“Gjurmime albanologjike”, me tri vëllime studime e recensione

53

Heroi homerik, Diomedi, kishte zgjedhur atë copë tokë ishullore si vendprehje për eshtrat e tij. Për shekuj më radhë, arkipelagu i Palagruzhës, kundrejt Dalmacisë, kishte pasur aty edhe një tempull që përnderonte kultin e mbretit të Argosit. Në këto linja shpaloset një trajtim interesant nga profesori i historisë në Universitetin e Zarës, Mithad Kozliçiq, me titull “Vela i Mala Palagruža (Pallagruzha e madhe dhe e vogël) – Ishujt e Diomedit”.

Ky është vetëm një nga studimet në mesin e mbi tridhjetë sosh të përfshira në numrin më të ri të revistës “Gjurmime Albanologjike – Seria e shkencave historike”.

Lajmin për botimin e saj e ka bërë të ditur të martën sekretari shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Lulëzim Lajçi.

“Doli nga shtypi numri më i ri i revistës “Gjurmime albanologjike – Seria shkencave historike”, nr. 49, Prishtinë, 2019”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në “Facebook”.

Në këtë numër të revistës janë përfshirë edhe prurje nga bashkëpunëtorë të jashtëm të IAP-së nga Kosova dhe rajoni. Kështu, albanologu gjerman Michael Schmidt-Neke, ka rrahur çështjen e përpjekjeve për njësimin e gjuhës shqipe në studimin “Komisia Letrare shqipe – një përpjekje për normëzimin e gjuhës nga jashtë”.

Me fokus nga antikiteti janë përfshirë edhe studimi i arkeologut Naser Ferri “Monumentet votive antike të gjetura në rajonin e Pejës” si dhe ai i Zana Hoxhës “Karakteristikat e bazilikave në tri nefe në territorin e Kosovës”.

Po kështu, Instituti Albanologjik ka botuar edhe numrin e 49-të të revistave analoge “Gjurmime albanologjike – Seria për folklor dhe etnologji”, “Gjurmime albanologjike – Seria e shkencave filologjike” si dhe revistës “Gjuha shqipe”.

“Këto janë botimet e fundit me të cilat po përmbyllim vitin 2019”, ka thënë Lajçi nëpërmjet një bisede telefonike për KOHËN.

Ai ka thënë se pavarësisht rrethanave të krijuara nga pandemia e koronavirusit, IAP-ja ia ka dalë që t’i realizojë planifikimet e veta me rreth dhjetë mijë faqe materiale të botuara.

Teksa ka njoftuar se tani është në shtyp kompleti 13-vëllimesh me veprat e Anton Çettës – si financim nga MASHT-I – Lajçi ka thënë se shtimi i rasteve me të infektuar ka bërë që të mos mbahet eventi tradicional “Java e Albanologjisë”.

“Këshilli Drejtues ka mbajtur një mbledhje online ku është marrë vendimi që orientimisht ‘Java e Albanologjisë’ të mbahet në shtator ose tetor, varësisht rrethanave”, ka thënë Lajçi derisa ka shtuar se bashkëpunëtorët tashmë i kanë dorëzuar rezymetë e tyre.

Në maj të këtij viti, IAP-ja ka nxjerrë nga shtypi në dy vëllime përmbledhjen me mbi 50 kumtesa nga konferenca që ishte mbajtur më 17 dhe 19 qershor 2018, në kuadër të edicionit të nëntë të “Javës së Albanologjisë”.

Gjatë periudhës së pandemisë ishin botuar edhe veprat “Peja gjatë antikitetit” me autor Naser Ferrin dhe “Muzeu etnologjik i Prishtinës dhe funksioni i tij” nga Valon Shkodra.

Ndryshe, revista “Gjurmime albanologjike” përbën një nga botimet e rregullta që konsiderohen si organe të përhershme të IAP-it. Me gjithsej 49 numra nga seria e shkencave filologjike, folklori dhe etnologjia si dhe seria e shkencave historike, revista në fjalë për një kohë ishte botuar në gjuhën frënge me titullin “Recherche albanologique”. Nga viti 2008, tri seritë e “Gjurmime albanologjike” janë bërë të qasshme edhe në versionin elektronik në “Central and Eastern European Online Library”.

Ndërkaq, revista “Gjuha shqipe” është botimi tjetër i IAP-it, që përfshin punime për çështje aktuale nga fusha e gjuhësisë zbatimore dhe kultura e gjuhës. Botime të tjera përfshijnë projekte, monografi për probleme të ndryshe albanologjike, monografi për autorë të vjetër të Rilindjes Kombëtare si dhe materiale të ndryshme folklorike etj.

Comments are closed.