Gjykata jo vetëm që i ktheu në punë, por MPB ishte e obliguar të paguajë edhe shpenzimet e procedurave, të paguajë para për pagesat dhe kontributet për disa vite që policët dhe doganierët ishin keqtrajtuar në labirintet e gjyqësisë në vend. Betejën juridike në emër të MPB-së e ka udhëhequr atëkohë Vesna Dorevska, ish-ndihmësja e Gordana Jankullovskës, tani ndihmëse për çështje juridike e ministrit të ri, Oliver Spasovski
Omer XHAFERI
Shkup, 3 maj – Policët e përfshirë në aksionin e Ministrisë së Punëve të Brendshme “Bumerang”, i cili u realizua në vitin 2009 dhe 2010, por u kthyen në punë në polici me vendimin e Gjykatës, tani sërish janë para largimit. MPB, e përfaqësuar nga Vesna Dorevska, ndihmëse e ministrit Oliver Spasovskit për çështje juridike, ka inicuar përsëritje të procedurave para Gjykatës Themelore Shkupi 2, ndërsa kërkon që 70 policë të largohen nga MPB, sepse në ndërkohë kanë qenë të dënuar me kusht, shkruan gazeta KOHA.
Në aksionin “Bumerang” që u realizua në vendkalimin kufitar “Tabanovcë”, “Bllacë”, “Qafëthanë”, dhe “Novo Sellë” u arrestuan rreth 70 policë dhe doganierë, apo 43 vetëm nga pika kufitare “Tabanoc”, të cilët u ngarkuan me vepër penale “bashkësi kriminale” dhe “mitmarrje”. Gjysma e të arrestuarve atëkohë ishin policë e doganierë shqiptarë. Në shkallën e parë, thuajse të gjithë u dënuan, por pas disa barrierave të jashtëzakonshme juridike, vendimet u anuluan nga Gjykata Supreme dhe janë kthyer në gjykim të serishëm, ku gjyqet, për të mbuluar kohën e kaluar në arrest, kishin sjellë dënime me kusht. Të gjithë 70 policët, menjëherë pas arrestimit dhe paraburgimit, u pushuan nga puna, por MPB nuk ka patur kujdes në procedurën juridike për dhënie të dorëheqjes, kështu që thuajse të gjithë kishin ngritur padi kundër largimit. Gjykata kishte pranuar paditë dhe i ktheu në punë në MPB, duke konstatuar se u është caktuar “largim i paligjshëm”.
Betejën juridike në emër të MPB-së e ka udhëhequr atëkohë Dorevska, ish-ndihmësja e Gordana Jankullovskës, tani ndihmëse për çështje juridike e ministrit të ri, Oliver Spasovski. Gjykata jo vetëm që i ktheu në punë, por MPB ishte e obliguar të paguajë edhe shpenzimet e procedurave, të paguajë para për pagesat dhe kontributet për disa vite që policët dhe doganierët ishin keqtrajtuar në labirintet e gjyqësisë në vend.
MPB në procedurat e ankesave para Gjykatës së Apelit kishte parashtruar vendime se ata janë të dënuar me kusht, megjithëse gjykata sërish i ka refuzuar. Disa prej lëndëve, me kërkesë të MPB-së, kanë përfunduar edhe me revizion para Gjykatës Supreme, por edhe revizioni ishte i refuzuar dhe ata u kthyen në punë. Një pjesë e policëve të përfshirë në aksionet, krahas punës në vendkalimet kufitare, tani janë avancuar në pozita të ndryshme menaxhuese në SPB, udhëheqin me stacionet policore, ndërsa gjenden në rrethin më të ngushtë të ministrit Oliver Spasovski.
Por, ndihmësja e njëjtë në MPB, Vesna Dorevska, vendimet e të cilës për shkarkim gjykata i anuloi dhe i ktheu në punë, ka parashtruar tani kërkesë të re deri te Gjykata themelore për përsëritje të procedurës dhe largim, për shkak të, siç arsyetohet ajo, dëshmisë se “ata janë dënuar me kusht”. Një pjesë e gjykatësve të Shkupit kanë refuzuar kërkesat e Dorevskës për përsëritjen e procedurave, por me ankesë të MPB-së, Këshilli i Gjykatës së Apelit me të cilën udhëhiqte gjykatësja Bukurije Ajdini, lejoi që të përsëritet gjykimi. Për periudhën në vijim janë caktuar gjykimet, në të cilat MPB kërkon të përsëritet procedura për kthim në punë dhe ata të jenë të larguar.
“Me këtë, Vesna Dorevska vetëm tregon se sa e fuqishme është dhe në vend se të përgjigjet për dëmet e mëdha që i ka paguar MPB për shkak të largimeve të paligjshme që i përgatiti shërbimi i Dorevskës para tetë vitesh, ajo ende është ndihmës ministër dhe vazhdon të bëjë dëme”, shprehen policët e prekur. Ata thonë se kanë tentuar të bisedojnë me ministrin Oliver Spasovski, por edhe përkundër premtimeve të caktuara, kanë vërejtur se ministri është “i pafuqishëm” në relacion me ndihmësen Dorevska edhe tani, ndërsa shpresë thonë se kanë tek gjykatësit për konteste pune që duhet të vendosin në rastet e tyre. (koha.mk)