Shkup, 3 maj – Aktvendimi për “Titanik 2” është dorëzuar deri tek personat e dënuar, të cilët pas pranimit kanë të drejtë të ankesës përmes Gjykatës Themelore Shkupi 1 deri tek Gjykata e Apelit në Shkup, informojnë sot nga Gjykata Penale në Shkup, njofton Koha.mk
“Për shkak të rritjes së interesit të mediumeve dhe organizatave joqeveritare të cilat e ndjekin punën e gjykatës, e informojmë opinionin se aktvendimi për lëndën me KOK nr. 62/17 nga prokuroria , të shënuar si ‘Titanik 2’ të publikuar në debatin publik më 08.03.2019, është përpunuar me shkrim dhe e ekspedituar deri tek palët të cilat pas pranimit të të njëjtës kanë të drejtë të ankesës përmes Gjykatës themelore Shkupi 1 – Shkup deri tek Gjykata e Apelit – Shkup, ndërsa në ndërkohë aktvendimi është në fazë të përkthimit edhe në gjuhën shqipe”, theksohet në kumtesën nga Gjykata Themelore Shkupi 1.
Aktvendimin për rastin “Titanik 2” të Prokurorisë Speciale Publike, gjykata e publikoi më 8 mars të këtij viti.
Për parregullsitë zgjedhore në zgjedhjet lokale në vitin 2013 ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijalkov mori dënim me burg prej tre viteve, po aq morën edhe Aneta Stefanovska, Vllatko Sajkovski dhe Sasho Sërcev, ndërsa lideri i PDSH-së Menduh Thapi mori tre vjet e dy muaj, ndërsa dënim më të lartë prej katër vjet e gjashtë muaj iu shqiptua Bedredin Ibrahimit. (koha.mk)