Bujar KURTAJ
Shkup,12 mars – Harun Isa është njëri nga futbollistët më të njohur shqiptar nga Maqedonia që karrierën e tij si futbollist e ka kaluar jashtë kufijve. Me prejardhje është nga Tetova, ndërsa karrierën e ka nisur nga mosha 15 vjeçare tek KF Luboten, ndërsa transferimin e parë e ka bërë në moshën 19-të vjeçare kur u transferua te skuadra e Lirisë nga Prizreni. Gjatë karrierës së tij ka luajtur për Radin nga Beogradi, KF Prishtina, Teteksin, ndërsa Maqedoninë vendosi ta braktis në vitin 1992, duke shkuar në Gjermani, respektivisht te skuadra e Hertha Zelendorf. Duke marrë parasysh talentin që ka pasur, ai ka lënë gjurmë edhe tek skuadrat tjera si Hertha BSC Berlin, Tebe Berlin, Ergerbirge Aue, Union Berlin dhe së fundmi luajti te VFL Osnabruck. Karrierën për fat të keq është detyruar ta ndërpresë në moshën 35-së vjeçare pas një lëndimi të rëndë të gjurit. Momentalisht Isa ka firmën e tij, e cila merret me autopjesë, ndërsa herë pas herë punon edhe si menaxher. Në intervistë për gazetën KOHA, Isa flet për karrierën e tij, momentet më të mira dhe të këqija, eksperiencën në klubet gjermane dhe shumë gjëra tjera interesante.
KOHA: E fillove karrierën në Luboten dhe e përfundove në Osnabrik në vitin 2004?
ISA: Karrierën si futbollist e kam filluar në moshën 15 vjeçare te skuadra e Lubotenit. Më 19 vjet jam transferua te KF LIRIA e Prizrenit, ndërsa një vit më pas u transferova te skuadra e Radit nga Beogradi. Pas 12-të paraqitjeve, drejtuesit e klubit më huazuan te KF Prishtina ku luajta vetëm në gjashtë ndeshje dhe pastaj u riktheva përsëri te Radi. Në janarin e vitit 1992 u ktheva në Tetovë, por te skuadra e Teteksit ku qëndrova deri në qershor të vitit 1992. Një muaj më pas u shpërngula në Gjermani te skuadra e Hertha Zelendorf për të cilën bëra 46 paraqitje dhe shënova 26 gola. Pas këtyre paraqitjeve të mira, në vitin 1994 u transferova te skuadra e Herta BSC Berlin (29 paraqitje, 5 gola), për të vazhduar më pas te Tenis Borusia Berlin (1995, 103 paraqitje, 30 gola), Erzgerbirge Aue (2000, 27 paraqitje, 12 gola), Union Berlin (2000, 62 paraqitje 22 gola) dhe VFL Osnabruck (2002, 35 paraqitje, 10 gola). Në fakt Osnaruck ishte klubi im i fundit ku qëndrova deri në vitin 2004, ku edhe më pas për shkak të një lëndimi dhe intervenimi kirurgjik të gjurit, përfundova karrierën time futbollistike.
KOHA: Mendon se do kishe një karrierë të suksesshme nëse nuk do të iknit jashtë Maqedonisë?
ISA: Nuk mendoj se do kisha një karrierë të suksesshëm, sepse Liga e Maqedonisë ka qenë dhe akoma është Liga shumë e dobët, edhe pse në atë kohë ende ishte koha e Ish-Jugosllavisë, dhe siç e dimë ajo Ligë ishte shumë e fortë.
KOHA: Cila ka qenë eksperienca juaj më e bukur në krye të një ekipi gjerman?
ISA: Eksperienca më e bukur ka qenë finalja e kupës së Gjermanisë në vitin 2001 si futbollist i FC Unionin. Në një atmosferë jashtëzakonisht të mirë, u ndeshëm kundër skuadrës së Shalke 04 në stadiumin Olimpik në Berlin para 74 mijë shikuesve. Pësuam disfatë do të kisha thënë të pafat me rezultatin 2:0.
KOHA: Po eksperiencën në ekipet e ish-Jugosllavisë i KF Rad nga Serbia, Liria nga Prizreni dhe KF Prishtina nga Kosova. Mund të na kujtosh ndonjë ndeshje të veçantë në këto ekipe?
ISA: Ka qenë periudha kur isha futbollist i Lirisë. Luajtëm në Kupën ‘Marshal Tito’ kundër ‘Crvena Zvezdës’ në vitin 1989 në stadiumin “Marakana”. Shënova dy gola në atë kohë kur ‘Zvezda’ ishte një super-ekip, pasi një vit më vonë ata e fituan Ligën e kampionëve.
KOHA: Momenti më i mirë dhe më i keq gjatë karrierës tuaj?
ISA: Kam shumë momente, por për mua ishte ajo si 20-vjeçar kur nënshkrova kontratën profesionale me KF Rad në Ligën e parë të ish-Jugosllavisë. Ajo ishte ëndrra ime edhe pse isha pranë kalimit te Dinamo Zagrebi, por për fat të keq kjo nuk u realizua. Gjithashtu, kam pasur ofertë nga Oviedo nga Spanja, e cila atëherë luante në Primera Divizion, por në atë kohë të luash në Ligën e parë të Jugosllavisë ishte një sukses shumë i madhe. Sa i përket momentit të keq në karrierën time, pa dyshim se është lëndimi i gjurit në vitin 2004 ku edhe u detyrova të përfundoj karrierën.
KOHA: Ju ka mbetur gjë “peng” nga e kaluara si futbollist?
ISA: Sigurisht se po. Ishte viti 1994 dhe isha pjesë e skuadrës së Hertha Zehlendorf, ndërsa unë isha golashënuesi më i mirë në ligë me 22 gola të shënuara. Pas kësaj menaxheri i Bajer Leverkuzenit donte që të shkoj tek ata, por për fat të keq unë lëndohesha shpesh. Pasi i morën informata se pse lëndohem shpesh, ata nuk deshën të rrezikojnë dhe me këtë dështoi edhe transferimi. Kur jemi të lëndimet vetëm dua të përmend se gjatë karrierës sime 35-së vjeçare kam pasur 20-të lëndime muskulore.
KOHA: Sa keni arritur të leni gjurmë në Gjermani, duke marrë parasysh se nga viti 1992 e deri më 2004 ndoshta edhe më shumë, keni qëndruar atje?
ISA: Gjurmë besoj kam lënë, sepse vërtet kam pasur suksese dhe kam krijuar respekt të mjaftueshëm tek të gjitha klubet ku kam luajtur. Më vjen mirë kur u ofroj ndonjë lojtar ish-trajnerëve të mi ose ndonjë drejtori sportiv, më thonë se u nevojiten lojtar si unë. Dhe kjo më bën që unë të ndjehem krenar.
KOHA: Keni ende kontakte me njerëzit me të cilët ke luajtur, dhe a ke pasur ndonjë ofertë që të vazhdosh të qëndrosh atje edhe pas përfundimit të karrierës?
ISA: Sigurisht se kam kontakte, edhe atë me ish-lojtarët e mi dhe klubet ku kam luajtur. Vitin e kaluar kam pasur një ofertë nga ish klubi im Hertha BSC të punoj si skaut, pasi shoku im aty është shef skauti të parë. Mirëpo, unë nuk pranova sepse ajo është një punë ku duhet shpesh të jem larg familjes, e ajo nuk më pëlqen sepse për mua familja është në rend të parë se sa të ardhurat financiare.
KOHA: Si është e mundur që pas gjithë asaj karriere të pasur dhe të suksesshme, nuk keni luajtur asnjëherë për përfaqësuesen e Maqedonisë?
ISA: Arsyeja se pse nuk kam luajtur për përfaqësuesen e Maqedonisë as unë nuk e di. Njëherë kam pasur takim me ish-trajnerin Çaslav Bozhinovskin, i cili më thae se unë duhet të luajë në Bundesligë e mandej mund të më tharësin të luaj. Derisa, unë atëherë isha te Hertha BSC në Bundesliga 2. Vetëm një ish-lojtar nga Maqedonia më ka thënë se si mundet që një lojtar si unë që isha atëherë, të mos luaj për Maqedoninë.
KOHA: Kemi informacione se herë pas herë kryeni edhe rolin e menaxherit. Si po ecin punët në këtë drejtim?
ISA: Punoj si menaxher, por tre vitet e fundit punoj shumë pak me lojtar, sepse shumë lojtar më kanë tradhtuar dhe aty jam shumë prekës kur dikush më gënjen ose më tradhton. Ndoshta pse vetëm jam shumë i sinqertë dhe nuk mund të tradhtoj ose të gënjej, kohën e fundit siç thash merrem shumë pak me këtë punë. Pastaj kam edhe firmën time e cila merret me autopjesë.
KOHA: Mund ta shohim në të ardhmen Harunin të ndonjë ekip i Ligës së parë futbollistike të Maqedonisë, pse jo edhe në ndonjë detyrë tjetër?
ISA: Unë nuk mund të punoj në ekipet nga Maqedonia sepse mua nuk mund të më kuptojnë. E marr si shembull KF Shkëndija. Si mund që ky ekip çdo gjashtë muaj ose çdo vit të blenë trajnerë të ri dhe 4-5 lojtarë të ri, ndërsa unë do isha kundër kësaj. Le të blejnë lojtar të ri, por ata të jenë me kualitet të madh dhe jo më shumë se 4-6 lojtarë, ndërsa të tjerët të jenë te rinj e regjionit pasi ne kemi shumë talente dhe atyre duhet t’iu jepet shansi. Të rinjtë duhet të paktën në moshën 17-18 vjeçare të fillojnë të luajnë në ekipin e parë, ndërsa ne kemi 3-4 të rinj çka mund luajnë. Nuk dua asnjërin të ofendoj, por unë si ish-profesionist e them mendimin tim sinqerisht.
KOHA: Me siguri e përcillni futbollin vendor, sipas jush cilat janë problemet që ekipet shqiptare nuk po arrijnë të dominojnë?
ISA: Ekipet tanë mirë qëndrojnë me financa, ndërsa përveç Shkëndijës e Vardarit, të tjerët nuk janë kush e di sa mirë dhe për atë shkak duhet që na të jemi të kënaqur me rezultatet e deritanishme. Komplimente Renovës se ata vitet e kaluara kanë pasur sukses dhe tash pak kanë stagnuar, por mos harroni se në Renovë luajnë shumë të rinj nga rajoni jonë dhe ajo është shumë pozitive dhe përsëri kanë shanse të shkojnë në Evropë.
KOHA: Po rezultatet e dy ekipeve tetovare Shkëndija dhe Renova si i vlerësoni?
ISA: Më lart thash se Renova është mirë, sepse luajnë me shumë të rinj dhe lojtarë anonim kurse Shkëndija as mirë as keq. Aktualisht janë në vendin e dytë dhe kanë një konkurrent të fortë Vardarin, por në futboll gjithçka është e mundshme sepse edhe Shkëndija ka një ekip të fortë dhe mund të lufton për vendin e parë.
KOHA: Si e kalon ditën një ish-futbollist që nuk luan e nuk stërvitet dot? Sa të mërzit kjo gjë?
ISA: Dita më kalon mirë, por shumë herë hy në mendime për kohën kur kam luajtur dhe në televizion i shoh gati krejt lojërat e Spanjës, Anglisë dhe Gjermanisë. Normal çka arrij me kohë dhe shokët më kritikojnë pse shumë emocionohem kur shoh futboll.
KOHA: Jeni i martuar, keni një djalë dhe një vajzë. Dëshiron që djali juaj të ndjek hapat e babait?
ISA: Jam i martuar dhe kam një vajzë 14-të vjeçare dhe djali 10-vjeçar. Djali merret me futboll dhe luan te KF Shkëndija, ndërsa shumica me thonë se ka ngjashmëri me mua. Por, do të shohim, dashtë Zoti arin të bëhet një futbollist i dalluar, edhe pse çdokujt por edhe djalit tim i duhet fati dhe sigurisht se i nevojitet shumë punë pasi talenti nuk të mjafton për të arritur sa më larg.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.