Shkup, 10 gusht – Në rast se nuk sigurohet shumicë parlamentare prej 61 deputetëve, atëherë presidenti Stevo Pendarovski nuk mund t’ia jep mandatin partisë e cila ka dalë e para në zgjedhjet e parakohshme të 15 korrikut, konkretisht LSDM-së, thonë nga Gjykata Kushtetuese për KOHA.
“Kushtetuta është e qartë kur flitet për përcaktimin e kandidatit për mandatar të Qeverisë. Pas verifikimit të mandatit të deputetëve të posazgjedhur, në afat prej dhjetë ditëve duhet që Presidenti i shtetit të përcaktojë kandidatin i cili ka siguruar shumicën parlamentare për formimin e Qeverisë. Kjo tutje nënkupton se në raste konkrete, në qoftë se vetëm një parti politike ka siguruar shumicën, ose përfaqësuesi i asaj partie e njofton kryetarin e shtetin me shkresë nëpërmes të kryetarit të Parlamentit të posazgjedhur se partia në fjalë e ka fituar shumicën. Ne në mandatet e fundit nuk kemi pasur rast që vetëm një parti politike të ketë pasur shumicën e nevojshme parlamentare, pra ka qenë e nevojshme, si është edhe rasti tani, jo vetëm një parti, por të paraqitet përfaqësuesi i koalicionit të dy ose më shumë partive të cilat parti kanë siguruar shumicë parlamentare për të marrë mandatin”, thonë nga Gjykata Kushtetuese për KOHA.
Nga atje shtojnë se ky afat dhe kjo periudhë kohor është e theksuar në Kushtetutë, dhe theksohet “në afat prej 10 ditësh”, dhe në qoftë se ndodh në afat brenda këtyre ditëve, që asnjë koalicion nuk e njofton kryetarin se nuk ka shumicë, atëherë janë shenjat e para se në Maqedoni do të futemi në një krizë parlamentare kushtetuese politike.
“Nuk mundet presidenti t’ia jep mandatin për formimin e Qeverisë partisë që ka më shumë mandate në parlament për arsye se ne nuk e kemi një parti e cila ka 61 deputetë. Sipas Kushtetutës, Presidenti nuk mund t’ia jep mandatin partisë e cila ka 46 apo 44 deputetë, nëse nuk ka shumicë parlamentare prej 61 deputetësh. Në rast se nuk njoftohet Presidenti për një shumicë të tillë, atëherë vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, janë decid nga Gjykata Kushtetuese.
Në një vijë me qëndrimet e Kushtetueses është edhe presidenti Pendarovski. Biljana Radeva, nga kabineti i Presidentit thotë për KOHA se presin që në afatin e paraparë të sigurohet shumicë parlamentare për formimin e Qeverisë së re. “Thelbi i pjesëmarrjes në zgjedhje është që disa prej subjekteve politike të jenë në gjendje të formojnë Qeverinë, kështu që presidenti pret që të afatin e paraparë Kushtetues – brenda 10 ditëve nga konstituimi i Parlamentit, ti jep mandatin kandidatit të partisë ose partive me që kanë shumicë në Parlament”. (D.J/koha.mk)