Gjuetia për Hitlerin zgjati 10 vjet pas Luftës së II Botërore

95

Raportime dhe të dhëna të ndryshme u regjistruan nga agjencitë e inteligjencës për Hitlerin gjallë, shumë prej të cilave i kaluan vetë drejtuesit të FBI-së, Edgar Hoover. Gjuetia zgjati të paktën 10 vjet, me dokumente që datojnë deri në 1955-n. The Sun Online zbulon disa prej pretendimeve më befasuese për diktatorin, në këto dokumente dikur top sekrete

Dokumente të deklasifikuara tregojnë se Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjurmuan për Adolf Hitlerin për 10 vite me radhë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, pasi i druheshin faktit se mund të ishte ende gjallë. Dokumentet e spiunazhit që ruheshin në arkivat e CIA dhe të FBI, të përcjella nga e përditshmja britanike “The Sun”, tregojnë të gjitha pistat e ndjekura, me frikën reale se Hitleri kishte arritur të arratisej nga bunkeri i tij në Berlin.

Historianët dinë se kreu i nazistëve vdiq pasi qëlloi veten, ndërkohë që forcat aleate hynë në Berlin ditët e fundit të Luftës së II Botërore, në 1945. Por në konfuzionin e krijuar pasi territori u nda mes Perëndimit dhe Bashkimit Sovjetik, një hetim masiv u ndërmor nga inteligjenca amerikane dhe ajo britanike për fatin e Hitlerit. Dokumentet sekrete zbulojnë hetimet mbi pretendimet se Hitleri kishte një sozi, raportimeve për shfaqjen e nëndetëseve në Argjentinë dhe pretendimeve se Hitleti ishte fotografuar i gjallë në Kolumbi. Fakti që disa nazistë përdorën rrugë të fshehta për t’u arratisur për t’u larguar nga Gjermani, teksa Rajhu i Tretë ra, është i njohur. Një pjesë e tyre gjetën strehë në Amerikën e Jugut.

Raportime dhe të dhëna të ndryshme u regjistruan nga agjencitë e inteligjencës për Hitlerin gjallë, shumë prej të cilave i kaluan vetë drejtuesit të FBI-së, Edgar Hoover. Gjuetia zgjati të paktën 10 vjet, me dokumente që datojnë deri në 1955-n. The Sun Online zbulon disa prej pretendimeve më befasuese për diktatorin, në këto dokumente dikur top sekrete.

Agjentët e CIA-s shtinë në dorë një fotografi të një personi që thuhej se ishte Adolf Hitler, më 3 Tetor të 1955. Në këtë imazh shfaqet një burrë me mustaqet tipike të Hitlerit, i cili qëndron ulur me një tjetër person, që thuhet se ishte ish-pjesëtari i trupave naziste, Philip Citroen. Një agjent me emrin e koduar Cimelody-3 raportoi tek CIA se Citroen i kishte thënë se Hitleri po jetonte në Kolumbi.  Cintroen thuhet se i kishte thënë informatorit se Hitleri po shpresonte që nuk do të ndiqej penalisht si kriminel lufte pasi kishin kaluar 10 vjet nga Lufta e II Botërore.

NËNDETËSET NAZISTE ‘GJENDEN NË ARGJENTINË’

Dokumentet top sekrete tregojnë se policia ishte vënë në kërkim të vendit ku zbarkonin nëndetëset naziste përgjatë bregdetit, pas dyshimeve se nazistë të rangut të lartë po shkonin në Argjentinë nëpërmjet detit. Radiogramët e FBI zbulojnë se ata po gjurmonin ‘zbarkime klandestine’ nga nëndetësja U-530 dhe mjete të tjera të ngjashme. U-530 ka qenë subjekt i shumë thashethemeve dhe teorive konspirative për arratisjen e nazistëve drejt Amerikës së Jugut. Ajo iu dorëzua Marinës Argjentinase më 10 Korrik të 1945, por regjistri i anijes mundonte ndërsa ekuipazhi ishte pa asnjë mjet identifikimi. Anija qëndroi për 2 muaj në det pasi u arratis nga Europa dhe udhëtimi i saj është i rrethuar ende me mister. Raportimet më të fundit sugjerojnë se kishte ardhur nga Japonia. U-530 thuhej se kishte transportuar nazistë të rangut të lartë drejt Amerikës së Jugut, por për këtë nuk ka prova.

Në 1947-n FBI intervistoi një informator në një qytezë të quajtur Casino, pranë Rio Grande të Brazilit, të populluar nga gjermanët. Bëhej fjalë për një person që deklaroi se ishte ish-luftëtar i rezistencës franceze dhe pretendonte se kishte parë Hitlerin dhe Eva Braun të ulur në një resort të qytezës. Ndonëse drejtuesi i FBI urdhëroi një hetim, konkluzionet mbeten të paqarta. Një tjetër pistë që aleatët ndoqën ishin edhe deklaratat se Hitleri dhe Eva Braun kishin shkuar me nëndetëse së bashku me 50 nazistë të tjerë në Argjentinë. Pretendohej se të arratisurit iu drejtuan më pas Andeve me kuaj, ku ishin ngritur 3 komunitete sekrete me nazistë. Thuhej se Hitleri kishte hequr mustaqet dhe vuante nga astma dhe ulcera. Në këtë rast FBI vuri në dyshim nëse dëshmitari po thoshte ose jo të vërtetën dhe e mbylli çështjen me konkluzionin se nuk kishte informacion të mjaftueshëm.

HITLERI NDËRROI VEND ME SOZINË E TIJ!

Në një prej raporteve, një informator i FBI nga Dayton, Ohio deklaroi se ishte takuar me Hitlerin e vërtetë në 1950-n, në Buenos Aires. Ai pretendoi se Hitleri kishte një sozi, që mori vendin e tij ditët e fundit të Luftës së II Botërore. Sipas informatorit, Fuhrer-i kishte bërë ndërhyrje kirurgjikale dhe dukej shumë më i ri. Megjithatë sipas tij, duart dhe këmbët e tradhtonin, pasi tregonin se bëhej fjalë për një person të moshës 65-70 vjeç. Raporti në fjalë i kaloi CIA-s dhe kur agjentët e kërkuan ta merrnin në intervistë, informatori tha se nuk mbante mend asgjë për shkak të një aksidenti me makinë.

Teoritë konspirative për vdekjen e Hitlerit qarkullojnë prej rreth 76 vitesh, qëkur ai qëlloi veten në Fuhrerbunker. Shumë nazistë arritën vërtetë të arratiseshin në Amerikën e Jugut, por sipas historisë Hitleri dhe Eva Braun nuk ishin në mesin e tyre. Ata vdiqën në Berlin dhe i dogjën trupat së bashku me dy qentë Blondi dhe Wulf. Analizat e fragmenteve të kafkës dhe dhëmbëve provuan pa asnjë lloj dyshimi se mbetjet e gjetura nga sovjetikët ishin në fakt të Hitlerit.