GJUHET E HUAJA – Babeli brenda në kokë

25

Ka nga ata që janë në gjendje të komunikojnë në 18 gjuhë të huaja dhe nga ata që flasin rrjedhshëm të paktën dy të tilla. Të rinj dhe udhëtarë të përjetshëm janë duke rishkruajtur rregullat e komunikimit botëror. Eshtë e kundërta e Kullës së Babelit, ku fjalët kryqëzohen dhe krijohen

Janë të etur për gjuhë të huaja, ashtu sikurse për kontakte dhe lidhje. Nëse nuk flet je jashtë, dhe nuk ka përkthim në Google që mund të të ndihmojë. Që nga hiperpoliglotët që janë në gjendje të flasin edhe 18 gjuhë të ndryshme, tek minipoliglotët që njohin në mënyrë të përsosur dy të tilla, bota e të rinjve dhe ajo e shumë të rinjve, por edhe e migrantëve, punëtorëve dhe atyre që bredhin globin, është duke rishkruajtur rregullat e komunikimit botëror. Eshtë, si të thuash, e kundërta e Kullës së Babelit, ku gjuhët kryqëzohen, krijohen, por në fund rezultati është që kuptohen gjithnjë e më shumë. Ka qenë BBC që lançoi temën e kryqëzimit linguistik, duke nisur nga libri i Michael Erard, “Babel no more”, ku studiuesi amerikan rrëfen historitë e disa politglotëve autodidaktë të jashtëzakonshëm, në gjendje të flasin dhe kuptojnë nga 15 deri 18 gjuhë të huaja.

Duke lënë mënjanë përjashtimet, multilinguizmi duket se është bërë një nevojë parësore e brezave të rinj: 67 % e polakëve dhe 64% e francezëve, kundrejt 48% të gjermanëve dhe 43% të italianëve pranojnë se flasin mirë dy gjuhë të tjera, përveç gjuhës së tyre. Dhe këtu spikasin në Itali, ashtu si gjetkë, ata që quhen “2G”, apo imigrantët e brezit të dytë, që kanë lindur në Itali apo që kanë shkuar atje që të vegjël, por gjithmonë të ekspozuar ndaj dy apo tre gjuhëve.

Një përzierje që sot regjistron 7 mijë gjuhë të ndryshme por që është e destinuar të hollohet në gjysmëshekullin e ardhshëm, nëse është e vërtetë që 90 përqind e gjuhëve flitet “vetëm” nga grupe më pak se 100 mijë vetë dhe 2500 janë në rrezik zhdukjeje. Por ekzistojnë karakteristika kulturore, mjedisore, fizike dhe neurologjike që i lejojnë disa të arrijnë nivele të jashtëzakonshëm, ndërkohë që të tjerë e kalojnë gjithë jetën duke u përpjekur të arrijnë thjeshtë një “anglishte skolastike”?

Në librin e tij, Michael Erard flet shprehimisht për një “hardware” neurologjik të veçantë, të cilin e kanë poliglotët që ai ka intervistuar, me një fjalë një “dhunti natyrore” bashkë me një jetë vagabonde dhe me zanate që i kanë detyruar të mësojnë gjithmonë gjuhë të reja. Andrea Moro, profesor i linguistikës së përgjithshme në Shkollën e Lartë Universitare Issur në Pavia, e zgjeron temën dhe pohon që “mund të shpjegojmë me kërkime të saktë shkencorë se sa gjuhë mund të mësojë truri i njeriut, cilat janë ato që i metabolizon vërtetë dhe ato që kapen në mënyrë të thjeshtë në kujtesën tonë”. Një tezë e hedhur në librin e tij “Kufijtë e Babelit” në të cilën nuk hamendëson aspak për një fund të “kullës” së idiomave siç e përshkruan Gjeneza, por i gjen kufijtë. Duke saktësuar se gjithçka nis në fëmijërinë e hershme dhe përfundon në kohën e pubertetit, një tregues ky që nuk lë aspak dyshime se sa duhet investuar në nivel skolastik për studimin e gjuhëve.

Ndërkohë, siç nënvizon Linda Rossi Holden, docente e didaktikës në gjuhën angleze në Universitetin e Modenës, “sot në Itali, pavarësisht nevojës për njohje të gjuhëve të huaja, niveli i mësimit mbetet i ulët dhe gjuhët arrijnë t’i mësojnë vetëm të rinjtë që mbështeten ekonomikisht nga familjet”.

Dhe duhet mësuar të deshifrohen siglat e niveleve linguistikë europianë për të kuptuar se sa i madh është problemi, për shembull i të rinjve italianë, që në 44% të rasteve paraqiten në Universitet apo më keq akoma, në botën e punës me një anglishte të thjeshtë skolastike.

Andrea Moro shpjegon: “Deri në pubertet, gjuhët mësohen në mënyrë spontane, kur kalohet kjo periudhë truri e humbet atë plasticitet të jashtëzakonshëm dhe duhen përdorur instrumenta të tjerë, për shembull kujtesa. Kjo nuk do të thotë që kur kalohet mosha e rinisë nuk mund të mësohen më gjuhë, por proceset neurologjikë bëhen më pak automatikë e të lehtë. Dhe një prej arsyeve përse italianët nuk i flasin mirë gjuhët e huaja është se këto nuk mësohen që në fëmijëri”. Por Moro shkon edhe më tej: “Në librin Kufijtë e Babelit ai që unë rrëfej është një eksperiment i kryer për të kuptuar se si truri i mëson gjuhët. Kemi vënë re, përmes rezonancës magnetike, se cilat zona aktivizoheshin në bazë të stimujve gjuhësorë. Dhe kemi parë që ndërkohë që me fjalë dhe fraza të ndërtuara në mënyrë tradicionale, përmes sintaksës, truri përgjigjej duke magazinuar dhe metabolizuar përmbajtjen, ndërsa nëse ofronim një gjuhë të sajuar, absurde, reagimi ishte i ndryshëm, sikur këto fjalë nuk pranoheshin. Kjo për të thënë se truri ynë nuk mund të magazinojë një numër të pafundëm gjuhësh, por ka një kufi”.

Në fakt edhe vetë Erard, nëpërmjet intervistave me superpoliglotë të hedhura në librin e tij, flet për një limit, 10-11 gjuhë që mund të mësohen në mënyrë të përsosur, ndërkohë që gjithë pjesa tjetër është pjesë e të ashtuquajturave “bashkëbisedime të mbijetesës”. Por, duke kaluar nga eksperimentet në jetën e përditshme, kupton që për të manpovruar në Babelin modern duhet të dish dy apo më shumë gjuhë, dhe nuk ka shpëtim, mbi të gjitha anglishten. Kështu ak menduar në fakt Letizia Quaranta, një nënë e re poliglote, e cila është rikthyer në Itali pas disa udhëtimesh jashtë dhe ka vendosur që jo vetëm të rrisë me më shumë se dy gjuhë të birin, por edhe ta ndajë këtë eksperiment me këdo që është i interesuar t’u mësojë fëmijëve gjuhë të huaja që në djep. Fëmijë që do të jenë qytetarë të botës. Ka lindur një blog dhe një faqe interneti e suksesshme, Bilingue per gioco, ku përmes një kursi të quajtur posacërisht “Learn with mummy”, u mësohet të vegjëlve anglishtja që në djep.

Nëse njeh një gjuhë jeton një jetë të vetme, nëse njeh shumë gjuhë jeton shumë jetë. E dinë mirë të rinjtë e Erasmus, të cilët prej dy dekadash bredhin botën për të studiuar të paktën një vit në një universitet të huaj e që kthehen në shtëpi të vetëdijësuar që, sapo të marrin diplomën duhet të largohen. “Në vitet e fundit – pranon jo pa mërzi Linda Rossi Holden – shkurtimet e mësuesve dhe të orëve kanë varfëruar edhe më shumë mësimin e gjuhëve të huaja në shkolla. Poir në fakt është e gjithë shoqëria italiane refraktare për t’u hapur ndaj shumëgjuhësisë: nuk ekzistojnë programe me titra, emisione në gjuhën mëmë. Kujtoni shqiptarët kur erdhën në Itali: shumë prej tyre e flisnin tashmë shumë mirë italishten, për arsye se prej vitesh kishin ndjekur televizionet tanë”.

Jo gjithmonë kokteili i gjuhëve bëhet kulturë

Kur e pyesin sa gjuhë njeh, filozofi amerikan Douglas Hofstadter fillon me një numër që nis kështu 1,97… dhe vazhdon me shifra të tjera, të gjitha në rend zbritës, pas presjes. Numri përfaqëson aftësitë gjuhësore të autorit gjenial të Goedel, Escher, Bach (dhe shumë të tjerave në një fushë të ndërmjetme mes informatikës, logjikës, fiozofisë dhe semiotikës).

1-shi është aftësia që Hofstadter ka në anglisht. Pas kësaj, që është gjuha mëmë, vijnë gjuhët e mësuara, ato që ai i njeh vetëm pjesërisht: 9 është për 9 të dhjetat e aftësisë që ka në frëngjisht, 7 në italisht e kështu me radhë.

Në kohën kur fliste, numri më i vogël i shkonte rusishtes, që sapo kish nisur ta studionte me qëllimin që të mbërrinte deri aty sa të përkthente Onjeginin e Pushkinit (gjë që më vonë arriti ta bëjë, që tregon se vota që filozofi i jepte rusishtes më pas është bërë mjaftueshëm). Mund të shtrihet ky sistem i cuditshëm nga një folës i vetëm, në një gjuhë të tërë apo një kulturë të tërë. Sa anglisht “di” gjuha italiane? Sa frëngjisht? Sa rusisht, sa turqisht?

Gjuhët shërbejnë për të komunikuar dhe komunikojnë edhe mes tyre, duke mikpritur, vizituar, kontaminuar njëra tjetrën. U ndodhte imigrantëve, me shembujt e Little Italy-ve të shumta të përhapura nëpër botë: gjuha italiane dhe gjithnjë e më shpesh dfialekti i lindur u shtoheshin gjuhës që takonin në vendin ku shkonin; ndërkohë, dialektyi dhe italishtja e tyre nuk ndiqnin më evolucionin e gjuhës që vazhdohej të flitej në atdhe dhe me kalimin e dekadave janë kristalizuar kështu zhargone që nuk janë lehtësisht të klasifikueshëm.

Këshilla që u jepet gjithmonë cifteve të përzier është të edukojnë fëmijët të mësojnë si gjuhën mëmë, ashtu edhe atë të babait, por duke u përpjekur ti mbajnë të dallueshme, pra të përzihen sa më pak. Eshtë nëj këshilël që duhet të ndjekine dhe kulturat: nuk duhet të përzihet anglishtja me italishten, duke krijuar gjoja zhargonin e “formatimit” dhe të “implementimit”. Por edhe këtu ka një risk: ai i specializimit të gjuhëve. Nëse për shembull tendenca e universiteteve italianë për të kirjuar kurse universitarë tërësisht në gjuhën angleze do të bëhet dominuese, mos vallë do të arrihet që të përjashtohet tërësisht italishtja nga fusha si ajo ekonomike, për shembull? Atëherë duhen mësuar më shumë gjuhë, të mbahen të dalueshme rast pas rasti, por të flitet gjithcka në secilën prej tyre, sic kanë bërë gjithmonë studiuesit e letërsive të krahasuara.

Në fakt, tendenca e përgjithshme shkon drejt përzierjes. E shohim këtë gjë për shembull kur një fjalë si “stage”, tashmë shumë e zakonshme, prononcohet vazhdimisht sikur të jetë anglisht, ndërkohë që është fjalë franceze. Por ndërkohë që një gjuhë si italishtja përshembull nuk ka arritur ende të ngatërrohet me anglishten, të rinjtë kanë nisur të studiojnë gjuhën kineze: dhe herët a vonë edhe ideogramet dhe tonemat do të fillojnë të fitojnë vlerë, mes të dhjetave të numrit të Hofstadter.

Comments are closed.