Omer XHAFERI
Shkup, 26 nëntor – Procesverbalet në procedura penale edhe më tej përpilohen nën diktimin dhe dirigjimin e gjykatësve, shkruan gazeta KOHA. Kjo vërejtje është përfshirë në raportin e fundit të Komitetit të Helsinkit, të cilët përmes monitorimit të proceseve të ndryshme gjyqësore, me theks të veçantë ato që zhvillohen para Gjykatës Penale të Shkupit, kanë konstatuar se dispozitat e Ligjit për procedurë penale (LPP) nuk zbatohet siç duhet në praktikë. Mos futja në praktikë e LPP-së, normat e së cilës janë në fuqi për pesë vite të plota, sipas Komitetit të Helsinkit, është konstatuar edhe gjatë parashtrimit të pyetjeve të drejtpërdrejta dhe atyre të kryqëzuara ndaj dëshmitarëve. “Me largimin e të ashtuquajturit paternalizëm gjyqësor dhe me kalimin në procedurë akuzuese, konform LPP-së, Gjykata si palë e ka humbur rolin me të cilin duhej ta konstatojë të vërtetën materiale, respektivisht me dispozitat e reja ligjore, barra për vërtetimin e fajit apo pafajësisë, tashmë bie mbi palët në proces gjyqësor (prokurorët dhe avokatët). Kjo nënkupton se prokurori – një lëndë të caktuar duhet ta përgatisë në mënyrë të detajuar dhe më pas, me shkathtësi ta realizojë procedurën e parashtrimit të pyetjeve”, thuhet në raportin e Komiteti të Helsinkit. Me qëllim mënjanimin e lëshimeve që bëhen gjatë përgatitjes së procesverbale, në LPP, i cili është në fuqi prej vitit 2013, qëndron se seancat kryesore gjyqësore të xhirohen në formë audio ose video-vizuale. Mirëpo, nga prezenca e mediave dhe opinionit në seanca gjyqësore, mund të thuhet se kjo mënyrë e procedimit të seancave gjyqësore, zbatohet pjesërisht.
“Përparësitë, të cilat i japin këto nene (për xhirimet e seancave audio apo video), apo përmes përgatitjes së procesverbaleve me stenograme, mundësojnë evidencë të detajuar dhe pa asnjë farë lëshimi të çdo ngjarjeje që ndodhë gjatë seancave kryesore. Me këtë rast, po ashtu pengohen lëshimet eventuale që mund të ndodhin gjatë futjes së të dhënave në përmbajtjen e procesverbaleve”, theksohet në raportin e Komitetit të Helsinkit. Mes tjerash, vërejtje tjetër sa i përket zhvillimit të seancave gjyqësor, nga Komitetit i Helsinkit i kanë potencuar lëshimet e prokurorëve, lëshime këto që kryesisht vijnë në shprehje gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve. Pyetjet jokoncize dhe formulimet e paqarta nga prokurorët, rregulla këto të cilat prokurorët janë të obliguar t’i respektojnë, për shkak se vetë LPP-ja parasheh një gjë të tillë, sipas monitoruesve të KH, shpeshherë para se të shënohen në procesverbale, ato korrigjohen nga Trupit gjykues. Gjykatësit dhe prokurorët, siç rekomandojnë nga Komiteti i Helsinkit, janë të detyruar t’i respektojnë dispozitat që burojnë nga LPP-ja, gjegjësisht ndonëse vërejtjet e konstatuara nga ana e tyre mund të jenë “banale”, kur jemi te përgatitja e procesverbaleve apo mënyrë e marrjes në pyetje e dëshmitarëve, megjithatë këto lëshimeve mund të ndikojnë në shkeljen e parimit të realizimit të drejtë të procedurës penale. Shembuj konkrete të mos respektimit të LPP-së, gazetarët dhe përfaqësuesit e sektorit civil, po edhe të vetë përfaqësues të ambasadave të huaja, së fundmi kanë pasur mundësi t’i shohin gjatë procesit gjyqësor për “Lagjen e Trimave”, ose në seanca gjyqësore ku si palë është paraqitur Prokuroria Speciale Publike. Të akuzuarit për rastin e “Kumanovës”, përgjatë gjithë procesit gjyqësor që u zhvillua kundër tyre, në mesin e reagimeve dhe kundërshtimeve më të shpeshta e kanë pasur mospërfshirjen e fjalëve të tyre në procesverbal. Në kuadër të këtij rasti, ato shpesh janë ankuar edhe ndaj përkthimit dhe mos përgatitjes së kuadrit të mirëfilltë i cili e njeh terminologjinë juridike nga maqedonishtja në shqip apo anasjelltas. Sidoqoftë, pavarësisht këtyre reagimeve, procesi gjyqësor për “Lagjen e Trimave”, gjatë gjithë kohës, në pajtim me dispozitat e LPP-së, ka qenë i xhiruar. Ndërkohë, kur jeni te përcjellja e seancave gjyqësore të iniciuara nga PSP, opinioni më i gjerë ka vërejtur shkelje të natyrave të ndryshme, të kryera nga vetë Trupi gjykues, duke filluar nga mos dhënia e materialeve xhirues prokurorëve specialë, tendencat e ndryshme që fjalimet e tyre mos të përfshihen në procesverbal e kështu me radhë. (koha.mk)