Në katundet e Tetovës, tri ditë para Shën Gjergjit fëmijët i kanë larë vetëm me lule pa sapun. Madje, s’lanin asgjë me sapun, as duart, as fytyrën, as fëmijët, as anëtarët tjerë të familjes, po vetëm me lule dhe ujë, sepse sapuni bënë shkumë. Kur i lajnë fëmijët në fshatrat e Malësisë, adeti thuajse është i njëjtë; më parë me ujë ia lajnë duar edhe djalit edhe vajzës, pastaj djalit ia lajnë shpatullat e vajzës ia lajnë kofshët – kryqet!
Nga Neshat MEHMEDI
Në Malësinë e Sharrit ende janë prezente festat e motmotit, ndonëse mund të jetë zbehur me kalimin e kohës. Dita e Luleve që shënohet më 5 maj dhe Dita e Shën Gjergjit më 6 maj, në të gjitha trojet shqiptare festohen thuajse në të njëjtën mënyrë. Këto dy ditë motmoti më shumë gëzim u sillte fëmijëve dhe të rinjve, mirëpo, e gjithë familja ishte “në këmbë”, sepse nuk shënohen vetëm me rite ose e atmosferë të hareshme, por më shumë se kaq, me një angazhim të përgjithshëm, ku bara më së shumti bie te zonjat e shtëpisë.
Disa ditë më parë niste pastrimi i shtëpive, enëve të bulmetit e orendive shtëpiake, gjer te gëlqerosja e shtëpive. Ata nga uji i kazanit me ujë valë përvëlonin enët dhe gjësendet tjera. Ashtu si e mbushin me aromë të këndshme pemët me lule dhe lulet natyrën, ashtu të mbushen enët dhe sofrat me ushqime të ndryshme, të këndshme e të shëndetshme, që ashtu si mbushen pemët e fushat me lule, të mbushen shekat me bilmet, hambarët me drithëra, shtëpia me fëmijë e ahuri me gjë( kafshë ).
Më parë, shtëpiaket pastronin “izbet” me fshesë, lanin dhe gëlqerosnin nëpër shtëpi, sepse gëlqerja e hiri janë lëndë dezinfektuese. 3Me hi kanë la edhe enët e ndryshme: tepsijat, sënijat, pjatat, … sepse pastron shumë fortë yndyrën – është pastrues shumë efikas.
Rrobat e fëmijëve, rraqet e shtrojes, i kanë përvëluar me ujë valë, sepse për gjashtë muajt e dimrit (Shënmitër-Shëngjergj) ka patur shumë sëmundje ngjitëse dhe shumë morra e pleshta. Ashtu si përvëlohen rrobat, ashtu të përvëlohen parazitët e sëmundjeve ngjitëse, morrat, pleshtat dhe të këqijat që janë fshehur nëpër rroba. Dita e Luleve i ka grumbulluar të rinjtë e të gjitha katundeve, duke u dhënë një gjallëri të veçantë rrugëve, shesheve dhe katundeve në përgjithësi.
RITET
Në katundet e Tetovës, tri ditë para Shën Gjergjit fëmijët i kanë larë vetëm me lule pa sapun. Madje, s’lanin asgjë me sapun, as duart, as fytyrën, as fëmijët, as anëtarët tjerë të familjes, po vetëm me lule dhe ujë, sepse sapuni bënë shkumë. Kur i lajnë fëmijët në fshatrat e Malësisë, adeti thuajse është i njëjtë; më parë me ujë ia lajnë duar edhe djalit edhe vajzës, pastaj djalit ia lajnë shpatullat e vajzës ia lajnë kofshët – kryqet?! Ujë u lëshojnë më parë në duar si djemve dhe vajzave, sepse me anë të duarve të punojnë çdo gjë, psh. djemtë; të lërojnë, të mbjellin, kositin, korrin…, ndërsa vajzat të bëhen punëtore me emër , të tjerin, të bëjnë punë dore, të bëjnë punë të ndryshme të shtëpisë (të lajnë e shpërlajnë, të bëjnë çorapë, fanella, oja, xhamadana, ,… dhe punë të ndryshme; të mjelin lopët, dhentë, të bëjë djathë… dhe punë të fushës, të korrin, prashitin, mbushin patatet, të hedhin tërshërën, elbin,..pra të bëjnë punë e të fitojnë. Djemve ujë u lëshojnë në shpatulla që të bëhen të fortë e të shëndetshëm, sepse gjithnjë mbajnë bar – peshë të rënda, ndërsa femrave ujë u lëshonin në kryqe të bëhen të forta e punëtore dhe të lindin fëmijë sa më të shëndoshë e lehtësisht – kollaj …
Në katundin Brodec të Tetovës vajzat ditën e luleve kur janë kthyer nga Gjuri Turecit i kanë futur flokët – bishtat (gërshetat) në ujë të lumit, janë kthyer me kokë nga shtrati i lumit, janë ulur në gjunjë dhe flokët apo gërshetat i kanë lëshuar që të prekin ujin e lumit ‘’ashtu si shkon ujë të rrajten flokët e caucave’’.8 Vajzat e Bozovcës dhe të Veshallës flokët i presën dhe i hudhin në lum, duke përsëritur tre herë: për nji javë sa nji pllamë, për nji muj sa nji dujë.
Adetet ndryshojnë shumë pak nëse krahasojmë katundin nga katundi, por thelbin – qëllimin e kanë të pandryshuar në përgjithësi. Një ditë para Ditës së Luleve gratë dhe fëmijët mbledhën lule të ndryshme: lule ftajni (dybeku), lule zogu -( manushaqe ), lule xhalexhishte – aguliçe, lule nga pemë të ndryshme e lule të tjera. Lulet e mledhura i varin në një pemë të lulëzuar, ashtu si lulëzon pema dhe jep fruta, ashtu të rinjëve dhe të rejave tju shkoj tërë viti me mbarësi, gjallëri në punët e përditëshme. ( Në Shipkovicë i mbledhën lulet për t’i larë fëmijët ditën e luleve kur kthehen vajzat për në shtëpi… dhe të nesërmen – ditën e Shëngjergjit i lajnë fëmijët),lulet që i mbledhin s’bën të lëshohen në tokë sepse dergjin fëmijët.
Në mbrëmje fëmijët ose të tjerët që lahen, lulet i marrin nga pema dhe i futin në kovën me ujë të ngrohtë dhe lahen të gjithë anëtarët e familjes me ujin me lule, ashtu si lulëzojnë lulet, ashtu si e zbukurojnë natyrën lulet, ashtu duhet të hijeshojnë fëmijët shtëpinë, fushën, stanet,… Larja bëhet në koritë ( lloj vaske nga druri)ose hamam dhe e vendosin një gur, ku duhet të ulen anëtarët e familjes, me simbolikën se ashtu si është guri i fortë,i qëndrueshëm ndaj ndryshimeve të ndryshme klimatike, ashtu të bëhen të fortë dhe të qëndrueshëm ndaj sëmundjeve ngjitëse, ndaj kushteve klimatike dhe ndaj vështërsive të ndryshme që i hasin në jetën e përditëshme, ndërsa ujin e derdhin në përrua apo vijë (përrockë), që të ligat t’i bartë uji i përroit ose vijës. Nga fundi i larjes nënat thonë: “Ujë teposhtë gjali terma! Ujë teposhtë cauca terma’’ Kuptohet tri herë ose ‘’ujë teposht shëneti i caucës – gjalit terma9’’.Të njëjtat fjalë i thonë edhe kur e derdhin ujin në përrua ose vijë,sepse ujë pastron dhe i bartë me vete të ligat dhe të këqijat që e rrethekojnë njeriun.
Përpos luleve kanë mbledhur barna – kullosa të ndyshme një ditë para ditës së luleve që t’i kenë gati për ditën e Shëngjergjit si: qepë arushe, kullosë jeshile, hithra dhe lule të ndyshme. Të tëra këto bimë i kanë grirë dhe i kanë përzier bashkë me kripë dhe krunde,me këtë përgatitje i kanë kripur sa më herët në korita( nga drurie gjatë tre metra dhe e hapur në mes me një gjërsi afro njëzet centimetra e me thellësi dhjetë deri në pesëmbëdhjetë centimetra) apo xhollë (rasa nga guri) lopët, dhitë dhe dhentë, që tamlin( qumështin ) ta kenë më me bollëk dhe mos t’ua marrin delet e qehajës tjetër, pra dhentë, lopët,… si kanë lënë të lëpijnë në xhollët e huja gjatë tërë vitit kalendarik, me të vetmin qëllim që e përmendëm më lartë. Ditën e nesërme, Ditën e Shëngjergjit marrin një pe me ngjyrë të zezë dhe e vëndojnë në rrugë nga skaji në skaj, ku kalon tufa e qehas Lavdrimit, me qëllimin e keq që tufa e dhene – deleve ta shterroj qumshtin për tërë vitin, pra delet të thajnë qumshtin.
VARJA E RROBAVE NË PEMË
Gjyshet, nuset e reja, nënat, motrat e fëmijëve ditën e luleve i marrin teshat e fëmijëve dhe të anëtarëve të tjerë dhe i vendojnë në pemë herët në mëngjes ende pa aguar dita, në të gjithë katundet e malësisë është vepruar njëjtë; tirqit, xhamadanët, këmishët, dimijat, straukat, nallet, kësulat, brezat, lurkat, çorapët, opingat e të tjerë, me uratën: “Ashtu si kanë lulëzuar pemët, ashtu të lulëzojnë fëmijët dhe anëtarët e familjes, pra të gjallëroj jeta në familje me të gjithë të mirat, sepse pema e lulëzuar është e bukur dhe frutdhënëse, edhe të rinjtë të bëhen të pashëm, të shëndetshëm dhe punëtorë, që në familjet e tyre me anë të punës të krijojnë mirëqenien”.
SHKUARJA PËR LULE
Në Ditën e Luleve herët në mëngjes, pa gdhirë agimi i marrin teshat nga pemët i veshin, pra që me natë janë nisur në mal për të mbledhur lule. Vajzat nga katundi i Bozovcës, Veshallës, Brodecit, Vejcës, Shipkovicës, … janë nisur për te Guri Caucave mahallë – mahallë, por me përcjellje të djemve apo burrave, duke kënduar e duke u rënë dajreve (pra këngët janë përcjellur me dajre). Rruga është e gjatë dhe e lodhshme dhe shumë përpjetë (“terma” si i thonë vendasët), vende – vende janë ulur, kanë pushuar dhe kanë kënduar këngë beqarie, ushtrie e të kurbetit, të gjitha vajzat në grup, po rrallë kanë kënduar edhe këngë të namëve, me të vetmin qëllim për të thumbuar vajzën që e kanë lipur për vëllain apo djali që e ka lipur vajzën për nuse, por që kanë përfënduar të pasuksesshme, as vajzat e lagjeve të tjera s’kanë heshtur , si në fragmentin këngës si vijon:
Ori mollë ori mollë me bojë
Kit dunjaja folin për toj
Kit ne folin ne hakatin
Mollën në maje sën e ngatin
Kit kanë fol e kit kanë hakat
Mollën në maje sën e kanë n’gatë 18
Ngata krajet në dritare laskra kapërci
Xhi mo nget nij pusto lemza lotët m’i shpërthi
Lotët m’i shpërthi e më kalli
Më ka ba të verdhë S’i portokalli
Lotët m’i shpërthi e më smuni
më ka ba të verdhë sikur limuni 19(…)
MBLEDHJA E LULEVE, PËRGATITJA E RRATHËVE
Rrathët:Para se me mbërri te Guri i Cucave, ka vende ku ka lule shëndeti dhe të gjithë mbledhin dhe bëjnë rrathë nga filizat e manaferrave e të shelneve dhe i mbushin me lule që ka aromë shumë të këndshme dhe me lule të tjera:djemtë, vajzat, fëmijët … sipas traditës rrathët i vëndojnë në kokë të gjithë, sepse lulet e shëndetit rriten kryesisht në shkëmbi dhe gurë, ashtu si është shkëmbi i forte, i qëndrueshëm ashtu të bëhen të forte e të qëndrueshëm të rinjtë e te rejat ashtu si lulet që zbukurojnë rrathët dhe natyrën, ashtu djemtë, vajzat dhe fëmijët të bëhen të bukur, të dashur, kulturuar, të fortë e të gjindshëm në situate të ndryshme gjatë jetës, po ashtu me pamjen e tyre të zhvilluar të zbukurojnë shtëpinë, familjen dhe rrethinën ku punojnë e jetojnë dhe rrathët me lule që i vëndojnë në kokë është me rëndësi që ti mbrojnë të rinjtë gjatë tërë vitit mos ju dhemb koka, ashtu si lulja që rritet në gurë, ashtu fëmijët që mbajnë lulen në kokë të bëhen të forte si guri ku rritet lulja.
Pasi zbresin në livadhet e katundit vajzat vënë shilarësen (shilarës apo kolovajzë) në degë të pemëve me dy litarë (për shkaqe sigurie) ku mund të shiluren një dhe dy vajza për njëherë. Vajzat i shilurin djemtë, po edhe vet vajzat. Ka raste që shilurin e luhatin përnjëherë dy vajza me dy tërkuza dhe bashkërisht këndojnë këngë, për vëllain e vajzës që e ka ushtarë, gurbet, të fejuar ose beqarë, që ka hipur në shilur, të njëjtën gjë e bëjnë edhe vajzat e lagjeve tjera.
Qëllimi i ritit: Ashtu si kanë gjallëruar lulet të gjallërojnë dhe të ketë mbarësi familja, blegtoria, prodhimet blegtorale ose si mbushen pemët, fusha e bjeshkët me lule ashtu të mbushen shtrunget me tamël, shekat me djathë.
LOJËRAT E VAJZAVE DHE DJEMVE NË DITËN E LULEVE
Në ditën e luleve granimi, zojat e shtëpisë shkojnë në lumë dhe rrotullojnë në skaj të lumit gurëz sa më të mëdhenj, sepse kur të tundin tamlin -qumështin, kosin, kajmakun në dybek, të nxjerrë të tundmen e tëlynit ashtu të madh sikur gurin që e kanë rrotulluar në lumë. Ka raste që gurin e marrin dhe e futin në koritë te kroni dhe mbi të e vëndojnë kovën apo kusin dhe e mbushin me ujë, dhe me këtë ujë e lajnë ftajnin (Dybekun), që kur të tundin kajmakun, qumështin,… të nxjerrë tëlyjnin aq sa është guri i madh.
Duhet përmendur se në katundet e malësisë së Sharrit të Tetovës, qehallarët kur kanë dalur me bagëtinë në stane në bjeshkë, zonjat kur kanë tundur qumështin, kajmakun, hirën në ftojë – dibeg kanë futur borë, me të vetmin qëllim që qumështi apo hira ,… të nxjerr më shumë tëlyn dhe mos tundet shpejtë (Fëmijët i detyronin nënat të shkojnë larg staneve disa kilometra për me marrë bore).
BUKA E PA THYER DHE DARKA
Gratë Ditën e Luleve zënë bukë sipas nevojës familjare: pesë, gjashtë… Pasi i pjekin bukët, një bukë të plotë – të pathyer e lënë mënjanë që të mos thyehet, pra e largojnë nga magjja e bukës në një vend të sigurt që mos e thejnë fëmijët, pra të arrijë ditën e Shën Gjergjit pa u thyer buka, i njëjti rit praktikohet në të gjithë katundet e malësisë.
Buka e pathyer simbolizon të gjithë anëtarët e familjes, ashtu si është buka e plotë të jenë të bashkuar të gjithë anëtarët e familjes, pa asnjë gjë të ligë përbrenda anëtarëve të familjes gjatë tërë këtij viti kalendarik. Besohej se nëse s’ka bukë të plotë, atëherë në mesin e anëtarëve të familjes brenda vitit mund të ndodhë ndonjë e ligë… Bukën e pa thyer e HANË ditën e nesërme, pra, ditën e Shën Gjergjit, atëherë kur të vijnë bijat, siç është adet.
PËRGATITJA E GROSHËS
Zonjat e shtëpive për darkë përgatitin grosh, por pa mish, qëllimi është shumë domethënës, anëtarët e familjes të mos grinden ndërmjet veti, të mos hahen e të nxjerrin mish, ashtu si hahet mishi, mos të hahen ndërmjet vet, po të kenë harmoni familjare, dëgjueshmëri dhe respekt ndaj njëri – tjetrit në familje. Ndërsa pas darkës mishin e kanë shfrytëzuar për ruajtjen e natës së Shën Gjeregjit. Për mish kanë përdor mish pule, të qengjave dhe të kecave.
Në këtë natë kanë gatuar gurabija, brumit i kanë futur vetëm të bardhën e vezës, sodë buke, sheqer, sepse gurabijat bëhen më të forta dhe të qëndrueshme, e ashtu si bëhen të forta gurabijat të bëhen të fortë dhe të qëndrueshëm edhe familjarët e tyre. Po ashtu edhe fati i fëmijëve të tyre të jetë i bardhë për tërë vitin si e bardha e vezës.
NATA E SHËNGJERGJIT
Vajzat që mblidheshin apo bashkoheshin sipas lagjeve apo familjeve për të ruajtur natën e Shën Gjergjit, shkonin me produkte të veta: njëra me vezë, tjetra me miell, e dikush me qumësht, dhe pas pjekjes i kanë ndarë gurabijat në mënyrë të barabartë. Natën e Shën Gjergjit, përpos djemëve dhe vajzave e kanë ruajtur edhe fëmijët (fëmijët me të familjes e ndonjë të lagjes deri në ora 10 apo 11 të natës dhe kanë rënë të flenë)
Djemtë në Bozovcë, janë organizuar sipas dëshirës dhe shoqërisë në grupe: Grupi s’ka qenë shumë i madh shtatë apo nëntë vete, për këtë natë kanë therur qengja,i kanë zier apo pjekur në saç dhe e kanë ngrërë pas mesit të natës. Tërë natën kanë kënduar, kanë luajtur lojëra të ndryshme; qibrit, myhir (unazë) , bëz dhe tregime të ndryshme të humorit, ndërsa katundin Brodec të rinjtë janë organizuar për te ruajtur natën e Shëngjergjit grupe – grupe sipas moshës, farefisit dhe shokëve në një shtëpi dhe kanë përgatitur pula të pjekura e birijanë.
GATIMI I FLISË, THYERJA E VEZËVE …DITËN E SHËN GJERGJIT
Pa zbardhur agimi gratë zgjohen dhe përgatitin qullin që të gatuajnë flija. Flija gatuhet thuajse në tërë katundet e Malësisë së Sharrit, ndërsa vajzat që janë beqare në prushin e zjarrit futin nga një kokërr vezë për të provuar fatin. Në atë drejtim apo lagje që ka krisur ( pëlcitur ) veza, në atë drejtim do ta ketë fatin dhe do të fejohet – martohet, kurse vezën e pjekur-ose të plasur e ka ngrënë ai person për të cilin ka plasur veza, as e si nuk bën që vezën e plasur të tjetërkujt të hajë tjetërkush.
Ditën e shën Gjergjit flijë u kanë çu nuseve të fejuara dhe vezë të ziera, ashtu si gatuhet flija renda – renda, ashtu nuset e reja – të fejuarat të bëjnë punët e shtëpisë dhe të darisë – çezit krejt me rend, pra ta vëndojnë punën përpara, ndërsa vezë ju kanë çuar nuseve: ashtu si është e bardhë e vezës së zier, çashtu të ketë zemrën e bardhë, edhepse vezën e ngjyrosin me llojlloj ngjyrash, po kurrë s’mund ta ngjyrosin të bardhën e vezës. Hallkit – të tjerët sa të duan të flasin fjalë, kotë e kanë, aq sa kanë mundësi me njollosur të bardhën e vezës, aq kanë mundësi me e njollosur nusen. Në mëngjes herët duhet të zgjohen të gjithë anëtarët e familjes ose sa më herët se të tjerët e lagjes ose të katundit për të patur mbarësi.“Ditën e Shënxhexhit i lagjim njerëzit e shpojsë, shtratnat, odat, drithnat, izbet, bilmetin, hajvantë, lamën me ujë të mushëm në kroj, po pa folë”( pa bërë bisedë me askënd).
Me qëllim që të ngriten herët që të tjerët mos j’ua lëshojnë gjumin, dembelinë, të ligat, e anëtarët mund të ndodhë që të kenë vuajtje në shëndet. Ujë pa folë kanë mbushur që brenda familjes të mos ndodhin grindje, po të mbretërojë harmonia familjare, si brenda shtëpisë, ashtu edhe jashtë saj. Më herët në furrë të zjarrit, për ditën e Shën Gjergjit kanë vënë kusi me bakërdar për të zier, e jo fli. Bakërdari zihet top dhe të gjithë anëtarët e familjes të jenë top, të bashkuar, grumbull. Bakërdarë kanë zier edhe atë natë që ka shkuar në kurbet anëtari i familjes. Fli nuk kanë gatuar sepse kur e hedh lugën e brumit e derdhë,pra kjo derdhje të mos ndodhë edhe te anëtarët e familjes, të mos shpërndahen. Ditën e Shëngjergjit herët në mëngjes, vajzat dhe djemtë plasin vezë në zjarr ku gatuhet flija. Vezët i plasin të afërmit e tyre; nëna, gjyshja ose vet vajzat. Vezët nga temperatura e lartë krisin-plasin. Në drejtimin që plas veza në atë drejtim është fati-kismeti i vajzës ose i djalit. Nëse veza pëlcet më shpejt, edhe fati i vajzës apo i djalit do të zgjidhet më shpejtë ose në të kundërtën nëse veza do pëlcet me vonesë fati i vajzës – djalit do të vonohet për fejesë.
PËRSHELNE – POTKA
Ditën e Shën Gjergjit vajzat e mëhallëve – lagjeve shkojnë herët në mëngjes për shelne – potka, në grupe – grup ashtu si e kanë ruajt natën e Shëngjergjit, por të shoqëruar nga një anëtarë i familjes, qoftë grua apo mashkull. Atje në natyrë gjejnë një vend të mire ku mund të shiluren. Këndojnë të afërmit e tyre që janë beqar, gurbet, e fëmijët e vegjël. Pasi dëfrehen mirë, presin degë të holla nga shelnet për veten e tyre, për të afërmit e familjes dhe për arr shkojnë nëpër arat e mbjellura dhe i vëndojnë – ngulin shelnet, si zë shelnja e rritet kollaj, të zënë drithërat e mbjellur dhe të rriten kollaj.63Thuprat nga shelnja i vënë për beli; vajzat, grate, fëmijët, pra të gjithë anëtarët e familjes me të vetmin qëllim: Ashtu si rritet kollaj shelnja – shelgu, ashtu kollaj të rriten fëmijët, ashtu si është elastike shelnja, ashtu të jetë elastik beli i të gjithë anëtarëve të familjes dhe mos t’iu dhemb kurrë gjatë jetës e kryerjes së punëve të ndryshme në shtëpi e jashtë shtëpisë, sepse është organ shumë i ndjeshëm dhe lëndohet shumë kollaj gjatë kryerjes së punëve të ndryshme e të rënda.
Shelne vënë edhe nëpër dyert e shtëpisë, të ahurit të bagëtive, në pleh, nëpër dritare e në enë, … ndërsa në shipkovicë ven degë thane.
ÇFARË MËSOJMË NGA KËTO FESTA?
Pra, dy-tri ditë njerëzit të harrojnë realitetin e hidhur , duke iu lëshuar gjallërimit, gëzimit e haresë, këngëve nëpër çardake, e valleve nëpër lëmë e rrugët e lagjeve, shkurt, janë ditë kur gjallërojnë familjet, shtëpitë, rrugët, kodrat dhe katundet në përgjithësi. Kudo festohet, kudo… pa dallim gjinie, malet ushtojnë bashkë me kodrat e majat e larta të Sharrit – Korabit- Tomorit. Këndojnë fëmijët, të rinjtë e të rejat. Me rëndësi është edhe simbolika e çdo riti, i çdo veprimi. Pastërti, plleshmëri, shëndet, trashëgimi, lumturi jete… Një shtëpi – familje që s’ka pjellshmëri, s’ka përtrirje ajo s’ka as ardhmëri, shkurt shuhet dhe i vendohet një dry. Këto festa të bukura na mësojnë si të duam familjen, gjuhën, kulturën, njëri tjetrin, natyrën bashkë me të mirat që na i dhuron nëse dimë ta shfrytëzojmë, lulet dhe dobitë nga ta, ujin dhe fuqinë e tij,… na mësojnë se si bashkërisht të bëjmë fuqinë dhe të ndryshojmë ardhmërinë, që t’i duam fëmijët të rriten si pemët në kopsht, të shëndoshë si lisat në mal, të bukur si lulet në natyrë, të fortë e të qëndrueshëm si gurzit në lum për punë të lehta e të vështira, të pasur ashtu si mbushen pemët, fushat e bjeshkët me lule, të këndshëm e të pastër si uji i burimeve… (koha.mk)