Një gjyqtar italian mbështeti apelimin e organizatës së djathtë Casapound kundër një vendimi të Facebook-ut për të mbyllur llogarinë e saj.
Gjyqtari tha se vendimi i gjigandit të mediave sociale pengon pluralizmin politik.
Facebook-u bllokoi llogarinë e groupit Casapound në shtator, duke thënë se ai kishte shkelur politikën kundër përhapjes së urrejtjes.
Casapound mbështet ideologjinë neofashiste dhe e ka rritur profilin e tij në Itali duke udhëhequr fushata anti-emigrante në rrjetet sociale. Faqja e tij në Facebook kishte rreth 250,000 ndjekës.
“Përjashtimi i aplikantëve nga Facebook-u është në kundërshtim me të drejtën e pluralizmit … duke eliminuar ose kufizuar mjaft mundësinë e grumbullimit për të shprehur mesazhe politike,” thuhej në vendimin e gjykatës, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Gjyqtari urdhëroi rihapjen e “menjëhershme” të llogarisë në Facebook dhe që gjiganti i rrjeteve sociale të shlyente 15,000 euro shpenzime ligjore të grupit Casapound.
Një zëdhënës i Facebook-ut tha se kompania po e “shqyrton” vendimin, por nuk bëri komente të tjera.
Gjykata tha se Facebook-u do të gjobitej me 800 euro për secilën ditë të moszbatimit të urdhrit.
Në shtator, Facebook-u mori të njëjtin vendim kundër një tjetër grupi neo-fashist, Forza Nuova.