Omer XHAFERI
Shkup, 3 prill – Problemeve të brendshme në Gjykatën Penale të Shkupit, nuk i’u shihet fundi. Shpërndarja e gjykatësve në detyra të reja, të cilin kohë më parë e ndryshoi ish ushtruesja e detyrës kryetare Tatjana Mihajllova dhe tash ushtruesi tjetër Stojançe Ribarev, paraqet pengesën kryesore për stabilizimin e situatës në këtë institucion gjyqësor, shkruan gazeta KOHA. Shpërndarja e rreth 40 gjykatësve nëpër sektorë të ndryshëm brenda hierarkisë organizative të kësaj gjykate, është shkaku kryesor se pse 20 prej gjykatësve të “diskriminuar” kanë parashtruar ankesa deri te Gjykata Supreme e Maqedonisë. Vendimin zyrtar nëse kjo shpërndarje do të hy në fuqi, Gjykata Supreme do ta sjellë pasi të kalon afati i dorëzimit të ankesave, afat ky që ende vazhdon. Duke i arsyetuar ankesat e tyre, gjykatësit të cilët e kontestojnë shpërndarjen e re, thonë se bëhet fjalë për një aksion të mirë të koordinuar, i cili lidhet me hapat e mëtutjeshme të Prokurorisë Speciale Publike. Ngjashëm siç bëri gjykatësja Mihajllova muaj më parë, edhe këtë herë Ribarevi, në krye të sektorëve që duhet t’i procedojnë lëndët e PSP-së ka vendosur gjykatës të cilët deri më sot në masë të madhe i kanë refuzuar propozimet dhe kërkesat e prokurorisë që udhëhiqet nga Katica Janeva. Në vazhdën e këtyre zhvillimeve, Ribarev e ka caktuar gjykatësen Sllavjanka Jankoska si zëvendëse të tij, e cila në njërën prej lëndëve që i shqyrtonte ajo solli vendim që materialet nga përgjimet e jashtëligjshme të përjashtohen dhe të mos merren si dëshmi në procesin gjyqësor për rastin “Justicia”. Gjithashtu sipas vendimit të ri për shpërndarjen e gjykatësve në GJPSH-së, nëse i njëjtit e merr edhe aminin e Gjykatës Supreme, atëherë gjykatësja Jankoska do të udhëheq me Sektorin për procedimin e lëndëve në procedurë paraprake. Ndërkohë, sa i përket kryesimit me Sektorin për krim të organizuar, nuk ka asnjë ndryshim nga ai i mëhershmi. Shpërndarja e re e gjykatësve, e miratuar para disa ditëve, parasheh që edhe më tej gjykatësit Vlladimir Pançevski dhe gjykatësja Tatjana Mihajllova, të jenë udhëheqës të këtij sektori mjaft të rëndësishëm në GJPSH. Në Sektorin për procedurë parahetimore që funksionon në kuadër të Krimit të organizuar, sipas dokumentit për shpërndarjen e gjykatësve, është paraparë të udhëheqin gjykatëset Elena Josifoviq, Aleskandra Pop Stefania dhe Lidija Petrovska, ndaj të cilëve PSP ka ngritur procedurë për shkarkimin e tyre nga posti i gjykatësve. Shqyrtimin e lëndëve gjyqësore që burojnë nga Ligji për procedurë penale, i miratuar në vitin 2013, sipas shpërndarjes se re pritet ta drejtohet nga ish zëvendësja e GJPSH-së, gjykatësja Dijana Gruevska-Ilievska. Për të pasur një pasqyrë më reale se deri ku ka arritur procedura e ankesave, gazeta KOHA tentoi të marrë përgjigje nga dy institucionet gjyqësore. Mirëpo, si nga Gjykata Themelore e Shkupit, po ashtu edhe nga Gjykata e Lartë, nuk arritëm të marrim përgjigje. “Disa prej dëshirave të gjykatësve kishte mundësi të pranohen, ndërsa për disa tjera mundësia do të t’ju ofrohet brenda vitit. Gjatë përgatitjes së këtij orari janë marrë parasysh gjendjet e lëvizjeve të lëndëve në të gjitha sferat, vonimi i shqyrtimi të lëndëve në disa sfera dhe nevoja e procedimit urgjent në disa lëndë të caktuara që janë paraparë më afatet ligjore. Poashtu, kur është përgatitur kjo shpërndarje e gjykatësve është marrë parasysh ngarkesa e çdo gjykatësi individualisht, përfshirë edhe vërejtjet dhe vlerësimin e instancave më të larta gjyqësore”, thuhet në kumtesën zyrtare të GJPSH-së. Sidoqoftë, shqyrtimi i lëndëve në GJPSH do të vazhdoj në bazë të shpërndarjes së vjetër të punës së gjykatësve, derisa Gjykata Supreme nuk i shqyrton të gjitha ankesat.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara