Evis HALILI
Shkup, 7 shtator – Nëse debati në Parlament për Ligji për gjuhën shqipe ka ashpërsuar tonet mes deputetëve për shtrirjen e tij në rang vendi, masat e specifikuara për mbrojtjen e gjuhës gjatë përdorimit institucional janë ato që preokupojnë më shumë gjuhëtarët, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse deri tani nuk është janë përfshirë as ekspertë apo institucione, si katedra, institute e të tjera, gjuhëtarët janë të mendimit se masat për mbrojtjen e gjuhës duhet të jenë rigoroze, ndërsa licencimi i lektorëve një prej hapave të parë që duhet të ndërmerren. Sipas Ligjit, nëse do të miratohet pa ndryshime, rolin e vëzhguesit do ta luajë Agjencia për zbatimin e gjuhës shqipe, që do të jetë kompetente për standardizimin dhe përdorimin e njehsuar të saj. Përkatësisht ky institucion do mbështesë përkthimin dhe lekturimin e dokumenteve, e të tjera. Në të parashikohet të punësohen përkthyes, linguistë dhe filologë, si edhe lektorë të licencuar.
Për profesorin Asllan Hamiti, pranë Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në “Shën Kirili dhe Metodi” zgjidhja e çështjes së dhënies së licencave, përkatësisht krijimi i një qendre për lektorët është një prej pikave parësore.
“Sa i takon vetë Ligjit për përdorimin nuk besoj se gjuha shqipe do të ketë statusin e gjuhës zyrtare, por gjithsesi sa i takon përdorimit të saj më të avancuar që do të ketë duhet t’i kushtohet një rëndësi e posaçme mënyrës së drejtshkrimit të saj, përkatësisht sanksioneve ligjore për ta mbrojtur nga keqpërdorimi. Këtu nuk flas për formën e folur, por për atë të shkruar, duhet të vetëdijesohemi në këtë aspekt. Se cili institucion do të japë licencat për lektorët, do të duhet të zgjidhet dhe do të ishte më e përshtatshme nëse një kompetencë e tillë i lihej Katedrës, ashtu siç bëhet për lektorët e maqedonishtes”, thotë për KOHA gjuhëtari. Hamiti është anëtar edhe i Këshillit Ndërakademik për gjuhën shqipe dhe në takimin e fundit të zhvilluar, ai pohon se çështja e mbrojtjes së gjuhës shqipe, në mungesë të një ligji si në Shqipëri dhe Kosovë është debatuar, por nuk është arritur në marrjen e një vendimin të përbashkët.
Në Institutin e Trashëgimisë, aty ku dy vjet më parë nisi iniciativa me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për krijimin e një Sektori për mbrojtjen e gjuhës edhe dhënien e licencave të lektorëve, pohojnë se nuk kanë qenë të përfshirë në përgatitjen e Ligjit dhe sidomos pjesës për mbrojtjen e gjuhës shqipe.
“Më e rëndësishme për momentin është mbrojtja e gjuhës shqipe nga ndikimet, pas mund ta shohim që më së shumti rrezikohet sidomos nga ato politike. Por, mbi të gjitha ligji i ri duhet të mundësojë përdorimin e një gjuhe shqipe të njëjësuar, pa ndikime nga sllavizmat, nga gjuhët e huaja, por edhe nga vetë zhargonet, apo dialektet e shqipes. Dhe kryesore është njerëzit që do të përzgjidhen që të jenë pjesë e institucionit që do të merret me këtë punë, të jenë profesionistë të fushës”, thotë gjuhëtarja Hidajete Azizi nga ITSHKSH. Nga ana tjetër, Qeveria ka miratuar në seancën e së martës 11 masa për avancimin e gjuhës maqedonase. Propozimet e parashtruara nga Ministria e Kulturës parashikojnë krijimin e një Fondi për mbështetjen dhe afirmimin e maqedonishtes në universitetet në botë, me çeljen dhe menaxhimin e lektorateve të gjuhës maqedonase në to. Po ashtu duhet të krijohet një Fond për mbështetjen dhe hartimin e veprave shkencore që i dedikohen maqedonishtes, përkatësisht fjalorëve, drejtshkrimit, si edhe studimeve dialektologjike dhe historike. Po ashtu me masat e reja parashikohet që Seminari Ndërkombëtar i Maqedonishtes të shndërrohet në Qendër me më shumë funksione, për organizimin e shkollave verore dhënien e bursave për të huajt që duan të mësojnë maqedonisht… Po ashtu një tjetër pikë është krijimi i Qendrës për trajnimin e lektorëve të maqedonishtes jashtë vendit dhe mësimit të gjuhës nga fëmijët maqedonas që jetojnë në diasporë, krijimi i një Këshilli për standardizimin e maqedonishtes, i cili do të ishte në gjendje që të zgjidhte ad-hoc problemet që mund të shfaqen në praktikë. Mes propozimeve është edhe krijimi i një qendre për trajnimin e gazetarëve dhe prezantuesve televizivë, e të tjera. “Bëhet fjalë për masa për të cilat kemi punuar një kohë të gjatë, në bashkëpunim me maqedonistë të spikatur dhe u bënë pjesë e programit të ri të Qeverisë që në fillimet e tij”, thuhet në lajmërimin e Ministrisë së Kulturës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.