Sofje, 13 nëntor – Detyrë e Komisionit të përbashkët bullgar- maqedonas për çështje historike dhe arsimore, nuk është ndryshim i historisë zyrtare, por asaj të shkruar në librat e historisë të dy palëve të kufirit, ka deklaruar Dragi Gjorgiev që e kryeson ekipin nga Maqedonia.
“Në disa deklarata dhe publikime, jemi quajtur bile edhe tradhtarë, se e kemi shitur historinë e Maqedonisë, se çka është shkruar deri tani lidhur me historinë maqedonase do të ndryshohet nën diktatin e Bullgarisë. Ne nuk e ndryshojmë historiografinë zyrtare maqedonase pasi detyrë e jonë nuk është ajo. Detyra është ndryshimi i formës së shkruar në librat e historisë nga dyja anët e kufirit”, ka thënë profesori Gjorgiev për 6TV-në bullgare.
Sipas Gjorgievit, pala bullgare ka pasur vërejtje se përgjithësisht në librat maqedonase ndjehet gjuhë e armiqësisë ndaj Bullgarisë. I pyetur nëse pajtohet me ato vërejtje, ai ka thënë se pajtohet me argumente të caktuara. Si shembull, përmend se disa breza fëmijësh maqedonas mësojnë se “bullgarët kanë qenë fis mongol- tatar nga grup etnik turk dhe si fis nomad janë marrë me ruajtjen e kuajve, gjueti dhe vjedhje”. Kjo siç thotë është e absolutisht e papranueshme dhe e panevojshme të qëndrojë në një libër.
Historianët maqedonas kanë pasur më shumë vërejtje për atë që figuron në librat bullgar ku “duke filluar nga mesjeta Maqedonia trajtohet si territor bullgar i pambrojtur”.
“Duke filluar nga mesjeta deri te Lufta e Dytë Botërore thuhet se ato territore duhet të çlirohen dhe se janë territore bullgare. Ashtu që në librat përfshihen edhe Trakia dhe Dobruxha. Edhe përpjekjet se ai është territor i pambrojtur bullgar besoj se krijon shqetësim tek qytetarët maqedonas”, ka thënë profesori Gjorgiev.
Vërejta e dytë e palës maqedonase i referohet trajtimit të gjuhës së Kirlit dhe Metodit në disa libra në Bullgari si gjuhë e vjetër bullgare.
“Ka libra maqedonas ku ajo gjuhë është trajtuar si gjuhë e vjetër maqedonase. Dhe vërejtja jonë e përgjithshme është se nuk është e domosdoshme të nacionalizohen dhe të etnizohen ato procese që kanë ndodhur në mesjetë”, ka theksuar Gjorgiev.
Analizat e bëra korrespondojnë saktë me kohën e Mbretit Samoil dhe këtu thotë se do të tentojnë të gjejnë zgjidhej të caktuara dhe rekomandime që do t’i propozojnë deri te qeveritë e Bullgarisë dhe Maqedonisë.
“Ajo që Mbretëria e Samoilit është trajtuar si mbretëri bullgare është e pranishme edhe në historiografinë tonë, por interpretimet janë të ndryshme. Çështja është e komplikuar. Është emocionale, por edhe politike, do thoja për ato ngjarje me rëndësi në të kaluarën dhe prandaj nuk duhet shpejtuar me sjelljen e disa vendimeve”, ka thënë Gjorgiev i pyetur për pozicionet e palës maqedonase lidhur me Mbretin Samoil.
Ndryshe, Komisioni i përbashkët maqedon- bullgar për çështje historike dhe arsimore e formuar konform Marrëveshjes për fqinjësi të mirë mes dy vendeve, deri tani ka realizuar dy takime, ndërsa tjetra është paralajmëruar në fund të muajit.
Nga dyja anët është vlerësuar se edhe pse ka vërejtje serioze për disa çështje, atmosfera në Komision është konstruktive.