Podgoricë, 21 shtator – Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq deklaroi sot se prania e misionit vëzhgues të Rrjetit evropian të organizatave për monitorimin e zgjedhjeve (ENEMO) ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për karakterin demokratik të procesit zgjedhor në Malin e Zi.
Në bisedë me shefin e misionit, Xhanluka Pasarelli, në Podgoricë, Gjukanoviq tha se në fund të procesit, të gjithë kishin arsye të jenë të kënaqur, sepse, siç tha ai, Mali i Zi tregoi kapacitet demokratik, edhe krahas paralajmërimeve për komplikime të mundshme, dhe një bazë demokratike të fortë që është në gjendje t’i përgjigjet nevojës për tranzicion të pushtetit.
E gjithë kjo, tha Gjukanoviq, është një konfirmim i mirë se ne nuk i kemi humbur 30 vitet e kaluara dhe se përkundër vëzhgimeve kritike dhe paragjykimeve ndaj Ballkanit nga adresa të caktuara, ne ende kemi një numër të konsiderueshëm të praktikave që e konfirmojnë kapacitetin për standardin Evropian dhe anëtarësimin në BE.
Ai tha se Mali i Zi, pasi do ta lexojë me kujdes Raportin ENEMO, si më parë, do të punojë në eliminimin e dobësive dhe përmirësimin e sistemit zgjedhor.
Pasareli vuri në dukje se ishte dëshmitar i një momenti historik, jo vetëm për shkak të rezultateve të zgjedhjeve, por edhe për shkak të qëndrimit dhe vendimit të Gjukanoviqit, për të cilin, tha ai, mund të krenohet sepse paraqesin një hap drejt pjekurisë demokratike.