“Prolongimi i vazhdueshëm i seancave gjyqësore ndikon që viktima e dhunës familjare të ketë qasje të ngadalësuar deri te drejtësia. Kështu që, në dy seanca gjyqësore për shqyrtimin e veprës penale ‘lëndime të lehta trupore’, është vërejtur se nga ana e Gjykatës bëhet ndikim mbi vullnetin e viktimës së dhunës familjare për zhvillimin e procedurës penale. Në njërën prej seancave gjyqësore në Tetovë, gjykatësja viktimës i propozon të pajtohet me kryerësin e dhunës familjare, me qëllim që të ndalohet procedura dhe mos të shkaktohen harxhime shtesë”, theksojnë nga Komiteti i Helsinkit
Omer XHAFERI
Shkup, 21 janar – Martesa e imponuar apo e detyruar, ndonëse në Maqedoni ka qenë prezent në të kaluarën, sipas të dhënave të fundit të Komitetit të Helsinkit, kjo dukuri negative është e pranishme edhe në ditët e sodit. Rasti i fundit, siç njoftojnë nga ky Komitet, është regjistruar në rajonin e Pollogut. Përmes denoncimit anonim, deri te Komiteti i Helsinikit në muajin dhjetor është parashtruar një ankesë për dhunë familjare ndaj një vajze nga ana e prindërve të tyre, shkruan gazeta KOHA.
“Pasi prindërit e kanë detyruar viktimën në martesë të imponuar, e njëjtat ka tentuar të braktis shtëpinë, me çka prindërit ia kanë ndaluar dhe ia kanë marrë gjërat personale. Me veprimet e tilla dhe të vazhdueshme, viktima ka qenë e ngarkuar psiqikisht nga ana e prindërve. Në këtë mënyrë, viktima ka qenë e kufizuar nga të drejtat themelore të njeriut. Rastin në fjalë ne e kemi denoncuar në Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë. Ndaj kësaj lëndë menjëherë ka intervenuar inspektorja e sektorit për dhunë familjare, e cila ka kryer kontroll në shtëpinë e të denoncuarve dhe ka realizuar një bisedë me viktimën dhe prindërit e saj”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.
Pas kontrollit në këtë familje, policia e Tetovës deri te Prokuroria Publike përkatëse ka ngritur kallëzim penal kundër prindërve të viktimës, rasti ky i cili ende nuk ka vendim gjyqësor. Komiteti i Helsinkit lidhur me këtë çështja ka njoftuar se do të vazhdoj ta monitoroj rastin deri në fund. Përveç këtij rasti, në zyrat e Komiteti të Helsinkit gjatë muajit dhjetor janë regjistruar edhe dy raste tjera për dhunë familjare, respektivisht dy gra janë ankuar se janë viktima të dhunës të kryer nga bashkëshortët e tyre. Si rezultat i dhunës së ushtruar ndaj tyre, njëra grua ka pësuar lëndime të lehta trupore, gjegjësisht tjetra lëndime të rënda trupore.
Njëkohësisht, gjatë dhjetorit të vitit të kaluar, ekipi juridik dhe anëtarët e rinj të Komitetit të Helsinkit kanë vazhduar me përcjelljen e seancave gjyqësore për veprat penale “lëndime të lehta trupore” dhe “lëndime të rënda trupore” të kryera në dhunë familjare.
“Gjatë këtij monitorimi është vërejtur se një numër i madh i seancave gjyqësore janë prolonguar. Arsyeja më e shpeshtë për shtyrjen e këtyre seancave ishte mungesa e prokurorit publik dhe ftesa jo e rregullt gjyqësore. Mungesa e shpeshtë e prokurorit publik në këto seanca gjyqësore mundëson që viktima e dhunës familjare të mos ndjehet e mbrojtur dhe e sigurt nga ana e shtetit. Po ashtu, prolongimi i vazhdueshëm i seancave gjyqësore ndikon që viktima e dhunës familjare të ketë qasje të ngadalësuar deri te drejtësia. Kështu që, në dy seanca gjyqësore për shqyrtimin e veprës penale ‘lëndime të lehta trupore’, është vërejtur se nga ana e Gjykatës bëhet ndikim mbi vullnetin e viktimës së dhunës familjare për zhvillimin e procedurës penale. Në njërën prej seancave gjyqësore, gjykatësja viktimës i propozon të pajtohet me kryerësin e dhunës familjare, me qëllim që të ndalohet procedura dhe mos të shkaktohen harxhime shtesë”, theksojnë nga Komiteti i Helsinkit.
Dhuna ndaj grave apo vajzave, sipas Komitetit të Helsinkit, duhet të shqyrtohet me seriozitet më të lartë nga ana e institucioneve përkatëse. “Veprimi i policisë së Tetovës në rastin e theksuar është një mënyrë e duhur për parandalimin e dhunës familjare, respektivisht Gjykatat duhet të jenë më të sensibilizuara në trajtimin e viktimave nga dhuna familjare, me qëllim mënjanimin e viktimizimit të dyfishtë të palës”, thonë nga KH. (koha.mk)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.