(Titull i këtij shkrimi është huazuar nga një varg i vjershës “Poçari” të Dritëro Agollit)
Nga Shaqir ISLAMI
Qysh prej vargjeve të Usta Naimit të Madh të ‘frashërve’ “ gjuha jonë sa e mirë …” të kohës së romantizmit në letërsinë shqipe- pa pasur nevojë të kthehem deri tek Babë-Gjergj Buzuku i gjuhës sonë – e deri në atë të socrealizmit të Dritëro Agollit, është shkruar e folur pa prajtur për gjuhën shqipe.
Përgjatë historisë sonë, shekuj me radhë, në kohëra luftash dhe paqeje , bile, edhe nën zgjedhën e dushmanëve, … shumë burra e gra kanë punuar,janë munduar për ta mbajtur gjallë dhe janë përpjekur për fisnikërimin e gjuhës shqipe, brez pas brezi;kanë derdhur mund, gjak dhe djersë për ruajtjen, konservimin, kultivimin, pastrimin dhe mirëmbajtjen e gjuhës. Dhe, kjo veprimtari do vazhdojë edhe pas nesh.
Për shkak se gjuha është thesar dhe letërnjoftim i një kombi; gjuha shqipe është nishan i jonë që nuk fshihet me kurrgjë dhe nga askush. Meqë, është një materie e gjallë, sekush – që identifikohet përmes saj – e gëzon të drejtën e barabartë që ta shfrytëzojë, e ta kultivojë, në komunikimin e vet me të tjerët. Përherë kështu ka ndodh;dhe vazhdon! Por, ka sojsuza, edepsëza dhe batakçinj që e nëpërkëmbin, e poshtërojnë, e fyejnë, e nënçmojnë, e ndotin, e njollosin, e sakatojnë, e dhunojnë dhe e përdhosin paqëllimshëm ose qëllimshëm për hesape lypsarësh për pesë pare !Pra, ka dhe gjithmonë do ketë, dhe të tillë!
Mjafton rrëfiminë vargje -si ‘Poçari’ i mjeshtrit gdhendës dhe thurrës të fjalës DritëroAgollit – që sekush ta kuptojë fuqinë e shenjtë dhe mallin për gjuhën. Agolli dërgon një kumtesë domethënëse antologjike për brezin e tashëm dhe të ardhshëm, kur mjeshtri kumton vargun e ngjeshur “fjala shqipe s’blihet në pazar …”. Ky varg i ndalon detyrimisht pazarllëqe te xhambazëve në kurriz të saj. Gjuha amtare është e shenjtë për çdokënd. Për shkak se, gjuha është palca e çdo kombi. Shkatërro atë, shkatërron kombin.
Deri dje – në vendin tonë – gjuha shqipe ishte pa adresë!Sot – shyqyr Zotit- e ka. Agjencia për zbatimin e gjuhëve (AZGj) tashmë është institucioni dhe adresa zyrtare, që i del zot dhe i bën hije asaj, me fuqinë e ligjit. AZGj qysh në nismën e veprimtarisë së saj, e ka shtrirë dorën e bashkëpunimit me të gjithë dashamirët e gjuhës sonë. Sekush ka të drejtë të barabartë dhe është i mirëpritur që të jep kontribut dhe ndihmesë në suksesin e përbashkët për përjetësimin e gjuhës shqipe si e barabartë me gjuhët tjera në shoqërinë tonë.
Në shoqëritë demokratike është normale që çdo institucion publik dhe puna e tij të vëzhgohet dhe të mbikëqyret nga media, qytetarë, ekspertë të fushës,individë, grupe të interesit, shoqëria qytetare, institucione dhe organizata; të cilët e kanë të drejtën që ua jep kushtetuta që të interesohen, t’i shprehin lirshëm shqetësimet, brengat dhe mendimet e tyre; gjithmonë duke pasur parasysh përparimin e statusit të gjuhës dhe vetëdijesimin e shoqërisë për domosdoshmërinë e kujdesit dhe përdorimit të gjuhës shqipe në çdo segment të jetës së qytetarëve në vendin tonë.
AZGj-ja është institucion i hapur dhe i përkushtuar në veprimtarinë e vet për zbatimin e shqipes si detyrë hyjnore, dhe i cili, i respekton dhe i përjetëson parimet dhe rregullat e sistemit demokratik. Veprimtaria e kësaj agjencie synon dhe mirëpret bashkëpunimin dhe informimin e mbarë qytetarëve për veprimtarinë e vet. Gjithmonë, duke shfaqur kujdes, mirëkuptim dhe konsideratë edhe ndaj vështrimeve dhe vërejtjeve kritike nga ekspertë dhe profesorë të shquar të gjuhës shqipe – siç ishte raportimi në Alsat-M, i datës 16 Qershor 2020. Vlera dhe fryma e gjuhës shqipe – për të gjithë ne -shprehet vetëm me mallin e ‘Poçarit’ të Stambollit, për gjuhën e nënës:
Psherëtiu, si unë, tha jam shqiptar
shqip vëlla ti shamë edhe një herë,
fjala shqipe s’blihet në pazar,
në dyqan ka kohë që s’e kam ndjerë …
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)