Përgjegjësia për zbatimin e drejtë të gjuhës në çfarëdo lloj komunikimi është shumë e rëndësishme tek çdo profesion, por tek mësuesit dhe nëpër shkolla ajo vjen në shprehje shumë më shumë se tek profesionet tjera. Pse them kështu? Sepse gjuha fillon në familje, por zhvillohet në shkollë dhe gjithë mësimdhënësit, mësuesit, edukatorët… kanë përgjegjësi për zbatimin e gjuhës. Që aty nxënësit duhet të kuptojnë relacionet gjuhësore dhe bukurinë e vlerën e gjuhës amtare
Nga Prof. Xheladin MURATI
Në vend të hyrjes dy mendime: i pari, “Gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar” – thotë Eqrem Çabej. I dyti, “Mbrojtja e gjuhës është detyrë dhe peng nderi për çdo shqiptar” – thotë Gjovalin Shkurtaj
Gjuha është trashëgimi më qenësore kombëtare. Ajo është pasuri më e madhe që zhvillohet pa pengesa, pa komplekse inferioriteti duke pasur mundësi gjithnjë të konsolidohet e integruar e përmes së cilës realizohet edukimi më i mirë. Në këtë kontekst, trajtimi i gjuhës si nevojë e jetës, e shoqërisë, e kombit, kërkon përkujdesin dhe ruajtjen e saj, ajo të vihet në kornizën konceptuale shoqërore dhe individuale me standard dhe vlera të vëna nga gjuhëtarët e shkenca e gjuhësisë. Historia e gjuhës është histori e një funksionimi të vazhdueshëm në botën kombëtare në një mënyrë konsistente. Në rrjedhën e viteve, më saktë gjatë 50 viteve zbatimi të gjuhës së unifikuar, gjuha vazhdon të jetë një çështje madhore e privilegji për këdo që ka mundësinë atë ta përdor e të kujdeset për të sepse gjuha për njerëzit që e njohin mirë ajo ka finesë, luksin dhe madhështinë edhe të atyre që nuk e njohin mirë.
PREMISAT
- Gjuha dhe kultura gjuhësore është rrënja dhe baza e veprave të shkruara dhe e komunikimit.
- Duhet të ndërtohen politika parandaluese të prishjes së gjuhës dhe të ruajtjes së saj.
- Gjuha është pasqyra shpirtërore e kombit, ajo jeton aq sa jeton edhe populli që e flet.
- Gjuha është burimi, baza dhe bastioni më i madh i kombit.
- Shkolla dhe mësuesit paraqesin faktorin themelor për kujdesin dhe përdorimin e drejt të gjuhës amtare.
QASJET DHE ASPEKTET
Njësimi i gjuhës vërtetoi faktin se triumfoi e përgjithshmja dhe e veçanta, që së bashku paraqesin ecjen historike, interesin e tërësisë që përputh dy aspektet, atë de jure dhe atë de facto të kombit: afirmimin e vlerave të gjuhës. Procesi i njësimit të gjuhës ishte sukses i gjithë shqiptarëve.“Suksesi më i madh – thotë I. Kadare – që ndodhi gjatë diktaturës komuniste dhe në kundërshtim me diktaturën ishte unifikimi i gjuhës shqipe”.
Gjuha është një element thelbësor kulturor që përmban në vete identitetin dhe qenien kombëtare e të shoqërisë shqiptare dhe si një konstruksion i tillë e parapërcakton shkallën në të cilën duhet të arrijë shoqëria shqiptare, individi, institucionet e të ngjashme. Gjuhën e kemi trashëgimi thelbësore kulturore dhe kjo si e këtillë jeton me shoqërinë dhe popullin që e fletë. Gjuha e mundën edhe kohën. Duhet të jemi krenar me gjuhën tonë, pasi kombi shprehë të mirat përmes gjuhës. Edhe pse ndodhi që kombi u nda pa dëshirën dhe vullnetin e tij dhe jeton në rrethana e kushte të ndryshme politiko-gjeografike, historike-sociale, psikologjike, gjuha mbeti e njëjtë, gjuhë gjithëkombëtare. Ajo është element konstituiv i vetëdijes kombëtare. Gjuha nuk njeh kufij, aq më pak gjuha letrare e popullit të ndarë. Me këtë rast gjuha e përbashkët paraqitet si një element i përgjithshëm i jetës dhe i fuqisë së kombit.
Si trashëgimi na mundëson të mbamë gjallë kujtesën thelbësore të krijimit të saj dhe të ndërtimit të standardeve gjuhësore. Gjuhësia në gjuhësinë aktuale, mendoj se zë vend të rëndësishëm dhe kjo është një meritë e madhe në këtë kohë që si asnjëherë është e mbushur me probleme.
Gjuha paraqet shenjën nacionale, atributin e rëndësishëm të identitetit tonë kombëtar. Këtë çështje shumë drejt dhe me përgjegjësi politike e hetoi Naim Frashëri, duke konstatuar se “vetëm një gjë i duhet sot shqiptarit, që të marrë udhë për gjithë të mirat e të mbrothtat, të qytetërisë e të diturisë dhe t’urtësisë: të shkruarit e gjuhës shqipe”. Duke qenë dimension më i rëndësishëm kombëtar, element konstitucional i kombit dhe faktor i rëndësishëm për formësimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuha dhe trashëgimia kulturore e gjuhës nuk ka qenë gjithnjë në një nivel të dëshiruar e të pritur. Kjo ka bërë që aspekti kulturor gjuhësor të nënvlerësohet e të keqintepretohet. Megjithatë, mbesin disa prioritete dhe sfida për arritje: shqiptarët të bëhen të zotë, të arrirë dhe të suksesshëm në ruajtjen dhe kujdesin për gjuhën.
Shoqëria shqiptare si komb po përballet me një problem që në fakt tejkalon qëndrimet që mund t’i kenë shqiptarët e të gjitha viseve të ndara ndaj njëra-tjetrës. Pikërisht ngufatja e shqiptarëve nga politikat e ndara gjuhësore e bëjnë gjuhën pak sa folkloriste dhe etno-egoiste, e cila bën të promovohen edhe vlera e qasje parciale apo të pjesshme.
Pikërisht për kauzën e gjuhës duhet të jemi të bashkuar dhe unik. Do të ishte paradoksale të gjendemi në vijat kundërshtuese. Ajo është padyshim element që thyen pengesa, “tabutë” e shumë pengesa të tjera që një shqiptar has gjatë profesionit që ushtron në institucione publike e private si në gjyqësor, prokurori, shëndetësi, polici, në ushtri, në shkolla, në administratë e të ngjashme. Duke i takuar sistemit të vlerave gjuhësore kombëtare duhet të arrijmë ta shpëtojmë gjuhën nga mendimet apo përpjekjet përçarëse. Vlerat gjuhësore po zbehen kundrejt antivlerave të cilat fatkeqësisht kanë zënë vend dhe po bëhen çdo ditë imune. Kam frikë se do të lënë gjurmë në shoqërinë tonë. Shkolla dhe mësuesit janë faktori themelor për zhvillimin, kujdesin dhe afirmimin e vlerave gjuhësore, ndërsa familja është faktori parësor ku fëmija e mëson mrekullinë e gjuhës dhe lirinë e saj.
Shkolla dhe mësuesit si faktor për mësimin sistematik të gjuhës janë me rëndësi të jashtëzakonshme sepse nxënësit aty fillojnë të ballafaqohen me ide të reja, mendime, koncepte kreative, projekte zhvillimore, rregullat dhe normat e gjuhës e të ngjashme.
Përgjegjësia për zbatimin e drejtë të gjuhës në çfarëdo lloj komunikimi është shumë e rëndësishme tek çdo profesion, por tek mësuesit dhe nëpër shkolla ajo vjen në shprehje shumë më shumë se tek profesionet tjera. Pse them kështu? Sepse gjuha fillon në familje, por zhvillohet në shkollë dhe gjithë mësimdhënësit, mësuesit, edukatorët… kanë përgjegjësi për zbatimin e gjuhës. Që aty nxënësit duhet të kuptojnë relacionet gjuhësore dhe bukurinë e vlerën e gjuhës amtare. Gjithsesi, për këtë ka më shumë arsye:
– se gjuha letrare kombëtare ka kontinuitet historik, se ajo jeton, zhvillohet në hapësirë dhe kohë;
-se përmes gjuhës letrare kombëtare më me plotni kuptojmë vlerën tonë historike, zhvillojmë vetëdijen kombëtare të përbashkët, psikologjinë dhe moralin kombëtar;
– me gjuhë të përbashkët letrare krijohen mundësi të shpejtuara për integrimin e vlerave materiale dhe shpirtërore, të mirave kulturore dhe të arriturave shkencore e artistike;
– gjuha e përbashkët letrare kombëtare është sistem logjik që shpie në komunikim aktiv, jo vetëm në kuadër të hapësirës kulturore kombëtare por edhe më gjerë;
– gjuha e përbashkët letrare mundëson unitetin shpirtëror të popullit kudo që ai jeton, vepron, krijon;
– gjuha letrare kombëtare është kusht i ekzistimit dhe koekzistimit të çdo vlere e krijimtarie kulturore, e cila përveç dimensioneve kombëtare, ka edhe dimensione ndërkombëtare.
Kjo edhe për arsye sepse analiza e strukturës së gjuhës do të thotë, siç shkruan Sosar “është analizë e rregullave të të folurit”, dhe pikërisht në shkollë mësohen rregullat gjuhësore. Por gjuha duhet të përdoret drejt edhe në botën e letrave dhe të komunikimit masiv (shtyp, radio, televizion etj.) si dhe në jetën kulturore e politike të shoqërisë.
Qasjet zhvillimore, emancipimi gjuhësor dhe moderniteti mbeten projeksion joi imagjinuar por i realt i shoqërisë shqiptare për avancimin dhe përparimin e mëtejmë të gjuhës dhe të kulturës gjuhësore në viset ku gjuha shqipe folet. Duke e përforcuar fuqinë e gjuhës e ngremë madhështinë e saj sepse me atë identifikohemi të gjithë. Duke e pasur parasysh këtë kontekst historik 50 vjeçar që nga momenti i unifikimit të gjuhës dhe të zhvillimit të saj, edhe kultura gjuhësore nuk i ka shpëtuar këndvështrimit të sistemit të vlerave që përfolën se duhet ndryshuar. Por gjuha nuk mund të bëhet viktimë e qarqeve të caktuara. Ajo meriton për ta kultivuar dhe krijimin e një kulture gjuhësore të shkallës më të lartë.
PËRFUNDIM
Rëndësia e gjuhës letrare kombëtare duhet të vlerësohet jo sipas dimensionit sa është e dobishme, por sipas dimensionit kombëtar. Praktika e gjertanishme në ruajtjen dhe kujdesin ndaj gjuhës tregoi dhe provoi besnikërinë e saj të pakufishme ndaj çështjes kombëtare, pavarësisht ku gjenden dhe ku jetojnë e veprojnë shqiptarët. Në shoqërinë shqiptare gjuha duhet gjithsesi të jetë në fokusim të vet reflektimit të çdo njeriu për të marrë përgjegjësinë e duhur për të zbatuar gjuhën me vullnet dhe dëshirën më të madhe. Sepse gjuha jonë ka histori, bukuri, sharm dhe elegancë.
Gjuha krijon miqësi mes popujve, barazinë me të tjerët dhe bashkimin brenda etnisë shqiptare. Përjetësisht ta festojmë, të kujdesemi dhe ta dashurojmë gjuhën tonë shqipe, të bukur e të ëmbël e thurrur me shkronjat shqipe. Të flasësh gjuhën drejt e bukur nuk duhet marrë si mangësi dhe dobësi por si zotësi. Gjuha, tradita, himni dhe flamuri janë identiteti i kombit. (koha.mk)