Fryma dhe statusi i gjuhës është vetë ekzistenca e një kombi, kurse shqiptarët përfaqësojnë një prej përbërësve thelbësor të asaj që sot quhet Maqedoni. Pa këtë përbërës, nuk do të kishte kuptim edhe vetë ekzistenca e këtij shteti, emri i të cilit mohohet nga fqiu jugor
Nga Emin AZEMI
Problem i gjuhës nuk nënkupton vetëm dimensionin teknik të komunikimit në mes të njerëzve dhe institucioneve. Më shumë se kaq, gjuha është mendim, aksion, frymë identitare e përfaqësuese.
Mirëpo në Maqedoni ka devijuar shkolla e mendimit sociolingustik dhe në vend të kësaj ka kohë që promovohet shkolla e rrugës, në njërën anë, që mohon çfarëdo lloj barazie zyrtare të shqipes me maqedonishten, dhe , në anën tjetër, shkolla e teknokratëve dhe skolastikëve, të cilët disi duan të na bindin se statusi i një gjuhe është i izoluar nga tërësia e atributeve shtetfrmuese të një kombi.
Në këtë vijimësi mendimi, vjen edhe shkoqitja e profesorit universitar, Svetomir Shkariq ( tv.24), sipas të cilit Ligji për përdorimin e gjuhëve nuk i konvenon as bashkësisë etnike shqiptare, as atyre që e propozuan, për arsye se, thotë Shkariqi, Ligji insiston në respektimin rigoroz të multikulturalzimit, në vend të interkulturalizmit.
Përfaqësuesit e kulturave, gjuhëve e traditave të ndryshme, jetojnë pranë njëri tjetrit dhe kjo komponentë e diversiteteve përcakton multikulturalzmin.
Në anën tjetër, nocioni i interkulturalizmit ka të bëjë me raportet në mes të grupeve të përfaqësuar nga kultura, gjuhë, e tradita të ndryshme, që ndryshe i bie të jetë interaksion.
Multikuluturalzimi përdoret për të përshkruar një shoqëri në të cilën kulturat bashkëjetojnë pranë njëra-tjetrës, pa ndonjë interaksion të madh, ndërkaq interkulturalzmi shpreh bindjen se njerëzit e kulturave të ndryshme, përmes kontakteve dhe përvojave bëhen më të pasur dhe më të zhvilluar.
Sipas profesor Shkariqit, shqiptarët janë pjesëtarë të një komuniteti mërgimtarësh që janë të detyruar të komunikojnë me vendësit, në mënyrë që të kenë më shumë përfitime e përparësi. Përjashtimi i komponentës multikulturore nga Ligji për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, bëhet me qëllim të krijimit të gradacionit statutar, duke i rezervuar maqedonishtes atributin e gjuhës shtetërore (shtefromuese), kurse shqipes atributin e gjuhës në përdorim zyrtar.
Mendësia akademike maqedonase ende nuk është liruar nga konceptet jakobine të shek.19 dhe konceptualizimi i ngushtë i çështjeve me karakter shumëetnik e shumëkulturor bëhet për të shpikur paradigma të paqena të monopolist etatist.
Kjo mendësi është në koleracion edhe me konceptin e kryeministrit Zaev për Maqedoninë si një shoqëri, koncept ky që as nuk është funksional, as nuk është produktiv. Në radhë të pare, është anakronike të pretendosh sot se ka vetëm një opinion publik, ka vetëm një shoqëri, ka vetëm një hapësirë kulturore-shpirtërore etj. Se shoqëria, kultura, opinion publik kanë specifikat e veta dhe në asnjë mënyrë kjo nuk mund t’i atribuohet realitetit të Maqedonisë, flasin shumë shembuj që vijnë nga hapësirat tjera europiane, por edhe nga hapësira mbarëshqiptare. Aktualisht te shqiptarët, bie fjala, kemi shumë tema të përbashkëta, por që kalojnë nëpër sfera të ndryshme publike dhe për rrjedhojë nuk mund të flasim për një uniformitet mendimesh e pikëpamjesh. Pasi që kjo është kështu brenda një kombi, si mund të jetë ndryshe në suaza të një shtetit si Maqedonia me diversitet gjuhësor e etnopsikologjik. Si mund të thuhet se gjuha paska vetëm komponentën e interkulturalzimit, pos nëse ata që e trumpetojnë këtë tezë duan të reduktojnë historinë e prezencës së shqiptarëve brenda tendave të nomadëve që sot i ke këtu, nesër si ke askund.
Fryma dhe statusi i gjuhës është vetë ekzistenca e një kombi, kurse shqiptarët përfaqësojnë një prej përbërësve thelbësor të asaj që sot quhet Maqedoni. Pa këtë përbërës, nuk do të kishte kuptim edhe vetë ekzistenca e këtij shteti, emri i të cilit mohohet nga fqiu jugor. (koha.mk)