Gjykata penale ndërkombëtare (GJPN) ka dërguar një ekip prej 42 ekspertësh në Ukrainë për të hetuar krimet e mundshme të luftës të kryera në vend, njoftoi DPA.
Ky është ekipi më i madh i hetuesve të dërguar nga GJPN-ja, tha sot kryeprokurori Karim Kan në Hagë.
Ekipi përfshin hetues dhe mjekë ligjorë, disa prej të cilëve janë siguruar nga Holanda, theksojnë nga prokuroria.
Ekspertët duhet të intervistojnë dëshmitarët, të sigurojnë dhe analizojnë provat dhe të mbështesin hetuesit kombëtarë në sigurimin e provave.
Përveç kësaj, ekipi i ekspertëve do të punojë së bashku me ekspertët francezë të mjekësisë ligjore të cilët janë tashmë në Ukrainë. Puna e të gjithë atyre që janë përfshirë në zonën e konfliktit duhet të koordinohet në mënyrë efektive, kumtoi prokuroria.
Pas pushtimit rus, GJPN-ja ka hapur tashmë hetime për krime të dyshuara lufte. Gjykata me bazë në Hagë po ndjek penalisht autorë individualë të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit.
Rusia nuk e njeh gjykatën, shton DPA.
Ukraina, megjithatë, ka pranuar në mënyrë eksplicite juridiksionin e gjykatës mbi territorin e saj.