Gjuha standarde shqipe, vizion i bashkimit kombëtar

Në këtë 50 vjetor të Kongresit të Drejtshkrimit mund të them se ndihem i përmbushur dhe krenar që kam qenë një kontribuues i vogël në tërësinë e madhe të gjuhës shqipe. Them i vogël, për arsye se si individë ne të gjithë jemi të vegjël përballë gjuhës shqipe, e cila është shumë e madhe në pikëpamje të lashtësisë së saj dhe në atë të bashkëkohësisë. Nga perspektiva e tanishme ajo ka arritur një zhvillim të lakmueshëm me standardin e saj që është një detyrim kombëtar

 

Nga Prof.dr. Ylber SELA

U mbushën 50 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (20-25 nëntor 1972, Tiranë). Zakonisht për ngjarjet e këtilla është e udhës të flasin gjuhëtarët dhe institucionet përkatëse, por njëherazi mund të flasin edhe të tjerët, të cilët drejtpërdrejt ose tërthorazi, janë pjesë e gjuhës shqipe, që kontribuojnë ose që e zbatojnë atë në praktikë. Pa dyshim, në këtë pikëpamje gjuha shqipe i përket çdo shqiptari, për arsye se aty qëndron esenca dhe çelësi i identitetit kombëtar. Megjithatë, aq më tepër kjo u përket në mënyrë të veçantë pjesëtarëve të jetës akademike, thjesht si një detyrim intelektual, por edhe shkencor, arsimor, politik e shoqëror në përgjithësi.

Advertisements

Meqenëse unë i përkas fushës arsimore e universitare, aq më tepër kjo më shtyn të theksoj faktin se gjuha shqipe është materia kryesore e komunikimit në procesin edukativo-arsimor. Pra, pa elementin gjuhësor nuk mund të përcillen as dituritë te studentët dhe, anasjelltas, as studentët nuk mund t’i shpalosin njohuritë e tyre para mësimdhënësit. Prandaj, nevoja dhe përgjegjësia ndaj gjuhës amtare është parësore dhe themelore. Kjo nënkupton faktin se të gjithë ne që marrim pjesë në këtë proces duhet të jemi në një vijë të përbashkët të komunikimit, përkatësisht të flasim dhe të shkruajmë në gjuhën standarde shqipe, e cila tanimë është synim dhe obligim i çdo shqiptari kudo që ndodhet, sidomos i atyre që janë pjesëtarë të jetës arsimore e universitare.

Duke qëndruar besnik në këtë vazhdë, fati më çoi të jem edhe në krye të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës Shqipe si drejtor i parë i saj, ku, po ashtu, veprimtari kryesore është gjuha shqipe, përkatësisht zbatimi i saj ligjor në institucionet shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Mbase kjo përgjegjësi e imja u dyfishua ndaj gjuhës shqipe, për arsye se çdo gjë fillonte dhe mbaronte me të. Gjithmonë duke u mbështetur në rregullat dhe normat e standardit të kondifikuar në Kongresin e Drejtshkrimit, jam përpjekur dhe vazhdoj të përpiqem që shqipja të marrë frymë si një tërësi kohezive. Angazhimi i ekipeve të kësaj agjencie në këtë aspekt është tejet i madh dhe i përgjegjshëm, është profesional në kuptimin e plotë të fjalës. Sfidat për ta zbatuar gjuhën shqipe në institucionet shtetërore kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha, në radhë të parë duke përkthyer e lektururar dokumentet dhe shkresat kryesore, e pastaj edhe duke përgatitur doracakë e udhëzues të ndryshëm që kanë të bëjnë me të drejtat ligjore të shqiptarëve për përdorimin e gjuhës shqipe, si dhe përpilime fjalorësh terminologjikë të cilët janë në dispozicion të qytetarëve tanë.

Në këtë mënyrë gjuha standarde shqipe ka qenë preokupim dhe angazhim i përditshëm, duke më nxitur të punoj me zell e përkushtim të veçantë, që roli ynë individual dhe institucional të mos duket i zbrazët në rrafshin e gjerë shoqëror e kombëtar.

Prandaj, në këtë 50 vjetor të Kongresit të Drejtshkrimit mund të them se ndihem i përmbushur dhe krenar që kam qenë një kontribuues i vogël në tërësinë e madhe të gjuhës shqipe. Them i vogël, për arsye se si individë ne të gjithë jemi të vegjël përballë gjuhës shqipe, e cila është shumë e madhe në pikëpamje të lashtësisë së saj dhe në atë të bashkëkohësisë. Natyrisht, duke kaluar vështirësi të mëdha historike, kjo gjuhë ka arritur të mbijetojë dhe të mbetet e gjallë, të mësohet e të studiohet nga mijëra shqiptarë dhe të huaj. Sot atë e flasin dhe e shkruajnë disa milionë shqiptarë gjithandej hapësirës etnike dhe më gjerë. Nga perspektiva e tanishme ajo ka arritur një zhvillim të lakmueshëm me standardin e saj që është një detyrim kombëtar. Kjo na jep shpresë dhe na krijon vizion të qartë se vetëm me një gjuhë të përbashkët shqiptarët do të jenë të bashkuar, madje edhe në integrimet europiane. (koha.mk)

(Autori është drejtor i Agjencisë për zbatimin e gjuhës shqipe)