Gjykata penale ka refuzuar kërkesën e PSP-së për shqiptim të masës së paraburgimit për të dyshuarin e parë në rastin “Trust”, njëkohësisht edhe pronar i firmës “Transmet” dhe Televizionit NOVA, Sead Koçan. “Duke vepruar sipas propozimeve të Prokurorisë publike për ndjekje të veprave penale të cilat dalin nga përgjimet e paligjshme (PSP), para gjykatësve të procedurës së mëhershme pranë Gjykatës themelore Shkup 1 – Shkup dje janë ftuar të dy personat, për të cilët kanë të bëjnë propozimet për shqiptimin e masës së paraburgimit, që të shprehen në lidhje propozimet në prani të Prokurorit publik nga PSP dhe përfaqësuesi i autorizuar juridik. Në lidhje me S.K pas shqyrtimit dhe vlerësimit të fakteve dhe dëshmive të parashtruara në propozimin për shqiptim të masës së paraburgimit, gjykatësi i procedurës së mëhershme ka sjellë vendim me të cilin refuzon propozimin e PSP”, thuhet në lajmërimin e gjykatës. Për të dyshuarin e dytë në rast, Vasilije Aviroviq, prokurori publik nga PSP ka tërhequr propozimin për shqiptim të masës së paraburgimit dhe ka propozuar përcaktim të masave për kujdes nga neni 146 paragrafi 1 pika 6 dhe pika 7 e LPP që pas shqyrtimit dhe vlerësimit nga ana e gjykatësit të procedurës së mëhershme është pranuar dhe me vendim është përcaktuar masa ndalesë për vendosje, gjegjësisht mbajtje të kontakteve ose lidhjeve me persona të caktuar dhe masë ndalesë për marrje të aktiviteteve të caktuara të punës që kanë të bëjnë me veprën penale. “Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë për ankesë në afat prej 3 ditëve”, thuhet në njoftimin e Gjykatës. Sead Koçan dhe Vasilije Aviroviq janë të dyshuar për falsifikim të dokumenteve me të cilat kanë fituar tender me vlerë prej 17 milionë eurove për gropim të qymyrit dhe mbeturinave.