“Gjuha asht tapia e vendit”. DIBRA E MADHE GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE (1)

24

Bashkimi i pjesës më të madhe të tokave shqiptare me Shqipërinë, u prit me një entuziazëm të lartë nga popullsia shqiptare, e cila këtë bashkim edhe pse erdhi si rrjedhojë e interesave strategjike të shteteve të Boshtit, e konsideronte si çlirim kombëtar. E gjithë kjo ishte si rrjedhojë e politikës diskriminuese nga ana e pushtuesit serb. Ky diskriminim kishte arritur deri në ato përmasa saqë te shqiptarët ishte krijuar bindja se cilido pushtues që të vij, nuk mund të jetë më i egër se ai serb, apo siç thuhet në një dokument ushtarak jugosllav: “le të vijë edhe dreqi i mallkuar, do të jetë më mirë se kështu”


Nga Qerim LITA
Me kapitullimin e Mbretërisë jugosllave (prill 1941), tokat shqiptare nën pushtimin e asaj mbretërie u ndanë në tri zona pushtuese: Zona pushtuese italiane; Zona pushtuese bullgare dhe Zona pushtuese gjermane. Dibra e Madhe së bashku me pjesën dërmuese të rretheve: Tetovë, Gostivar, Kërçovë dhe Strugë, i takuan Zonës pushtuese italiane. Rrjedhimisht, në Dibër u formua “Komiteti Shqiptar”, anëtarë të të cilit ishin: Sherif Langu, Osman Piperku, Daut Imami, Nuri Shehu, Osman Rusi, Ali Maliqi, Hysni Dema, Sabri Maqellari, Uke Saliu, Uke Cami etj. Ky Komitet shtroi disa objektiva para vetes, si p.sh. bashkimin e viseve shqiptare me Shtetin shqiptar, krijimin e organeve të pushtetit shqiptar; civil e gjyqësor në viset e çliruara, hapjen e shkollave shqipe në Dibër e rrethinë, forcimi i vetëdijes shqiptare ndër shqiptarët e këtij krahu etj..
Më 29 qershor 1941, Qeveria italiane solli vendim, me të cilin qeverisë shqiptare iu dha e drejta e ushtrimit të pushtetit civil për “viset e Kosovës, Dibrës dhe Strugës”. Për rrjedhojë, qeveria shqiptare më 8 korrik emëroi Fejzi Alizotin ministër Shteti, përkatësisht komisar i Lartë Civil, për “ushtrimin e pushtetit civil në Kosovë, Dibër e Strugë”, me qendër në Prizren. Në fillim të muajit gusht, Komisariati i Lartë Civil, Dibrën e Madhe e shpalli qendër administrative të Qarkut, përkatësisht Prefekturës, në kuadër të së cilës u përfshinë 5 nënprefektura: Nënprefektura e Tetovës, Nënprefektura e Gostivarit, Nënprefektura e Kërçovës, Nënprefektura e Rekës dhe Nënprefektura e Strugës. Krahas prefekturave dhe nënprefekturave, administrimi civil lokal ushtrohej edhe nga bashkitë (komunat urbane) dhe komunave rurale, numri i të cilave në Prefekturën e Dibrës arrinte shifrën prej 51, prej tyre 5 bashki (Dibër, Tetovë, Kërçovë, Gostivar dhe Strugë) dhe 46 komuna rurale, me një sipërfaqe prej 4.070, në të cilën jetonin gjithsej 237.204 banorë.
Organet administrative të Prefekturës së Dibrës filluan me punë nga fundi i gushtit dhe fillimi i shtatorit të vitit 1941, por marrë në përgjithësi – ata ishin ende të pa konsoliduara plotësisht. Kështu p.sh. gjyqet jugosllave përfundimisht qenë suspenduar me Urdhrin e 28 tetorit të vitit 1941, kurse gjyqet oficiale shqiptare filluan me punë nga 4 maji i vitit 1942. Organet e rendit ishin xhandarmeria (karabinierët) dhe policia (kuesturat). Xhandarmeria komandohej nga italianë, kurse policia komandohej nga shqiptarë. Ndërkaq, gjuhë zyrtare në administratë ishte gjuha shqipe. Në territorin e prefekturës së Dibrës u vendosën një numër i forcave xhandarmerie (karabinierët) – rreth 1500 sish. Ndërkaq, selia e formacionit policor (kuesturave) të kësaj prefekture ishte në Dibër, kurse degët ishin nëpër selitë e nënprefekturave. Efektiva të xhandarmerisë ishin sistemuar në te gjithë territorin e kësaj prefekture, dhe atë: nëpër bashkitë e qyteteve nga 20-30 xhandarë, kurse nëpër fshatra qarkullonin nga 4-5 xhandarë.
Bashkimi i pjesës më të madhe të tokave shqiptare me Shqipërinë, u prit me një entuziazëm të lartë nga popullsia shqiptare, e cila këtë bashkim edhe pse erdhi si rrjedhojë e interesave strategjike të shteteve të Boshtit, e konsideronte si çlirim kombëtar. E gjithë kjo ishte si rrjedhojë e politikës diskriminuese nga ana e pushtuesit serb. Ky diskriminim kishte arritur deri në ato përmasa saqë te shqiptarët ishte krijuar bindja se cilido pushtues që të vij, nuk mund të jetë më i egër se ai serb, apo siç thuhet në një dokument ushtarak jugosllav: “le të vijë edhe dreqi i mallkuar, do të jetë më mirë se kështu”. Shumë familje nga Dibra e Madhe e nga tokat tjera të liruara, të cilët gjatë luftërave ballkanike, sidomos pas Kryengritjes së shtatorit të vitit 1913, e cila siç dihet, shpërtheu në Dibër, për shkak dhunës dhe terrorit të ushtrisë pushtuese serbe, qenë detyruar t’i lëshojnë vatrat e tyre për t’u vendosur në Tiranë, Elbasan etj., kërkonin riatdhesimin e tyre. Një dukuri e tillë shkaktoi probleme të shumta, sepse autoritetet ushtarake italiane insistonin që ata me çdo kusht të vendoseshin nëpër kampet e përqendrimit, e që kjo kundërshtohej nga komisari i lartë Fejzi Alizoti, i cili kërkonte të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre dhe të prisnin deri sa nuk gjendej ndonjë mundësi për strehimin e tyre përfundimtar.
Qeveria shqiptare, rëndësi të veçantë i kushtoi hapjes së shkollave shqipe, të cilat për herë të parë u hapën në këto troje gjatë vitit shkollor 1941/42. Për këtë qëllim, ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, më 23 qershor 1941, përmes një shkrese njoftonte Këshillin e Ministrave me sa vijon: “Kam nderin të njoftoj se Ministria e Arsimit ka vendosë me dërgue s’afërmi në Kosovën e në Dibrën e çlirueme nga një Misjon të jashtëzakonshëm për të studjue në vend gjendjen arsimore nga çdo pikëpamje, si dhe ka nji grup mësuesish për të hapë, me anën e këtynëve, kurse verore të gjuhës shqipe për të mëdhaj e të vegjël. Gjithashtu ka vendosë me dërgue nji sasi të madhe librash, Flamujsh e kuadresh…”.
Misionin shkollor për Prefekturën e Dibrës e përbënin: Prof. Fadil Repishti, kryetar, ndërsa anëtarë: Emin Çomo, Prof. Kel Gashi, Selim Alliu, Mexhit Bekteshi dhe Pjetër Elezi. Detyra parësore të Misionit ishte: të kryej studimin e gjendjes faktike të arsimit fillor e të mesëm në ato vise, si p.sh., cilat ishin qendrat shkollore që kishin funksionuar gjatë vitit shkollor 1940/41; sa ishte numri i nxënësve dhe i mësuesve për secilën shkollë veç e veç; sa dhe cilat nga ato qendra shkollore ishin të pastra shqiptare, sa të përziera e sa të pastra sllave; në çfarë gjendje janë objektet shkollore; ku duhet, ose mund të hapen shkolla tjera; sa djem e vajza shqiptare e kanë kryer ose e kanë ndjekë shkollimin e mesëm etj. Përveç kësaj, Misioni duhej që për një afat sa më të shkurtë të bëj organizimin e kurseve verore për mësimin e gjuhës shqipe si me të miturit ashtu edhe me të moshuarit. Për këtë qëllim, nga ana e Ministrisë së Arsimit, u lëshua një qarkore deri te inspektoritë e Arsimit të shtetit shqiptar, nga të cilat u kërkua që në baza vullnetare të hartojnë lista të arsimtarëve, të cilët siç thuhet në të: “çfaqin dëshirën e tyne me u transferue në vendet e shlirueme.”.
Duke u mbështetë në raportet e inspektorateve, qartë shihet se një numër i madh i arsimtarëve, me kënaqësi e kishin pranuar të punojnë në viset e çlirueme, me ç’rast, po i referohemi raportit të Inspektorisë së Arsimit për qarkun e Durrësit, dërguar në fillim të muajit korrik 1941 deri te Ministria e Arsimit, ku thuhej: “Jemi të lumtun t’ia paraqesim Asaj P.T. Ministrije nji listë të gjatë arsimtarësh vullnetarë, të cilët janë gati me derdhë gjithë energjitë e vlefshme të tyne për ringjalljen e vendevet të shlirueme. Vullnetarët e këtij qarku arrijnë numrin 19; shumica e ktij numri njifet prej ksaj Inspektorije si element i zgjedhun dhe puntuer”.
Një jehonë e tillë ishte edhe në inspektorit tjera, me çka për një afat të shkurtë kohorë numri i mësuesve të cilët kishin shprehur dëshirën të punojnë në viset e çliruara arriti mbi 150. Nga ky numër, 37 u caktuan të dërgohen në Prefekturën e Dibrës së Madhe, edhe atë: Zihni Çiça – Tiranë, Jusuf Kaba – Tiranë, Mustafa Shahinaj -Trebishtë, Mit’hat Cami – Harabel (Dibër), Remzi Sefedini -Kërçishtë (Dibër), Gavril Banto – Podgorje (Korçë), Ismail Bedhija – Korçë, Spiro Popa – Elbasan, Hamid Muça – Tiranë, Qamil Blloshmi – Pogradec, Haki Pohuni – Allajbegi (Dibër), Dalip Zejneli – Bellovë (Dibër), Teufik Balla – Muhur (Dibër), Islam Hoxha – Sohodoll (Dibër), Irfan Uruçi – Zerqan (Dibër), Shyqri Skenderi – Zerqan, Esat Mezelxhiu – Ostren i Madh (Dibër), Hidër Manjani – Kovashicë e Homeshit (Dibër), Edip Tërshana – Durrës, Qamil Skuqi – Elbasan, Murteza Peza – Kodovjat (Elbasan), Ahmet Gjylaçi – Elbasan, Hysein Çela – Durrës, Pjetër Kavaja – Ndroq (Durrës), Ibrahim Xhafa Kavajë, Jovan Popa – Herbert (Durrës), Abdyl Keçi – Shijak, Zejnel Zajmi – Krujë, Xhemal Kulli – Krujë, Kamber Kazazi – Krujë, Hasan Brahimi – Krujë, Muhamet Çerisha – Qerrekë (Durrës), Hysen Kola – Burel, Nuri Sula – Peshkopi , Ymer Beqiri – Peshkopi dhe Mit’hat Hoxha – Durrës.
Të gjithë ata, në mënyrë të organizuar me 7 korrik, së bashku me anëtarët e Misionit Shkollor, nga Tirana arritën në Dibër të Madhe, të cilët u pritën në mënyrë madhështore nga popullsia shqiptare. Anëtari i Misionit Shkollor, Peter Elezi, në një shkrim botuar më 27 shtator 1941 në gazetën Kosova, ndër të tjerave shkruante:
“…Populli i maleve të Dibrës thotë: ‘GJUHA ASHT TAPIA E VENDIT’. Me datën gjashtë korrik të këtij viti u nisëm nga Tirana për në Dibër të Madhe, ku ishte caktue qendra e nji Komisjonit Shkolluer të Jashtëzakonshëm. Me shtatë të muejit mbërrijtëm n’atë qytet, ku kishte me u mbledhë i tanë grupi arsimuer i përbamë prej 42 vetash: këta arsimtarë i kishte shënue P.T.Ministrija e Arsimit Kombëtar, për me u dhanë lajmin e LIRIS shqiptarvet të dridhun ndër zgjedhën e randë shekullore e për me u mësue fillimet e para të gjuhës amtare zogjve të shqipes. Të gjithë arsimtarët dukeshin sikur fluturojshin nga gëzimi, se ia mbërrijtën kësaj dite: dhe populli dibran, që e ka qamë me lot Lirin e vet, i priti me gaz. Ishte trazue gëzimi me habin; ishte nji ngjarje si ajo e atij që gjeti të bin e humbun….”. (vijon)

Comments are closed.