Fatos RUSHITI
Shkup, 25 maj – Partitë e shumicës parlamentare LSDM, BDI dhe ASH po finalizojnë bisedimet për versionin final të Programit qeveritar, i cili sipas të gjitha gjasave të premten bashkë me emrat e përbërjes së kabinetit qeveritarë do të dorëzohet në Parlament për votim. Gazeta KOHA nga burime brenda shumicës parlamentare merr vesh se prioritet i programit qeveritarë është miratimi i Ligjit për gjuhën shqipe, edhe atë me yll evropian – i cili duhet të futet në procedurë menjëherë pas formimit të kabinetit qeveritar dhe që pritet të votohet me shumicë të thjeshtë – 61 vota. Përveç zhvillimit të barabartë rajonal, edhe proceset e montuara politike si Monstra dhe Sopoti, gjithashtu janë prioritet i zbardhjes nga përbërja e re qeveritare. Sipas Ligjit, Parlamenti ka tre ditë kohë që Programin e propozuar nga mandatari për formimin e Qeverisë, të shqyrtohet nga ana e deputetëve dhe pas kësaj, propozimi për kabinetin qeveritar mund të futet në votim. Megjithatë, siç flitet jozyrtarisht, dorëzimi i Programit mund të shtyhet për ditën e hënë nëse LSDM dhe Lëvizja BESA nuk do të harmonizojnë qëndrimet rreth programit dhe resorëve qeveritarë. Nëse programi qeveritar definitivisht do të dorëzohet të premten, në BDI kryesia e partisë do të mblidhet të shtunën apo të dielën për të votuar propozimet për ministrat e rinj. Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti pas mbledhjes së fundit të kryesisë, të martën në mbrëmje konfirmoi se BDI do të mbajë ministritë aktuale përveç Ministrisë së Arsimit, ndërsa për ministrinë e shëndetësisë Ahmeti tha se do t’u takojë partive shqiptare. “BDI do të udhëheqë me të gjitha ministritë të cilat i kishte deri tash. Ndryshim do të ketë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Arsimit. BDI dy vjet udhëhoqi Ministrinë e Arsimit, ndërsa në Qeverinë e re, kuadri i partive shqiptare do të udhëheqë me Ministrinë e Shëndetësisë”, tha ai. Sa i përket asaj se a do të jetë pjese e programit qeveritar Deklarata e partive shqiptare, lideri i BDI-së tha se ky dokument nuk do të jetë i plotë në programin e Qeverisë së re, por pikat kryesore, që sipas kreut të BDI-së janë më të rëndësishme, ndërsa për pikat të tjera, ai tha se duhet të hapet debat publik me opinionin. “Sa i takon Deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare, ajo është një deklaratë programore e cila është e përfshirë në të gjitha programet e partive politike shqiptare dhe unë nuk mendoj që paraqet as rrezik, po as edhe ndonjë anashkalim të çështjeve që kanë të bëjnë me perspektivën dhe stabilitetin e vendit dhe të shtetit. Ajo deklaratë është në të mirë të RM-së, në të mirë të rajonit. Ka çështje shumë të rëndësishme, siç është anëtarësimi i vendit në NATO, në BE, zhvillimi ekonomik, zhvillimi i barabartë i rajoneve. Asgjë të keqe nuk ka, dhe pikat kryesore të asaj Deklarate janë të përfshira në programin qeveritar. Po ka çështje në atë deklaratë politike të cilat do të shtrohen për diskutim publik, dhe nuk është fshehtësi”, tha Ahmeti. Nga Aleanca për Shqiptarët për gazetën KOHA thonë se dikasteri i Shëndetësisë do t’i takojë këtij subjekti, ndërsa shtojnë se emri që lakohet një kohë të gjatë në media do të jetë edhe ministër, duke aluduar kështu në sekretarin e përgjithshëm të LR-PDSH-së, Arben Taravari.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara