e ajrit është shumë i vogël.
“Kontrollimi i këtyre objekteve industriale është në ingerencë të inspektoratit të mjedisit në Komunën e Tetovës. Në Tetovë ka vetëm katër objekte industriale, për të cilat është e nevojshme leje B, por ata, sipas kapacitetit të tyre prodhues, nuk kanë shumë ndikim në cilësinë e ajrit. Ne i kontrollojmë edhe subjektet më të vogla, kështu që në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar kemi kryer mbi 40 kontrolle në auto servise. Tre vite më parë ne kemi detyruar ata që të lidhin marrëveshje me kompani të autorizuara për mbledhur mbeturinat e naftës dhe vajit, të cilat në këtë periudhë digjeshin nëpër fura ndryshme dhe këto ishin ndotës enorm. Tani mbi 80 për qind e mbetjeve të naftës dhe vajit motorik në mënyrë të sigurt është hequr, gjegjësisht mënjanuar dhe nuk përdoret më për djegie. Deri më tani kemi pasur mbi 100 denoncime nga qytetarët të cilët kanë paraqitur tek në objekte të cilat ndotin ajrin në qytet. Në të gjitha këto raste kemi intervenuar me kontrolle të rregullta dhe të jashtëzakonshme dhe njëkohësisht i kemi obliguar që të përgatisin elaborat për mbrojtjen e mjedisit jetësor”, thotë inspektori Jorgushevski.
Ndryshe, nga nëntori i vitit të kaluar me një vendim të Inspektoratit shtetëror për ekologji, Jugohromi pushoi së punuari për shkak se nuk arriti që në afatin ligjorë të vendos filtra për filtrimin e pluhurit që lëshon në ajër. Por ajri në qytetin e Tetovës edhe më tutje vazhdon që të jetë i ndotur. Nga Shoqata ekologjike “Eco Guerilla” nga Tetova, pavarësisht kësaj thonë se Jugohromi nuk guxon që të vazhdojë me punë pa vendosur filtra, për shkak se kështu, siç ka funksionuar deri më tani është një ndër ndotësit më të mëdhenj të ajrit.
“Mesatarja e ndotjes së ajrit në Tetovë nga viti 2012 deri në 2015, arriti në 140 deri në 150 mikrogram në një metër kub të grimcave PM10. Ndërsa në 2016 kur Jugohromi nuk ka punuar për katër muaj, mesatarja e ndotjes së ajrit dukshëm ka rënë në 97 mikrogram për një metër kub. Nga kjo qartë shihet se pa Jugohromin, ajri është shumë më pak i ndotur. Në nuk jemi kundër punëtorëve të Jugohromit, por kërkojmë që të respektohet ligji dhe kur kombinati në fjalë të vendos filtra atëherë mund edhe të vazhdojë me punë”, shprehet për KOHA, Arijanit Xhaferi nga Shoqata Eco Guerilla.
Me mbi 340 ditë me ajër të ndotur mbi kufirin e lejuar, edhe në ditët kur ndotja ka qenë për 15 ose 20 herë mbi të lejuarën. Periudhën që e lëmë pas, Tetova e ka humbur primatin e qytetit më të ndotur në botë, por ende llogaritet në mesin e mesin e qyteteve më të ndotura në botë. Rregullativa ligjore thotë se në ditën ndotja me grimcat PM10, nuk guxon që të tejkalojë kufirin nga 50 mikrogram në një metër kub. Nga gjykata akoma nuk kanë dalë me qëndrim lidhur me hedhjen poshtë të këtyre denoncimeve. Denoncime të këtilla ka pasur edhe ndaj fabrikës Jugohrom nga shoqata dhe parti politike por nuk është ndërmarrë asgjë deri më tani.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.