Gjykata e Apelit në Shkup në ueb faqen e vet i publikoi vendimet rreth ankesave për masat për kujdes të shqiptuara nga Gjykata penale për të akuzuarit në rastin “TtianiK” të PSP-së për parregullsitë zgjedhore.
Të gjitha ankesat e PSP-së dhe të akuzuarve janë refuzuar si të pabaza. Për të akuzuarit në rastin “Titanik”, mes të cilave ish-kryeministri dhe lider i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, si dhe ish ministrat e Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski dhe e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, ish-shefi i kabinetit kryeministror, Martin Protogjer dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Kiril Bozhinovski, PSP kërkonte paraburgim si masë për sigurimin e pranisë dhe që të pamundësohet të ndikojnë ndaj dëshmitarëve apo të akuzuarve të tjerë. Të akuzuarit, ndërkaq, në mbledhjet publike në Gjykatën e Apelit u deklaruan se nuk janë fajtorë, se nuk kanë ndër mend të ikin dhe kërkuan heqje të masave të kujdesit. Refuzimi i ankesave nga ana e Gjykatës së Apelit do të thotë se të akuzuarit në rastin “Titanik” mbeten në liri, por u janë marrë pasaportat dhe mbetet obligimi që rregullisht të paraqiten në gjykatë. Gjykata e Apelit deri më tani i ka refuzuar të gjitha ankesat e parashtruara ndaj vendimeve të Gjykatës penale lidhur me lëndët e PSP-së.