Gjurmët e VMRO-së, “Shkupi 2014” i paprekur nga pushteti aktual

Shkup, 23 qershor – Përveç përmendores së Andon Qoses, personalitet kundërthënës historik apo i njohur si likuidues i VMRO-së, nuk është lëvizur asnjë nga përmendoret dhe statujat tjera kontestuese.

Mirosllav Gërçev, koordinator i grupit punues në Ministrinë e Kulturës, për të analizuar projektin “Shkupi 2014”deklaroi se deri më tani kanë rekomanduar heqjen e 17 përmendoreve, ndërsa është larguar vetëm një, transmeton Alsat-M.

“Kur do i shihni ato përmendore groteske, ato edhe më tej dëshmojnë se ne jemi edhe më tej shtet i robëruar, nuk na ka robëruar grupi i kriminelëve të VMRO-së, por ne jemi të robëruar nga mospasja e fuqisë efikase dhe nga impotenca”.- tha Mirosllav Gërçev.

Zëdhënësi i Qeveris, Muhamet Hoxha, tregoi se është i vetëdijshëm se Ministria e Kulturës ka dërguar rekomandime për ndryshimin e projektit Shkupi 2014, por përkujton se ky është një rast i ndjeshëm.

Nga Qyteti i Shkupit thonë se janë të gatshëm të ndërmarrin masa për përmendoret që i kanë në kompetenca të tyre. Por kreu i Shkupit arsyetohet se procesi ka ngecur në relacionin Ministri e Kulturës – Qeveri. (koha.mk)