Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë që të mos bëhen pjesë e Ushtrisë së Kosovës, duke theksuar se në bazë të Ligjit penal të Serbisë “pjesëmarrja në formacionet ilegale të armatosura është e dënueshme deri në dhjetë vjet burg”.
Ai theksoi se formimi i Ushtrisë së Kosovës është ilegal dhe bie ndesh me Rezolutën 1244 dhe Marrëveshjen së Kumanovës dhe është kundër qëllimeve të shtetit serb.
Gjuriç tha se Lista Serbe, e cila kundërshton formimin e Ushtrisë në Kosovë ka mbështetjen e presidentit Aleksandër Vuçiç dhe qeverisë serbe.
Duke folur për platformën që ka propozuar Qeveria e Kosovës, me të cilën është paraparë që bisedimet në Bruksel të finalizohen me njohjen e Kosovës, Gjuriç thotë se qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare do të shihet në qoftë se Parlamenti i Kosovës e miraton këtë platformë.
“Prishtina nuk ka bën asgjë pa pëlqimin e bashkësisë ndërkombëtare. Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk dëshiron që të miratohet platforma ata do t’u thonë miqve dhe partnerëve të tyre të mos e miratojnë në Parlament”, tha Gjuriç.