Fatos RUSHITI
Shkup, 26 mars – Mediat në Maqedoni – shqiptare dhe maqedonase, edhe përkundër ndryshimit të pushtetit dhe kalimi të krizës politike, vazhdojnë të pasqyrojnë dy realitete për raste të ngjashme, shkruan gazeta KOHA. Rasti i fundit më lirimin e të burgosurve të “Sopotit”, ku në mediat shqipe u lajmërua për drejtësinë e vonuar, ndërsa tek disa media maqedonase raportohet në mënyrë tendencioze – bile shoqërohet me opinione kundër lirimit të tyre, flet për një gazetari joprofesioniste që i frynë zjarrit mes dy etnive.
Gazetari Nazim Rashidi thotë se mediat që thirren si profesioniste, duhet të tejkalojnë raportimet, siç thotë ai, me të “vërteta etnike”. “Mediat që thirren ne profesionalizëm duhet të tejkalojnë raportimet me të vërteta etnike. Është vërtetuar tashme se gjysmë të vërteta, të vërteta dhe të fshehura nuk i shërbejnë askujt. Aq më shumë kjo duhet evituar kur kemi raste me drejtësinë apo edhe shtetin, ku qytetarët pavarësisht të gjithave, janë të barabartë”, shprehet për KOHA, Rashidi. Ai thotë se mediat nuk duhet të bien në kllapinë etnike me çdo kusht dhe të luajnë lojëra politike.
“Kur e them këtë, kjo nuk do të thotë se çështjet me interes etnik nuk duhet trajtuar, por ideja është se s’duhet rënë në kllapinë e etnisë me çdo kusht, dhe të luhet loja e politikës, e cila shpesh ju jep njerëzve veç emocione dhe jo zgjidhje”,thekson Rashidi. Eksperti i mediave që jeton në Norvegji, Gëzim Mekuli, me një përvojë të theksuar ndërkombëtare në fushën e monitorimit dhe vlerësimit të mediave në Ballkan, flet për shkaqet pse ende nuk kemi media të pavarura dhe aso që mbi të gjitha kanë interesin nacional dhe jo të vërtetën – sidomos në raste gjyqësore.
“Mendoj se së pari, mungon niveli i arsimit dhe i edukimit, më pas kemi edhe një mungesë të vullnetit politik që të kemi media të lira dhe të pavarura. Më duhet të theksoj se media shqipe ka shumë vështirësi; ajo është e dhunuar nga politika, ekonomia, krimi si dhe nga ‘ambasadokracia’, thotë Mekuli. Kur jemi tek rastet në Maqedoni, ai shprehet se shqiptarët dhe maqedonasit në disa raste, kanë dështuar të arrijnë një komunikim kulturor dhe social. Sipas Mekulit, media maqedonase akoma është e varur nga nacionalizimi dhe ushqehet nga politika nga e cila, sipas tij, ka gjetur fushë të lirë veprimi.
“Është një realitet se shqiptarët dhe maqedonasit nuk kanë arritur ndonjë përparim në komunikimin kulturor e as atë social e të mos flasim për atë politik. Ne kemi një komunikim të robotizuar në ‘majat e politikës’, por jo në shoqëri, jo brenda kodeve kulturore të këtyre dy kombeve. E media, pra lajmi, është edhe prodhim kulturor, përveç atij politik. Media maqedonase, pra ajo sllave, është akoma më e varur dhe më nacionaliste. Kjo media, duke u ushqyer edhe nga politika, ka gjetur fushë të lirë në veprimet e saja. Ne ‘nuk dimë’ se si brumoset sot gazetari; çfarë mëson nga teksti i historisë e çfarë nga ai fetar. Pra, kemi një ‘dekontaminim’ të hershëm të ‘gazetarëve’ si prodhues të lajmit”, vlerëson për gazetën KOHA, Mekuli.
Transmetimi i lajmit, shprehet ai, bëhet për dëmtimin e një kombi tjetër duke e paraqitur kulturën e tjetrit si të pavlerë dhe në rastin më të keq – kërkon luftimin e kombit tjetër.
“Lajmi nuk është i pavarur e as neutral, kjo tashmë dihet, por lajmi sot është duke u përdorur si mjet lufte në duar të partive politike, religjioze e ekonomike. E kjo duhet të diskutohet në publik. Po, jam për lajmin që ndihmon kombin, por jam kundër lajmit që e mohon kombin tjetër, jam kundër lajmit që paraqet ‘kulturën tjetër’ si të pavlerë, e të tijën me vlera plot. Apo edhe më keq, nëse kërkon luftimin e kombit e të kulturës tjetër”,thotë Mekuli. Sipas tij, gishtin duhet drejtuar nga politika që ushqen lajmin e njëanshëm etnik.
“Thënë më shkurt – kemi një kontroll të informacionit e kjo, brenda kontekstit të shtypit përcaktohet si kontroll i politikës në pushtet ndaj mediave. Kësisoj, mendoj se është pikërisht politika ajo që ushqen lajmin e njëanshëm njëetnik. Përmes këtij lajmi, kjo politikë, edhe mund të mbijetojë”. Kur jemi tek hapat që duhet ndërmarrë më tutje, Mekuli thotë se komunikimi mes dy popujve duhet të fillojë që nga çerdhet e fëmijëve dhe shkollat. “Është politika qe po e kontaminon edhe gazetarinë. Komunikimi ndërmjet dy popujve nuk ekziston – ajo duhet të filloj që në çerdhe të fëmijëve, në shkollë. Gazetaria në Maqedoni reflekton edhe murin kulturorë e politik që ekziston sot atje”, thekson eksperti i mediave, Gëzim Mekuli.
Ndërkohë, anëtari Këshillit të Agjencisë për Media, Milaim Fetai, thotë se në bazë të konstatimit të institucionit ku ai punon, urrejtja ndërnacionale është shumë më e theksuar tek mediat maqedonase duke përmendur dhe emrat e gazetarëve si Dragan Pavloviq-Llatasi dhe Milenko Nedelkovski… e që siç thotë ai, shquhen për fjalor nacionalist anti-shqiptar.
“Duhet të bëjmë një dallim në mes mediave në gjuhën shqipe dhe atyre maqedonase si te ato të shkruarat dhe elektronike. Në bazë të konstatimeve edhe të Agjencisë për Media, lirisht konstatojmë se gjuha e urrejtjes në baza nacionale dhe fetare është prezente më tepër te mediat në gjuhën maqedonase. Sidomos janë vërejtur në disa emisione dhe në lajme të udhëhequra nga gazetarët joprofesionistë dhe të papërgjegjshëm si që janë Milenkoja dhe Llatasi në televizionet Sitel dhe TV Alfa”, thekson Fetahi. Sipas tij, gjuha e urrejtjes duhet ashpër të sanksionohet sidomos në shoqëritë multietnike dhe multikonfesionale.
“Gjuha e urrejtjes duhet ashpër të sanksionohet në shoqëritë demokratike. Ndëshkohen të gjitha format e shprehjes që përhapin, inkurajojnë, promovojnë ose justifikojnë urrejtjen në bazë të intolerancës. Si pasojë e gjuhës së urrejtjes shkaktohet dëm i madh në përgjithësi në tërë shoqërinë. Sidomos, kjo nuk duhet të tolerohet në shoqëritë multikulturore dhe multikonfesionale sikur që është Maqedonia. Ajo e cenon idealin e barazisë ose trajtimin e barabartë të mosdiskriminimit, që janë bazë për zhvillimin e çdo shoqërie demokratike. Gjuha e urrejtjes mundet të nxisë akte kriminale nga urrejtja dhe gjithashtu mund të çojë edhe në raste të gjenocidit”, thotë Fetai. (koha.mk)